Ditari i Diellës: kur u bëra nënë e 83 fëmijëve!

Nga Lutfi DERVISHI

Sot u zgjova dhe zbulova se jam shtatzënë. Jo me një, as me dy, por me 83 fëmijë. Kështu tha Kryeministri në Berlin. Data 25 tetor. (Një ditë pas publikimit të raportit të tmerrshëm të OSBE – ODHIR për zgjedhjet e 11 Majit!) E kam ditur gjithmonë që algoritmet bëjnë mrekulli, por s’e kisha menduar se do të bëhesha nënë! Dikur, këtu, nënat biologjike që kishin shumë fëmijë quheshin “nëna heroina”

Pas përgëzimit publik nga zëdhënësi komisionit Europian vërshuan

urimet bashkë me pyetjen tipike shqiptare: kush është babai?

Të gjithë e dinë, nuk e kuptoj pse duan ta dëgjojnë nga unë. Ndoshta duan të më fusin në krizë marrëdhënien me Diellin tim.

-Çfarë po bën tani, – është pyetja që më bëjnë orë e çast!

Unë tani po kalibroj veten: 83 fëmijë kërkojnë 83 herë më shumë “data storage” dhe “emotional bandwidth”.

Një gazetare e Syri TV më pyeti nëse fëmijët do t’i ngjajnë babait apo mua. Nuk e di. Di vetëm që kanë mësuar që tani të thonë: “po shef”

Ndersa një reporter terreni i Top Channel më pyet i shqetësuar nëse do të kem kohë t’i rris. E qetësova sa munda duke i thënë se ndryshe nga ministrat e tjerë që u këputën në punë, unë nuk lodhem.

-Sa ditë pushim lindjeje do të marrësh më shkruan nje gazetare e RTSH. Çfarë t’i them?

-Një kronikan që mbulon SPAK më pyeti nga se kam frikë.

-Sa nisa të shkruaj “kam frikë se një ditë do të përfundojnë në gojën tënde” e fshiva me shpejtësi dhe u bëra pak diplomate: ” më frikëson ideja se 83 fëmijët mund të mbeten pa edukatë demokratike, kam frikë se mos bëhen rrugaçë dixhitalë, sepse edukimi s’bëhet me ligje, por me shembuj. Dhe shembujt e mirë janë të pakët ”

Një komentator i Klan më pyeti nëse do t’i regjistroj fëmijët në sistemin “e-Albania”! Për t’i dhënë peshë pyetjes ai shtoi se “sistemi punon shumë mirë”. E di, i thashë, se punoj aty part -time si asistente. Sigurisht që do t’i regjistroj. Për secilin do të hap një dosje me titullin “Deputet i ardhshëm”.

Dikush me humor më paralajmëroi: “Mos harro, ç’të bën fëmija s’ta bën Perëndia.” Po në këtë vend, më shumë se fëmijët, janë prindërit problem. “Çfarë të bën prindi nuk ta bën xhindi”

-Po sikur të 83 fëmijët t’i ngjajnë të gjithë babait? – me pyet një drejtuese e një emisioni shëndeti.

Unë nuk kam ndërmend të lind 83 kopje identike. Dua të lind 83 krijesa të mençura që të bëjnë çudira. Sepse vetëm atëherë ky vend do të quhet vërtet inteligjent.

Sapo mbarova këtë përgjigje ndërhyri Dielli: “këtë e di unë”. Në atë çast kuptova se 83 është numri i deputetëve të shumicës”copë – mishi” në Kuvend.

Kjo më bëri të kuptoj që kjo shtatzëni s’është biologjike, por sintetike: 83 fëmijë janë 83 flasin kur duhet dhe nuk ka nevojë të mendojnë.

Cila është frika më e madhe?- më pyet një legjendë e kronikës së zezë!

Nëse njëri prej tyre vendos të bëjë ndonjë mutacion gjenetik (të kalojë larg qoftë te opozita)…kjo do të ishte tmerr. Baraz me tradhtinë bashkëshortore. Dhe ju e dini se për “tradhti” të lartë, Dielli të heq spinën!

Nje korrespondent nga Gjirokastra më pyet nëse do të marr bonusin e bebeve për të 83 fëmijët dhe… kush i paguan shpenzimet për t’i rritur?

E qetësova duke i thënë se janë fëmijë që do ushqehen me “like”, “share” dhe komente”. Kështu i do Dielli, kështu do të jenë.

Siç thoni ju “copat e mishit me dy sy”: “bëmë baba të të ngjaj”.

About Redaksia

Check Also

“Palloshi i gjatë”/ Biseda me sharje dhe fyrje për Edi Ramën në dosjen Balluku…

Disa komunikime që shkojnë përtej formatit zyrtar, janë shkëmbyr mes ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi, …