Nga Ndriçim KULLA
Para gjashtë muajsh afërsisht, një parathënie e fuqishme e organizimeve më të mëdha partiake të grupimeve të djathta europiane dhe ndërkombëtare dhanë paralajmërimin mbi rrezikun e tjetërsimit të vullnetit popullor për zgjedhjet në Shqipëri.
Kjo u materializua me mbi pesë rezoluta, të cilat, duke u votuar me unanimitet, shprehën alarmin e kuq se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri kishin rrezik potencial që të vidheshin ose manipuloheshin, sipas vijimit të traditës së këtij pushteti.
Ato, në fakt, ishin paralajmërimi i një kasandre për zgjedhjet e tjetërsuara në mënyrë inxhinierike të 11 majit, ku shteti bëri siç i deshi qejfi, derisa rrëmbeu fitoren dhe shkatërroi pothuajse të gjitha parimet dhe kushtet zgjedhore për të bërë zgjedhje demokratike.
Zgjedhjet e 11 majit ishin një thikë tjetër e madhe pas shpine për demokracinë në Shqipëri. Këto zgjedhje, të manipuluara me fakte në dritën e pastër të diellit, janë prova se ky pushtet rotacionin vështirë se mund ta pranojë.
Vetë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR, si aktorët kryesorë ndërkombëtarë të certifikimit të këtyre zgjedhjeve, një ditë pas ditës së zgjedhjeve, shprehën në raportin e tyre paraprak paralajmërimin e një procesi, i cili nuk të krijonte jo vetëm pritshmërinë e një rezultati për sensibilizimin e problemeve të paralajmëruara më parë, por përkundrazi, ata dëshmuan një parapërfundim se këto zgjedhje nuk ishin as të lira dhe as të barabarta.
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i vuri vulën farsës elektorale.
Është një përshkrim i vrojtuar dhe i gjykuar profesionalisht. Duke konsideruar edhe referencën e realitetit politik dhe demokratik, ku ne jemi aktualisht si vend kandidat për në Bashkimin Europian, ky raport shpreh me një gjuhë shumë diplomatike një paralajmërim të ndryshimeve radikale që duhet të bëjë me çdo kusht Shqipëria për të rikthyer demokracinë e përmbysur dhe zgjedhjet e lira.
Ky nuk mund të konsiderohet kurrë vetëm si një shuplakë për qeverinë në raport me këto zgjedhje, ky është një përmbysje e madhe që buron nga pasqyra e ekuilibruar e së vërtetës.
Pothuajse në të gjitha termat, pretendimet e opozitës dhe të opinionit publik që punuan për të vërtetën u certifikuan.
Duke iu bërë një përshkrim sintetik të gjithë problematikës së regjistruar, përfundojmë qartësisht te vlerësimi i përgjithshëm se këto zgjedhje nuk ishin as të lira, as të drejta dhe as të barabarta.
Nuk kishte çfarë të thuhej më, sepse në fakt nuk mungon asgjë pa u thënë, përveç krismave të luftës.
Ne nuk mund të pretendojmë nga OSBE që në këtë raport të mos jetë përfshirë edhe përgjunjja e Ramës para Melonit apo dhelpëritë e tij me Makronin.
Natyrisht, nuk duhet dyshuar fare se ai është munduar t’i përdorë kartat e tyre të influencës për të hequr ose zbutur diçka në raport, sepse i tillë është ai. Dhe kjo ka funksionuar.
Por raporti e ka ruajtur thelbin e vet, ndonëse i mungojnë ndonjë përfundim.
Po të kemi parasysh reagimin e njerëzve në rrjetet sociale, shumica e tyre pretendojnë se raporti nuk ishte ajo që ndodhi.
Ajo që ndodhi ishte shumë e rëndë, dhe është më se e vërtetë.
Duket qartë dhe është e kuptueshme se djalli i ka futur duart edhe aty, por panorama kryesore është e përshkruar.
Pastaj Michael Gahler, kryetari i delegacionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian në këto zgjedhje, deklaroi me dhimbje se krimi i organizuar nuk e lejoi rotacionin e pushtetit në Shqipëri.
Dhe këtë e përsëriti edhe në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Ky prononcim nuk zhduket dot kurrë brenda lojërave dhe ndërhyrjeve, sado fuqi të kenë ato. Kjo do mbetet lapidare. Dhe ai është një raport më vete.
Aq më shumë që deklarata e bërë prej Gahler në emër të delegacionit është aty, e protokolluar dhe do jetë aty gjithmonë, mbasi është bërë edhe publike.
Ne duhet ta mirëkuptojmë edhe gjuhën diplomatike të OSBE-ODIHR, e cila ka qenë e detyruar të respektojë edhe statusin e vendit kandidat të Shqipërisë.
Këto, pa asnjë dyshim, mbeten nga votimet më të monitoruara në Europë, ndoshta që nga viti i shembjes së komunizmit.
Kjo, për shkak të sensibilizimit ndërkombëtar që i bëri opozita problemit të grabitjes së zgjedhjeve nga shteti autoritarist që është krijuar në Shqipëri.
Autoriteti më i rëndësishëm ndërkombëtar i cilësoi këto zgjedhje si zgjedhje që i përkasin nivelit të diktaturave, edhe pse jemi në demokraci dhe në nivelin formal të pluralizmit.
Në këtë gjendje, të cilën na ndihmon edhe ky përfundim ndërkombëtar, çfarë do bëjmë?
Do vazhdojmë të pranojmë rezultatin katastrofik të 84 mandateve, apo do ngrihemi për të rikthyer demokracinë e përmbysur dhe zgjedhjet e lira?
Deputetët e opozitës, në një parlament autoritarist, arrogant dhe arbitrar, mua pas këtij momenti do më dukeshin si figurantë të një teatri.
Mendoj se parlamenti duhet të ishte puna e dytë e tyre.
Puna e parë duhet të jetë përgatitja e popullit për protesta.
Objektivi i panegociueshëm i një qeverie teknike duhet të jetë të shkëlmojë njëherë e përgjithmonë retorikën që e mban ndryshimin në vend.
Duhet të përballemi përfundimisht me të keqen, që ta përmbysim atë.
Të gjitha format e reagimit agresiv duhet t’i shprehim.
Kohët kanë ndryshuar dhe nuk jemi më në kohën e Federika Mogerinit, Romana Vllahutin, Donald Lu dhe Yuri Kim, të cilët e ndihmuan këtë regjim për t’u krijuar.
Duhet të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë rezistencë, deri te greva e urisë dhe forma të tjera proteste.
Kush mendon se Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron, Marta Kos dhe disa sorosianë të tjerë do vazhdojnë të jenë mbrojtësit e diktatorit manipulator për t’i shpëtuar mbijetesën në pushtet, unë ju them se kjo nuk do jetë e mundur gjithmonë përballë rezistencës sonë.
Askush prej tyre nuk mund të arrijë në atë pikë sa të sfidojë vetveten, duke pasur përpara normat dhe parimet europiane të demokracisë, të shkelura brutalisht.
Dhe kjo në një kohë kur kjo vjen e ndriçuar edhe nga ky raport publik.
Gazeta RD