Kryetari PD, Sali Berisha tha se, kriteri më themelor i zgjedhjeve është barazia, dhe kur ky kriter shkelet, zgjedhjet humbin çdo legjitimitet dhe kthehen në një farsë. Sipas Berishës, raporti ka konfirmuar përdorimin e resurseve administrative dhe shtetërore nga partia në pushtet për të manipuluar rezultatet, duke i dhënë avantazh të padrejtë partisë që mban pushtetin.
Berisha ka denoncuar gjithashtu kontrollin e plotë të mediave dhe fushatën masive të përdorimit të patronëve, duke e cilësuar këtë një shkelje flagrante të parimeve ndërkombëtare për zgjedhjet e lira.
“Tani, në qoftë se raporti thotë, zotëria duhet të kemi pak problemin e kulturës ligjore.
Kur raporti thotë se u përdorën të gjitha resurset administrative nga partia shtet, nga partia në pushtet, do të thotë se nuk kishte fushë të barabartë, dhe e ka shkruar jo një herë, por dy ose tre herë e ke në raport.
Kriteri më themelor i zgjedhjeve është barazia.
Në terminologjinë profesionale nuk ekziston terminologjia zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bazuar në Kartën e Kopenhagenit, të drejta ose të padrejta.
Të drejtat kanë kusht themelor barazinë e garës.
Një fushë e pabarabartë do të thotë farsë. Po nuk qe e barabartë është farsë në terminologjinë politike.
Merr pak raportin e Këshillit të Europës. Raporti rekomandon që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.
Kaq. Se po qe se është parti shtet, nuk ka zgjedhje, ka farsë.
Sigurisht se shteti futet në garë me një emër që quhet partia X, me të gjithë potencialin e vet financiar, njerëzor, dhunën, policinë, etj, për të rrëmbyer mandatet.
Pra, e thonë këtë, potë dish të lexosh jo njëherë, por disa herë.
Nuk përputhet me parimin ndërkombëtar sistemi i patronëve.
Ka bërë përpjekje titanike Edi Rama për të hequr ato terma, por do e ndjekin gjer ditën e fundit të jetës së tij.
Ka kaluar edhe në kërcënime personale ai. Nuk i hoqi dot.
Nuk shkruajnë ata terma politike. Ata kanë terma teknike, të barabartë, të pabarabartë.
Lexo pak vetëm kapitullin e medieve për të kuptuar se zgjedhje nuk ka pasur. Në qoftë se ka zgjedhje pa informim, apo ku njëra palë kontrollon 90 përqind të medieve.
Shih dy rreshtat e fundit të raportit për mediat. I damkos Edi Ramën dhe zgjedhjet.
Unë çuditem që të dalë ndonjë prej tyre që të thotë se ishin zgjedhjet më të mira, që nuk kanë shkruar kurrë.
Por zgjedhjet më të mira të vitit 2009 thuhet se plotësuan kriteret kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Dhe i ka shkruar këto një person që unë e kisha shpallur non-grata.E vërteta. Por objektivitetin e kishte për vete ajo, jo për mua.
Merrni zgjedhjet e vitit 2009, që Edi Rama bëri namin.
Merr zgjedhjet e vitit 2007-ës, ato ishin dizastër, ta them unë, se Edi Rrama i tmerruar që mund të humbiste, nuk donte të hynte zgjedhje dhe imponoi një pamflet rregullash të paimagjinueshme për votuesit.
Por ka një frazë aty, thonë gjithçka për ato zgjedhje jo mirë, por ka një frazë: qeveria nuk bëri përpjekje për të ndërhyrë në rezultat.
Kurse këtu çfarë gjen?
Qeveria bëri 4500 evente për të ndërhyrë në zgjedhje.
Qeveria fali 200 milionë euro gjoba.
Qeveria ka krijuar sistemin e patronëve për të ndërhyrë në zgjedhje.
Pati blerje masive vote. Në 30 përqind të qendrave të votimit nuk ishin askund standardet.
Tani, një gjë të siguroj, çdo rresht pozitiv absolutisht përveç njërit, janë shkruar për çdo zgjedhje në çdo situatë që bëhen.
U administruan me korrektesë. Në diktaturë, administrimi është gjithmonë korrekt. Për administrim, me daulle. Poetët thurnin poezi për zgjedhje.
Kështu që, unë nuk them se nuk pati, por unë besoj se këta i kanë bërë një shërbim të madh shqiptarëve me raportin.
Ndaj dhe u detyrova ta denoncoj.
E denoncova në asamblenë parlamentare të OSBE-së përpjekjen e Edi Ramës për të ndryshuar raportin.
E denoncova në Bruksel dhe Strasburg.
E kanë denoncuar përfaqësuesit e opozitës kudo dhe dështoi me turp. Asnjë rresht nuk ka ndryshuar”, u shpreh Berisha.