Deputetja e PD Jorida Tabaku, ka publikuar sot një video pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të të Drejtave të Njeriut dhe Mjeteve të Informimit, ku u zhvillua një dëgjesë me minatorët e Spaçit. Ajo theksoi se çështja e Statusit të Minatorit nuk mund të mbetet më peng i premtimeve të pambajtura të qeverisë.
“Statusi i Minatorit është një premtim i pambajtur. Na takon të gjithëve t’i japim dinjitet kësaj pune të vështirë, të mbështesim protestën tuaj të drejtë dhe të kërkojmë llogari qeverisë”, deklaroi Tabaku, duke theksuar se nëntoka e pasur e vendit nuk është reflektuar kurrë në paga dhe kushte të denja për minatorët.
Ajo u angazhua publikisht se do të dorëzojë sërish kërkesën ligjore për Statusin e Minatorit dhe se opozita do e çojë këtë betejë deri në fund, në mbrojtje të të drejtave të punonjësve dhe familjeve të tyre.
“Ju premtoj se do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, për të drejtat tuaja, për punën tuaj dhe për të mbështetur familjet tuaja në këtë situatë të vështirë që po kaloni”, përfundoi Tabaku.
Gazeta RD