Dy standardet dhe standardi special Rama, pasqyra e drejtësisë me regji!

Nga Petrit VASILI

Dy standardet e përdorura hapur nga SPAK janë pa asnjë dyshim prova e funksionimit me regji të tij. Çdo qytetar, përfshi edhe të indiferentët, pyet përse aplikohen dy standarde: njëri represiv dhe çnjerëzor për përfaqësuesit e opozitës, dhe një standard krejt tjetër për përfaqësuesit e pushtetit.

Si do t’ua shpjegojnë qytetarëve rrëmbimin kriminal dhe çnjerëzor për arrestimin e Ilir Metës, përkundrejt shoqërimit shumë të qetë të Erion Veliajt? Po ashtu, si do t’ua shpjegojnë arrestimin në mes të aeroportit, me pranga në duar, të Abi Malltezit që priste bashkëshorten, përkundrejt shoqërimit absolutisht të qetë dhe me respekt të Veliajt për në paraburgim?

Si do t’ua shpjegojnë njerëzve që arrestojnë prej më shumë se një viti Ilir Metën dhe izoluan për një vit Sali Berishën, se gjoja rrezikonin të prishnin provat, kur të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë që të dy liderët kanë ikur prej vitesh nga zyrat e pushtetit, të cilat tashmë janë të zaptuara nga Rama dhe rilindja?

Ndërsa nga ana tjetër, që nga zv/kryeministrja, ministra, deputetë, kryetarë bashkie, me akuza të ngritura, vazhdojnë të shkojnë nëpër zyra, të prishin prova, të firmosin tendera e të shantazhojnë e frikësojnë dëshmitarët, bashkëpunëtorët dhe kompanitë private me të cilat kanë bërë korrupsion. Bile, këta vazhdojnë të bëjnë moral e të pushtojnë mediat duke akuzuar opozitën, e cila ka trembëdhjetë vjet që ka dalë nga zyrat e pushtetit.

Si do t’ua shpjegojnë që Sali Berishën e izoluan pa i bërë kërkesë Parlamentit, ashtu si është bërë për çdo deputet tjetër socialist? Po si do t’ua shpjegojnë njerëzve që, përveç këtyre dy standardeve, ka edhe një standard të tretë vetëm për Edi Ramen, të cilit i rëndojnë dhjetëra përgjegjësi personale penale shumë të mëdha, të dokumentuara e të njohura botërisht?

Standardi Rama ka bërë që ky i fundit të mos paraqitet në SPAK asnjëherë, ndonëse faktet janë bërë publike dhe kallëzimet janë pa fund. Ndërsa nga ana tjetër, ndjekja penale ka filluar për liderët e opozitës nga kallëzime me regji të shpifësve ordinere, të njohur botërisht.

Ndaj, mosbesimi tek drejtësia është shumë i madh, ndërsa bindja se drejtësia funksionon me regji është absolute.

Dy standardet dhe standardi Rama janë streha e pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe inkriminimit të Ramës dhe qeverisë, dhe shkaku që korrupsioni vetëm thellohet, ndërsa shteti ligjor zhytet poshtë e më poshtë në humnerën e antiligjit.

About Redaksia

Check Also

“Kur të hyj tek Palloshi, më dergo sms”/ Detaje nga makinacionet e Belës

Zbardhen detaje nga hetimet e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Mësohet se në dosjen e …