CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Bardhi: Mazhoranca po asgjëson Kuvendin! Kalohen në heshtje ligje me interes madhor!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë publike tha se, mazhoranca po bllokon të gjithë mekanizmat e kontrollit, nga mocionet deri te komisionet hetimore. Ai tha se, po shkelet kushtetuta dhe rregullorja për të kaluar në heshtje ligje me interes madhor.

Opozita parlamentare ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës socialiste, duke pretenduar se kjo e fundit ka ndërmarrë një fushatë sistematike për “asgjësimin e parlamentarizmit” dhe bllokimin e çdo mekanizmi kontrolli ndaj qeverisë. Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi denoncoi se dhjetra ligje po miratohen pa asnjë debat dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.

Bardhi tha se, të gjitha këto të drejta kushtetuese të deputetëve të opozitës janë refuzuar në kundërshtim flagrant me rregulloren dhe Kushtetutën.

Deklarata e Gazment Bardhit

…Dhe pas 30 minuta gënjeshtër të profesorit, akademikut, historianit Taulant Balla, që kishte marrë përsipër të mësonte gazetarët se si do të duhet të bëjnë punën e tyre, po pa treguar në asnjë moment se si ai po e bënte punën e vet, jam i detyruar të sqaroj opinionin publik që mazhoranca socialiste në kuvend vijon me projektin për asgjësimin e parlamentarizmit dhe asgjësimin e çdo mekanizmi kontrolli që parashikon rregullorja e kuvendit.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në ushtrim të të drejtave që i njeh rregullorja e kuvendit, ka depozituar një mocion me debat për mungesën e një ligji të posaçëm siç ndodh në çdo vend të rajonit dhe në çdo vend të Europës, përcaktimin e minimumit jetik. Qytetarët kanë parë se gjatë këtyre ditëve ka ardhur në kuvend për shqyrtim projektbuxheti për vitin 2026 dhe para tre ditësh edhe paketa fiskale apo ligjet financiare që shoqërojnë miratimin e projektbuxhetit.

Qartësisht, në këtë projektbuxhet cënohen të drejtat kushtetuese të qytetarëve për caktimin me ligj të minimumit jetik. Dhe unë dua ta bëj publikisht pyetjen që i bëra zotit Balla në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Masa e ndihmës për personat e papunë apo ndihma ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta është rreth 40.000 ALL të vjetra. Dhe zoti Balla do të duhet t’i shpjegojë shqiptarëve, a mundet ai vetë personalisht të jetojë me 40.000 ALL të vjetra në muaj, siç në fakt jeton një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare.

A mundet një familje me katër persona të paguajë të gjitha detyrimet për energji, për ujë, për ngrohje, apo për ushqim të fëmijëve të tyre, me ndihmën që jep shteti shqiptar 40.000 ALL në muaj. Është fakt dhe përmendet edhe në kërkesën për mocion me debat, se sipas analizave dhe rekomandimeve të përsëritura ndër vite nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga dy studime të kryera nga avokati i popullit, se përcaktimi i një treguesi zyrtar të minimumit jetik është një kërkesë e vazhdueshme ndaj qeverisë shqiptare.

Por deri në këto momente ka munguar një qasje ligjore dhe institucionale për përcaktimin dhe përditësimin periodik të standardit minimal të jetesës. Dhe në ushtrim të të drejtave të tyre por dhe për t’i shërbyer interesit publik, grupi ynë parlamentar ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat. Dua të bëj të qartë se që nga nisja e kësaj legjislature, në ushtrim të të drejtave tona, kemi propozuar mekanizma të kontrollit ndaj ekzekutivit, por që në fakt, mazhoranca me forcën e kartonit, edhe pse nuk e ka një të drejtë të tillë, ka vendosur t’i refuzojë.

Në këto dy muaj, grupit tonë parlamentar i janë refuzuar pesë mocione me debat, tre kërkesa për komision hetimor dhe dy kërkesa për interpelancë me kryeministrin, interpelanca e parë dhe interpelanca e dytë për vjedhjen e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku. Të gjitha këto të drejta kushtetuese të deputetëve të opozitës janë refuzuar kundërshtim flagrant me rregulloren e kuvendit dhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu është fakt që në 10 seanca plenare, vetëm në një seancë është lejuar debat parlamentar.

E dëgjova zotërinë të na numëronte minuta se kur na i kishte dhuruar ai se sa minuta kanë folur deputetët e opozitës. Patjetër që do të flasim, sepse interesi publik na kërkon që ne të flasim në parlament. Interesi publik nuk na kërkon që të ngremë kartonat pa lexuar, pa studiuar, siç na urdhëron partia, ashtu siç bëjnë 83 memecë deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Ne nuk kemi marrë kohën e kolegëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kemi marrë kohën tonë dhe kemi shfrytëzuar hapësirën parlamentare për të zhvilluar debat për çështje që janë në interes të qytetarëve. Ama është fakt dhe jo një gënjeshtër e gazetarëve siç akademiku Balla u përpoq ta servirte në opinionin publik, që deri më tani janë miratuar me dhjetëra ligje në dy muaj të kësaj legjislature dhe për asnjërin nga ligjet e miratuara nuk është lejuar debat parlamentar. Në asnjë prej ligjeve nuk ka patur diskutime në parim, ashtu siç urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe rregullorja e Kuvendit. Një pyetje krejt legjitime, se ku e gjen rregullin, autoritetin për të kërkuar mbylljen e seancave pa zhvilluar debat, zotëria na referoi te kodi i etikës.

Në fakt nuk ka asnjë rregull, sepse s’mund të ketë asnjë rregull që kuvendi mbyll punimet me kërkesë të mazhorancës pa lejuar të diskutohet për projektligjet. Transparenca është një parim themelor i funksionimit demokratik të një parlamenti. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që të miratohen ligjet pa patur mundësi që të informohen qytetarët dhe të ketë diskutime në seancë plenare për secilin prej tyre.

Tha dhe një gënjeshtër tjetër, ndërkohë që ju jeni dëshmitarë, ne sot nuk kemi dorëzuar asnjë kërkesë për mocion me debat. Kërkesa në raport me luftën ndaj krimit të organizuar, është dorëzuar javën e ardhshme dhe sot në konferencën e kryetarëve, më fal, javën e shkuar dhe sot në konferencën e kryetarëve, kryetari i Kuvendit propozoi që meqënëse nesër mblidhet përsëri konferenca e kryetarëve, të kemi mundësi që këtë mocion, pra shqyrtimin e këtij mocioni ta shtojmë në rendin e ditës.

Po ashtu dua të ndaj me opinionin publik një rast të paprecedent që po ndodh edhe në këto momente në komisionet tona parlamentare. Si asnjëherë më parë, qeveria zgjodhi që të sillte projektbuxhetin 2026 në kuvend, të pashoqëruar nga projektligjet financiare. Projektligjet financiare janë depozituar në kuvend në datën 13 nëntor, pra disa ditë pasi kishte filluar diskutimi i projektbuxhetit dhe janë shpërndarë deputetëve të premten e javës së shkuar, pra në datën 14 nëntor.

Pa u diskutuar fare në konferencën e kryetarëve, pa qenë në kalendarin e punimeve të kuvendit, të miratuar nga seanca plenare, komisionet kanë nisur pra brenda as 48 orësh, kanë nisur shqyrtimin e projektligjeve financiare që shoqërojnë buxhetin e shtetit, edhe pse nuk ka ende siç rregullorja urdhëron një kalendar të veçantë të shqyrtimit të tyre. Dhe kësaj kërkese në përputhje me rregulloren, kryetari i Kuvendit ju përgjigj se duke u ngjitur nga zyra e tij në katin e tretë për në sallën ku zhvillohej mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në katin e katërt, ia kishte bashkëngjitur, nuk e dimë se si, kalendarit për shqyrtim…

About Redaksia

Check Also

Bizneset protestojnë para bashkisë Durrës: 6 vite pas tërmetit, ende kemi ngelur rrugëve!

Disa përfaqësues të bizneseve në Durrës kanë zhvilluar sot një protestë para Bashkisë së qytetit. …