Kryetari i PD, Sali Berisha, ka përgëzuar presidentin amerikan, Donald Trump për marrëveshjen historike të paqes për Gazën, të firmosur në Sharm el Sheik.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi këtë zhvillim si “një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme në historinë botërore” dhe shprehu shpresën që marrëveshja të shënojë një pikë kthese për paqen në Lindjen e Mesme.
“Para se të merremi me agjendën konkrete dhe problemet tona, dua përsëri të ndalem në dy momente shumë të rëndësishme ndërkombëtare.
Fundin e javës që kaloi, bota përjetoi një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme në historinë e saj.
Pas një përpjekje të papërshkruar, një marrëveshje paqeje u firmos në Sharm el Sheik dhe faza e parë e planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit u zbatua dhe është në zbatim.
Kjo marrëveshje nuk erdhi si një rastësi, por si një përpjekje e jashtëzakonshme që u bë në disa etapa nga presidenti Donald Trump dhe të dërguarit e tij, por edhe vende të tjera dhe shtete të tjera.
Marrëveshje që urojmë të shënojë një kthesë për të cilën synon në interesin absolut më të mirë të të gjitha vendeve të rajonit.
Kjo marrëveshje është përkrahur gjerësisht siç e keni konstatuar, në radhë të parë nga shtetet arabe, shtetet më të mëdha, më të fuqishme arabe.
Është përkrahur nga një seri shtetesh të tjera të rajonit dhe më larg.
Natyrisht, është përkrahur edhe nga ne, në këtë pozicion që jemi.
Në këtë marrëveshje, Izraeli dëshmoi vullnetin e tij për paqe.
Në këtë marrëveshje, Hamasi bëri zotimet e tij dhe urojmë që t’i përmbushë zotimet siç i ka marrë.
Dhe thashë edhe njëherë, që marrëveshja të shndërrohet dhe të konsolidohet në marrëveshje paqeje.
Shumë momente kanë qenë të rëndësishme, por unë dua t’u garantoj ju se një nga momentet më kryesore ka qenë operacioni ajror i SHBA mbi Teheranin.
Të dashur miq, në qoftë se ka një ngjarje që ripërsërit historinë, këputjen e nyjës gordiane, është sulmi ajror i SHBA, i urdhëruar nga Donald Trump mbi Teheranin.
Në kuptimin se Aleksandrit të Madh i thanë në Gordion se nuk kalon këtu pa zgjidhur nyjen. Ai nxori shpatën dhe e preu.
Edhe në Iran, pa diskutim që reaktorët bërthamorë të Iranit përbënin një rrezik madhor jo vetëm për Izraelin, por paqen në Lindjen e Mesme.
Një regjim që udhëhiqet nga një udhëheqje obskurantiste e Ajatollahëve.
U zgjodh mënyra më unike për zgjidhjen e problemit.
U bombarduam dhe u dëmtuan në palcë impiantet bërthamore, por pa asnjë të vrarë.
Faktikisht Irani u çarmatos nga ai potencial që përpiqej të krijojë dhe që përbënte një rrezik madhor.
Kjo ndërpreu luftën Izrael-Iran dhe unë mendoj se kjo hapi të gjithë perspektivën për t’u arritur këtu ku u arrit sot”, tha Berisha.
