Shqipëria sot ka 720 mijë pensionistë dhe më pak se 800 mijë kontribues aktivë.
Në afat të gjatë ky sistem pensionesh mund të konsiderohet i paqëndrueshëm dhe ekspertë të ndryshëm kanë filluar të ngrenë zërin për nevojën emergjente të ndërhyrjes.
CEO i SIGAL Invest, z. Elvis Ponari, në një prononcim për Top News, thekson nevojën urgjente për të ndërtuar “një arkitekturë të re të pensioneve” në Shqipëri.
“Është koha që të mos flasim më vetëm për indeksime për pensionet, është koha që të bëjmë një bashkëpunim midis pensionit publik, pensionit privat dhe të krijojmë një arkitekturë moderne, siç e ka Evropa, në mënyrë që pensionistët shqiptarë, punonjësit shqiptarë, ata që paguajnë dhe kontribuojnë sot në skemën shqiptare, kur të dalin në pension të kenë të siguruar një pension pak më të lartë se sa pensionistët e vjetër”, tha për Top News z. Ponari.
Në Shqipëri, emigracioni me norma të larta është një tjetër problem, pasi po e ngushton normën kontribuese.
Ekspertët thonë se brezat e rinj do të përballen me pensione më të ulëta nëse mbështeten vetëm te shtylla shtetërore e pensioneve. Por si zgjidhet? Si mund të kenë shqiptarët që sot po kontribuojnë, pensione më të larta dhe më të qëndrueshme?
Z. Ponari e vë edhe një herë theksin te nevoja që shteti dhe operatorët privatë të thellojnë bashkëpunimin për reformimin e sistemit të pensioneve.
“Nëse duam tani pensione më të larta dhe më të qëndrueshme, pra siç e ka Evropa, siç e ka Maqedonia, duhet patjetër që shteti së bashku me privatin të bashkëpunojnë dhe të nxisin më shumë reformat për pensione, në mënyrë që individi ta marrë në dorën e vet kursimin për pension, sepse pensioni publik asnjëherë nuk është i mjaftueshëm”, theksoi CEO i Sigal Invest.
Z. Ponari sjell edhe një panoramë të qartë të pensioneve private sot në tregun shqiptar:
“Gjithnjë e më shumë klientë dhe biznese po afrohen te SIGAL Pension, pasi ata duan të kursejnë për të ardhmen e tyre, duke treguar se pensionet private janë një nga shtyllat më kryesore financiare për të ardhmen e individëve.”
Nëse duam pensione të sigurta dhe dinjitoze për brezat e ardhshëm, ekspertët mbështesin idenë se reformimi nuk mund të presë më. Bashkërendimi i shtetit me sektorin privat, i dëshmuar si i suksesshëm dhe me besueshmëri të lartë, si në rastin e Fondit të Pensioneve në SIGAL, është jo vetëm themelor, por edhe një domosdoshmëri.