Pamjet e sheshit të tregut elektrik, si dhe WC-ve publike të qytetit të Kuçovës duket sikur janë marrë nga Gaza! Grumbuj inertesh, dërrasash, hekurash dhe telash të hedhura gjithandej dhe erë fekalesh që kutërbon.
.Sipas tabelës së vendosur në sheshin e ndërtimit, tashmë punimet duhet të ishin dorëzuar të përfunduara, por nuk ka gjasa të mbarojnë për një kohë të gjatë.
Në sheshin e ndërtimit nuk ka as mjete as punonjës. Duket gjithçka e braktisur. Punimet kanë nisur në 12 maj 2025 dhe në 12 shtator 2025 duhet të inauguroheshin WC-të e reja dhe sheshi të ishte rregulluar.
Tregtarët në Kuçovë prej disa muajsh ankohen për kaosin e krijuar, por bashkia e Kuçovës hesht për problemin. Pasi qytetarët denoncuan problemin në redaksinë e Gijotina.com, ne i verifikuam në terren ankesat e tyre. Përgjegjësia për këtë katrahurë është e kryetarit të Bashkisë, Kreshnik Hajdari, i cili i ka dhënë tenderin një firme që njihet për punime të dobëta dhe mos zbatimin e kontratave publike që përfiton.
Në këto foto janë instalimet elektrike të lëna jashtë dhe pusetat e parregulluara.
Tenderi me objekt “Rikonstruksion i sheshit, W.C-ve dhe sistemit elektrik të tregut industrial, W.C-të publike pranë parkut të ri e W.C-ve pranë Bashkisë Kuçovë”, që e iu dha kompanisë “Aida Construction” shpk e kishte Fondin Limit 6 539 894,00 lekë pa TVSH, por situata faktike tregon se paratë kanë shtuar fitimet e pronarit dhe një pjesë në xhepat e zyrtarit të korruptuar.
Ky është tender elektoral i mbajtur gjatë fushatës zgjedhore, për të treguar se sa shumë punon “Rilindja”. Për ta fryrë vlerën e tenderit janë bashkuar tre objekte që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, sheshi, WC-të publike dhe rrjeti elektrik. Në këtë kuadër, u mbajt procedura e prokurimit më 3 mars 2025.
Kompania e Andon Kristos nuk plotëson kriteret e tenderit
Duhet të theksojmë se kompania fituese “Aida Construction” nuk duhej kualifikuar për këtë tender pasi nuk plotëson kriterin financiar.
Sipas ligjit në fuqi për prokurimin publik, operatorët ekonomikë duhet të vërtetojnë kapacitetin e mjaftueshëm financiar. Në rastin tonë, kompania “Aida Construction” shpk ka mjaftueshëm xhiro vjetore, por rezulton me humbje. Sipas këtij grafiku, kompania me pronar Andon Kriston, është me humbje në gjatë vitit 2023.
Operatori Ekonomik duhet të ketë një aktivitet pozitiv të qëndrueshëm gjatë 3 viteve të fundit 2022, 2023 dhe 2024. Për të vërtetuar plotësimin e këtij kushti Operatori Ekonomik duhet të paraqesë kopje të bilanceve të 3 viteve të fundit pranë autoritetit përkatës, të konfirmuara nga audituesi, në të cilat duhet të rezultojë se nuk ka dalë me humbje të paktën në tre vite të njëpasnjëshëm.
Nga ana tjetër, pas një kontrolli që bëmë në regjistrin e licencave në QKB, na rezulton se “AIDA Construction” shpk ka vetëm një licencë të lëshuar në 2022, dhe ajo është për ekspertizë mbi sistemet e mbrojtjes nga zjarri.
Sipas dokumenteve standarde të tenderit, operatori ekonomik duhet të paraqesë licencën profesionale të shoqërisë, të vlefshme për zbatimin e punimeve objekt kontrate, të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Konkretisht kërkohen licencat e tipit NP – 3 A, NS – 2 A dhe NS – 14 A.
Na lind dyshimi se komisioni nuk ka bërë asnjë lloj verifikimi dhe tenderi ka qenë fiktiv. Këto neglizhenca mund të ndodhnin vetëm me dijeninë e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari. Kështu, duke parë vetëm interesin personal, kryetari më 14 prill 2025 i firmosi kontratën Andon Kristos.
Ndërkaq, Kristo i ka lidhur mirë telat, sepse kompania mbikëqyrëse që duhet të mbrojë paratë e bashkisë, ka mbyllur sytë dhe i bën letrat sipas kërkesave të kompanisë zbatuese të punimeve. Studioja që ka zgjedhur bashkia Kuçovë për mbikëqyrjen e këtyre punimeve është “6D PLAN” shpk me pronar Saidjon Kodhelajn.
Kryetabashkiaku Kreshnik Hajdari duhet të kishte pyetur pak përpara se t’ia jepte tenderin Andon Kristos, të ishte menduar mirë sepse era e tenderit të WC-ve të Kuçovës mund të arrijë deri në SPAK.
Një herë ia falën. Në 25 janar 2024, mos-deklarimi në Formularin e Dekriminalizimit i një dënimi të marrë në Greqi, i kushtoi kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari një vendim nga GJKKO me 9 muaj burg, për falsifikim dokumentesh. Ky dënim u konvertua me punë në komunitet.