Nga Bujar Leskaj
Protesta studentore e 13 tetorit 2026 përfaqëson një moment historik në zhvillimet politike dhe shoqërore të Shqipërisë. Ajo duhet parë si një shprehje e pakënaqësive më të gjera të një brezi që kërkon cilësi në arsim, mundësi të barabarta, meritokraci, llogaridhënie institucionale dhe perspektivë për të ardhmen e tij në vend, dhe jo boshatisjen e atdheut.
Krahasimi me protestat studentore të dhjetorit 1990 është i natyrshëm. Studentët e dhjetorit 1990 protestuan kundër rregjimit komunist. Studentët e tetorit 2026 protestojnë kundër rregjimit autokratik të vendosur nga sekti Rama në qeverisje, që ka vrarë shpresën se shteti ligjor mund të vendoset në Shqipëri.
Në të dyja rastet, studentët janë një forcë e pandalshme, që shpreh kërkesën madhore për ndryshim radikal dhe sfidon statukuonë 13 vjeçare të instaluar nga Rama.
Më 8 dhjetor 1990, lëvizja studentore u bë një pikë kthese në historinë moderne shqiptare. Më 13 tetor 2026, studentët i thanë JO statukuo-së së autokratit Rama.
Mësimi i madh i dhjetorit 1990 është se protesta studentore përfundon me rrëzimin e rregjimit që i merr frymën dhe shpresën Shqipërisë.
Njëlloj si 36 vite më parë, revolta studentore ka forcën të shërbejë si ortek i pakënaqësisë popullore, të parë aq qartë në protestën kombëtare të 20 qershorit 2026. Ajo paralajmëron zgjerimin e bazës shoqërore. Kjo, pasi kërkesave studentore iu bashkohen prindërit, pedagogët, profesionistët dhe kategori të tjera të qytetarëve.
Një faktor tjetër i forcës së protestës studentore të sotme është që ajo vjen pas 134 ditë protesta të pandërprera qytetare për dorëheqjen e Ramës.
Tani e ka fjalën dhe rradhën uragani studentor. Nesër në orën 14.00, studentët do të jenë sërisht përballë Ministrisë së Arsimit. Ata janë të aftë, njëlloj si protesta qytetare 134 ditëshe, për një mobilizim afatgjatë, me objektiva të qarta dhe përfaqësim të besueshëm. Koha punon për studentët e Shqipërisë.
Rinia në rradhë të parë proteston kundër korrupsionit endemik të sektit Rama, kundër keqqeverisjes së tij në këto 13 vite. Të rinjtë protestojnë kundër Kodit të sotëm Zgjedhor, që i nxjerr deputetët shërbetorë të kryetarit të partisë.
Ata protestojnë kundër korrupsionit flagrant me koncesionet, me PPP-të, me incineratorët, me AKSHI-n, me SHIK-un, me rrugët dhe me skemat e mbështetjes së fermerëve në bujqësi. Protestojnë kundër paudhesive pambarim të sektit Rama në këto 13 vite.
Protestojnë kundër dhunës së rrezikshme të policisë, duke kërkuar ndryshim rrënjësor në vend. Të rinjtë kërkojnë sistem zgjedhor të hapur proporcional kombëtar. Mbi bazën e kësaj fryme të protestës kombëtare, Kuvendi duhet të hartojë Kodin e ri Zgjedhor, sipas kërkesave 135 ditore të protestuesve. Duhet të caktojë, në marrëveshje me partitë parlamentare, qeverinë teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa asnjë nga ne, deputetët e Parlamentit të sotëm dhe pa politikanet aktualë të pozitës, apo opozitës. Kjo qeveri duhet të përbëhet nga intelektualë me karakter dhe të sprovuar, mbështetës të protestës dhe të frymës opozitare në këto 13 vite.
Studentët zënë një pozicion të veçantë në shoqëri. Ata janë në një fazë të jetës, kur formojnë bindjet politike, ndërtojnë pritshmëritë profesionale dhe përballen drejtpërdrejt me pyetjen, nëse vendi u ofron mundësi të barabarta.
Pakënaqësia e tyre në Shqipëri, pas 13 viteve keqeverisjeje, është e thellë. Ajo ka të bëjë me cilësinë skandaloze të arsimit të lartë nën Ramën dhe me lidhjen e tij tejet të dobët me tregun e punës, me kostot e studimit, strehimit dhe jetesës që janë rritur dhe bërë të papërballueshme, me mundësitë gati zero të punësimit sipas meritës, me emigrimin masiv të sotëm të të rinjve dhe largimin e profesionistëve, si dhe me perceptimin mbi korrupsionin galopant në qeveri dhe pabarazinë e theksuar të mundësive në karrierë.
Këto probleme të thella të studentëve të Shqipërisë, njëlloj si dhe problemet madhore të shtresave të gjera të shoqërisë, kanë vetëm një zgjidhje: dorëheqjen e Edi Ramës!
Dorëheqja e kryeministrit është vetëm fillimi i transformimit rrënjësor të Shqipërisë dhe politikës shqiptare. Së bashku me të, duhen larguar praktikat qeverisëse që kanë prodhuar përqendrimin e pushtetit, korrupsionin masiv, dobësimin e institucioneve të pavarura dhe mungesën e llogaridhënies.
Për këtë arsye, çdo debat mbi të ardhmen politike të Shqipërisë, pasi studentët të flakin Ramën në koshin e historisë, duhet të përqendrohet tek një pyetje akoma dhe më e rëndësishme: çfarë duhet të ndryshojë në qeverisjen tonë dhe në reformën zgjedhore, në mënyrë që asnjë kryeministër i ardhshëm të mos ketë mundësi të përqendrojë pushtetin dhe të abuzojë e të korruptohet në të njëjtën mënyrë?
Shqipëria ka nevojë si njeriu për ajrin, për një shtet ku institucionet të mos identifikohen me drejtuesit e radhës, ku ligji të mos zbatohet në varësi të fuqisë politike dhe ku administrata publike të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të partive.
Gazeta RD