Nga Ola XAMA
Tirana ka nevojë për menaxhim, jo për çudira!
Alternativa e një kandidati që vjen jashtë partive politike dhe mbështetet nga opozita është një lajm shprese për ne që jetojmë çdo ditë stresin e qytetit të Tiranës.
Nëse koha e shkurtër dhe faktori media do ia lejojë, fushata nuk ka përse të ofrojë çudira, premtime për ndryshime rrënjësore apo shërbime falas.
Tirana ka nevojë për menaxhim.
Ajër të pastër që vjen nga një zhvillim i kontrolluar i sektorit të ndërtimit në bazë të nevojave, duke krijuar paralelisht më shumë parqe.
Dhënia e zgjidhjes së parkimit që kushton trafik, orë dhe para për kryeqytetasit.
Nisja e procesit të diferencimit të mbetjeve në burim dhe investimi në riciklimin e tyre.
Mirëmenaxhim duke nisur me mbylljen e dhjetra ndërmarrjeve publike parazitare në bashki, ngushtimit të strukturës së administratës që vjel një pjesë të konsiderueshme të buxhetit dhe garë të drejtë në prokurime.
Në tenderat që bën Bashkia Tiranë kam parë çudira, 300 mijë euro për strategji që shkruhen nga Chat GPT se si të mbrohemi nga fatkeqësitë natyrore dhe asnjë investim për pajisje që të mbrojnë nga këto fatkeësi.
Rrugë që prishen e ndërtohen çdo vit, korsi biçikletash që kanë të njëjtin fat, shtrime dhe mbushje me paratë e taksapaguesve për asfaltin që çajnë punimet e pallateve apo fibrat e internetit…
Vetëm nga këto, kursehet të paktën gjysma e shpezimeve buxhetore të bashkisë.
Dhe prapë nuk ka nevojë për shërbime falas, por për shërbime dinjitoze të cilat nuk i marrim sepse paratë që derdhim për taksa e tarifa kanë përfunduar në skema korrupsioni.
Shërbime të mira, ajër të pastër, më pak trafik dhe më shumë art.
Kaq duhet të premtojë kandidati për Bashkinë e Tiranës. Çudirat nuk ndodhin në 1 vit e gjysëm, kurse këto pak pika bëhen për 6 muaj.
Hapi pas i partive opozitare për të mbështetur një figurë që nuk kontrollohet nga politika është një mundësi që ne si qytetarë nuk duhet ta humbim.
Personalisht kam shumë respekt për formimin dhe qytetarinë që ka patur dhe që tregoi sot Ermal Hasimja – një kandidaturë dinjitoze, por dhe për aktivizmin dhe kontributin e dhënë në shumë kauza të Florjan Binaj.
Flori ka qënë kritik dhe opozitar me pushtetin përpara 2013-s dhe mbeti kritik kur rotacioni politik nuk solli ndryshim, madje duke marrë kosto personale.
Këto zgjedhje të tij, përpara tundimit nga postet dhe fondet që zgjodhën kolegët e tij, tregojnë mjaft për integritetin që ka!