Nga Ndriçim KULLA
Para pak ditësh, në Tiranë ishte për vizitë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila foli për përparime të jashtëzakonshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka përcjellë vazhdimisht mesazhe optimizmi për ecurinë e vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Në gjuhën diplomatike, deklarata të tilla mund të duken të zakonshme, pjesë e një komunikimi që synon të inkurajojë vendet kandidate dhe t’u japë atyre shpresë për të ardhmen. Por çfarë ndodh vallë kur kjo gjuhë optimizmi përplaset me pamjet e një vendi ku studentët dhe qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar ndryshim, ku protestuesit përballen me gazin, shkopinjtë e gomës dhe arrestimet, ndërsa pushteti sillet sikur zëri i tyre të ishte një shqetësim që duhet shuar dhe jo një e drejtë që duhet dëgjuar?
Pikërisht në këtë përplasje shfaqet Shqipëria e vërtetë, Shqipëria lakuriq, e zhveshur nga dekoracionet e ceremonive zyrtare, nga buzëqeshjet diplomatike dhe nga imazhi i përpunuar me kujdes për t’u paraqitur para Europës. Është Shqipëria që nuk mund të fshihet pas fasadave të kryeqytetit, sepse ka dalë vetë në rrugë për të treguar se çfarë ndodh përtej tyre. Është një Shqipëri që prej vitesh proteston, që kërkon drejtësi, liri, dinjitet dhe një shtet që të mos sillet si pronë e atyre që e drejtojnë, por si institucion i qytetarëve që e kanë krijuar dhe e financojnë me punën e tyre. Dhe sot, kur studentët dhe qytetarët kërkojnë largimin e një pushteti që ata e konsiderojnë përgjegjës për gjendjen e vendit, nuk mund të shmanget më pabesueshmëria për cilën Shqipëri flasin drejtuesit europianë dhe cilën Shqipëri shohin?
Shqipëria që shfaqet në deklaratat e Brukselit nuk përputhet me Shqipërinë që shfaqet në rrugët e Tiranës. Njëra përshkruhet me gjuhën e progresit fantastik, të reformave dhe të negociatave; tjetra flet me zërin e protestuesve, me zemërimin e studentëve, me shqetësimin e familjeve që shohin fëmijët të largohen nga vendi dhe me zhgënjimin e qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar nga institucionet e tyre. Njëra paraqitet përmes raporteve të përpunuara dhe takimeve zyrtare; tjetra shfaqet në pamjet që nuk mund të interpretohen sipas dëshirës së asnjë zyre diplomatike, sepse ato tregojnë njerëz të gjallë, me kërkesa konkrete dhe me të drejta që nuk mund të reduktohen në shënime fundfaqeje të raporteve ndërkombëtare.
Nuk është hera e parë që Shqipëria proteston. Prej trembëdhjetë vjetësh, shoqëria shqiptare ka kaluar nëpër valë të ndryshme protestash, pakënaqësish dhe kundërshtimesh ndaj mënyrës se si qeveriset vendi. Kjo vazhdimësi duhet të përbënte një arsye serioze për ta shqyrtuar me kujdes gjendjen e demokracisë shqiptare, sepse një shoqëri nuk mund të mbetet për kaq gjatë në konflikt me pushtetin pa pasur probleme që shkojnë përtej pakënaqësive të zakonshme politike. Kur protestat përsëriten, kur largimi i qytetarëve bëhet një plagë e hapur kombëtare dhe kur brezat e rinj nuk e shohin më të ardhmen e tyre në vendin ku kanë lindur, nuk mjafton të flitet për përparime në procesin e integrimit. Duhet të thuhet qartë se çfarë lloj përparimi është ky, kujt i shërben dhe çfarë ndryshon realisht në jetën e qytetarëve.
Nuk është vetë integrimi europian ai që vihet në dyshim. Përkundrazi, Europa mbetet një aspiratë historike e shqiptarëve, e lidhur me shpresën për institucione funksionale, drejtësi të pavarur, liri individuale dhe një shoqëri ku askush nuk qëndron mbi ligjin. Por pikërisht për këtë arsye është e rrezikshme që procesi europian të ngatërrohet me suksesin politik të qeverisë që e administron atë. Hapja e kapitujve të negociatave nuk është e njëjta gjë me hapjen e institucioneve ndaj qytetarëve; deklaratat për reforma nuk janë prova të mjaftueshme se demokracia funksionon; dhe fotografitë e buzëqeshura të drejtuesve europianë me kryeministrin nuk mund të zëvendësojnë vlerësimin e pavarur të gjendjes së vendit.
Këtu qëndron edhe problemi i deklaratave të Ursula von der Leyen dhe Marta Kos. Kur ato flasin për përparime të jashtëzakonshme, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin se cilat janë kriteret me të cilat maten këto përparime dhe nëse në këtë vlerësim përfshihen edhe zërat e atyre që protestojnë. A përfshihet në këtë pamje studenti që kërkon një arsim më dinjitoz? A përfshihet qytetari që kërkon drejtësi dhe llogaridhënie dhe qeveria se përfill? A përfshihet gazetari që përpiqet të dokumentojë dhunën ndaj protestuesve? A përfshihet njeriu që, pas vitesh zhgënjimi, ka vendosur të largohet nga Shqipëria sepse nuk beson më se mund të ndërtojë këtu të ardhmen e vet?
Nëse këto zëra nuk dëgjohen, atëherë kemi të bëjmë me një pamje bosh, por të zëvendësuar me lule ku kanë vënë nga një buqetë edhe disa burokratë europianë, një pamje që mund të jetë e përshtatshme për sukseset diplomatike të burokratëve, por që nuk mjafton për të kuptuar realitetin shqiptar. Dhe kur një pamje e paplotë përsëritet për vite me radhë, ajo rrezikon të shndërrohet në një lloj verbërie politike, ku suksesi i shpallur nga qeveria fillon të merret si provë e suksesit të vendit, ndërsa pakënaqësia e shoqërisë trajtohet si një problem i brendshëm që nuk duhet të prishë atmosferën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ursula von der Leyen dhe Marta Kos nuk kanë përgjegjësinë të zgjidhin konfliktet politike të Shqipërisë dhe as t’u diktojnë shqiptarëve se kë duhet të mbështesin. Por ato kanë përgjegjësinë institucionale të mos e ngatërrojnë stabilitetin e një qeverie me stabilitetin e demokracisë, as aftësinë e një kryeministri për të ndërtuar marrëdhënie të mira diplomatike me përmbushjen e standardeve që Bashkimi Europian u kërkon vendeve kandidate. Mbështetja europiane duhet t’i shërbejë transformimit demokratik të Shqipërisë, jo të kthehet, me dashje apo pa dashje, në një mburojë politike për pushtetin.
Prandaj, sot nuk mjafton që Brukseli të shohë Shqipërinë përmes syve të qeverisë shqiptare. Duhet ta shohë edhe përmes syve të studentëve që protestojnë, të qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie dhe të atyre që nuk pranojnë ta konsiderojnë heshtjen si formën e vetme të sigurisë. Duhet ta shohë përmes pamjeve të rrugës, jo vetëm përmes protokollit; përmes realitetit të institucioneve, jo vetëm përmes raporteve të suksesit; përmes jetës së qytetarëve, jo vetëm përmes fjalimeve të drejtuesve politikë.
Sepse Shqipëria nuk është Edi Rama. Shqipëria nuk është imazhi që kryeministri ndërton për veten dhe as fotografia që ai dëshiron t’i përcjellë botës. Ajo është shumë më tepër se pushteti i ditës: është shoqëria që punon, studentët që mësojnë, qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe brezat që duan të jetojnë në vendin e tyre pa u detyruar të zgjedhin mes dinjitetit dhe largimit.
Dhe nëse protestat e sotme po e nxjerrin lakuriq Shqipërinë përpara syve të Europës, ato po zbulojnë njëkohësisht edhe kufijtë e diplomacisë që kënaqet me deklaratat e veta. Fjalët për përparime të jashtëzakonshme nuk mund ta zhbëjnë atë që shohin sytë e qytetarëve, as ta bindin një student se realiteti i tij nuk është i vërtetë, vetëm sepse një zyrtare e lartë europiane ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e vendit.
Gazeta RD