Berisha me kryetarët e degëve të PD: Zgjedhjet ishin një farsë! Fusha e garës ishte krejt e pabarabartë

Kryetyari Sali Berisha, në fjalën e tij në takimin me kryetarët e degëve të PD e cilësoi procesin e fundit zgjedhor si një farsë të orkestruar nga regjimi autoritar i Edi Ramës.

Berisha akuzoi qeverinë për përdorim masiv të burimeve shtetërore, presion politik ndaj opozitës dhe kontroll të mediave, duke theksuar se “vota e shqiptarëve u dhunua dhe fusha e garës ishte plotësisht e pabarabartë”.

“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht ju, të nderuar drejtues të degëve të PD, Tiranës, qarqeve, rretheve.

Përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë anëtaret dhe anëtarët tanë, mbështetëset dhe mbështetesit tanë në Shqipëri dhe kudo që janë.

Ne mblidhemi në këtë takim në një situatë të paprecedentë në 33 vite të pluralizmit politik në Shqipëri.

Në një situatë ku regjimi apo diktatura autoritare e instaluar, shpalosi me gjithë shëmtinë e tij dhunimin masiv të votës së lirë të shqiptarëve.

Shpalosi me të gjithë fuqinë e tij dhunimin në qindra dhe mijëra herë të ligjit elektoral shqiptar dhe ligjit ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta.

Shpalosi përdorimin e të gjitha potencialeve të shtetit për të grabitur votën e shqiptarëve.

Por shpalosi hanxharët e të gjitha bandave kriminale aleate të qeverisë për të mos lejuar shqiptarët të votojnë të lirë.

Dëshmoi se në mënyrë të programuar, të pandalshme dhe me çdo kusht dhe çdo çmim ai do të qëndrojë në pushtet dhe se vota e shqiptarëve është diçka e pavlerë për të.

Ne vijmë në këtë takim pasi ju, anëtarët, mbështetësit, simpatizantët tanë derdhën lumenj djerse me ndershmëri, me sakrifica për një proces zgjedhor që vendi duhej të kishte.

Me çfarë u përballën ata dhe ju?

Ata u përballën së pari me një politikë terrori ndaj opozitës.

Edi Rama, në traditën e babait të tij xhelat, në vitin elektoral arrestoi si persona nën hetim, pa asnjë fakt penal, liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri nën ndjekje penale të tretin.

Një akt të tillë e ka bërë identik Zajedi i Tunizisë, i cili në vitin elektoral arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare. Se edhe Zajedi e ka opozitën.

Arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të fituar në zgjedhje aq sa deshi.

Jo vetëm kaq, por terrori politik ndaj opozitës u shpreh qartë me shëmtinë e tij me marrje mandati të kryetarit të bashkisë së Himarës. Me marrjen e mandatit, duke montuar proces false, duke u vërtetuar që ai gjoja kishte paguar në një klub në Himarë, në atë moment ndodhej në Vlorë.

Burgosën deputetin vetëm e vetëm se u tha shqiptarëve të vërtetën se i vëllai i Fatzi Xhafës, i dënuar në Itali, jetonte i qetë dhe drejtonte trafiqet nga Vlora, Gerondi.

Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatuan se në periudhën e ndaluar me ligj, Edi Rama dhe ministrat e tij organizuan 4500 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare për të ndikuar tek zgjedhësit, tek vota.

Që të gjitha këto, buxhet i qytetarëve shqiptarë.

Në zgjedhje u përdorën të gjitha burimet dhe potencialet tashmë të certifikuara, të dokumentuara.

Shpërblimi apo dhurata prej 100 eurosh për pensionistët.

Falja e gjobave dhe kamatave prej 200 e sa milionë euro.

Rritja me 8 herë e subvencioneve për fshatin.

Punësimi i përkohshëm në dhjetëra e dhjetëra raste.

Krahas këtyre, ju jeni dëshmitarë se policia politike elektorale e patronazhistëve, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, u vërsul me egërsi që të kontrollonte vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Në narkoshtetin e parë dhe të vetëm të Europës, u shpërndanë 183 licenca për të mbjellë 28 mijë hektarë kanabis kundrejt vetëm 200 hektarë që parashikon ligji.

Të gjitha këto bënë që vëzhguesit ndërkombëtarë të qëndrojnë me ndershmëri, me integritet në anën e zgjedhësve shqiptarë.

Të gjitha këto janë deklarata të tyre.

Të gjitha këto dëshmojnë se zgjedhjet ishin një farsë.

Se fusha e garës ishte krejt e pabarabartë.

Por po t’u shtojmë këtyre një faktor po kaq madhor sa të gjithë këta të tjerët, kontrollin qeveritar të 90 përqind të medieve, nga i cili qytetarët shqiptarë nuk morën dot informacionin, u mashtruan.

Ky kontroll i medieve është një nga armët, dhe ndoshta arma më e rrezikshme e diktaturës autoritare të Edi Ramës ndaj shqiptarëve.

Do t’u jap vetëm një moment, në kulmin e skandaleve të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës, 90 përqind e medieve qeveritare censurojnë dhe nuk japin lajme.

Dje shumica e tyre anuloi emisionet e parashikuara për Lubinë me urdhër.

Shqiptarët nuk duhet të dëgjojnë për këtë. Duhet të dëgjojnë për çdo gjë tjetër, por jo për atë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Shqiptarët zhyten në varfëri! 23% e popullsisë jeton me 681 lekë në ditë!

Vitin e kaluar 23.4% e popullsisë shqiptare ka jetuar me 8.3 dollarë (681 lekë në …