Nga Iva V.GRILLO
Orkestra Simfonike e RTSH paska falenderuar personalisht kryeministrin në mënyrë pompoze për barazimin që iu bë pagave të anëtarëve të vet me pagat e kolegëve të tyre në Orkestrën e Opera dhe Baletit…
Ndoshta nuk janë të qartë që Kryeministri nuk po i paguan rritjet e rrogave nga xhepi i tij dhe ndoshta do t’ua kishte rritur pagat vite më parë nëse nuk do të shpërdoronte paratë për qivure druri në kryeministri apo me inceneratorë që nuk ekzistojnë.
Gjithsesi, nëse do kishte mbetur deri këtu, ky reagim edhe mund të merrej si një ekzaltim deri diku i kuptueshëm për rritjen e pagave.
Por Orkestra Simfonike e RTSH nuk e lë me kaq… Ajo vendos t’i veshë kryeministrit meritat për vëmendje e ndihmë të veçantë për gjithë artin, muzikën e kulturën… , ndërkohë që mjafton të kujtojmë shembjen e teatrit kombëtar me qytetarë e artistë brenda apo të dëgjojmë ekspertë të fushës si Elsa Demo për të kuptuar qasjen e kryeministrit ndaj artit.
Gjithsesi në këtë pikë, duket se Orkestra Simfonike e kupton dhe vetë që e ka djallosur, sepse ka vendosur të bllokojë çdo mundësi të ndonjë komenti kundërshtues në rrjet ndaj elozheve të pavenda dhe servile që i bëjnë kryeministrit.
Mbërritja e artistëve në këtë derexhe servilizmi dhe patronazhimi është vërtetë një nga tragjeditë e vërteta të artit shqiptar…të cilit do t’i duhen dekada të fitojë lirinë që I duhet një artisti për të krijuar dhe qënë vetvetja.
Një detaj i vogël ky, por shumë domethënës për nivelin e frikshëm të patronazhimit që tashmë është shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë…