Deputetja e PD, Jozefina Topalli kritikoi ashpër projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke theksuar se ai nuk pasqyron gjendjen reale të qytetarëve. Sipas saj, një shtet i shëndetshëm matet me dinjitetin që i jep njerëzve, mundësitë për të rinjtë, mbështetjen për familjet, drejtësinë dhe transparencën, jo me paratë që ka.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, Topalli denoncoi qeverisjen e 13 viteve të fundit, duke vënë në dukje probleme të thella në ekonominë e vendit, menaxhimin e emergjencave dhe largimin masiv të qytetarëve, ndërsa theksoi se buxheti i propagandës nuk mund të zëvendësojë realitetin e vështirë të shqiptarëve.
“Një shtet i shëndetshëm nuk matet me sa para ka por me sa dinjitet i jep njerëzve të tij, sa mundësi u jep të rinjve, sa mundësi u jep familjeve. Sa drejtësi i jep qytetarëve, sa siguri i jep investitorëve të huaj, sa respekt i jep taksapaguesit, sa transparencë ka në çdo qindarkë që shpenzon. Nëse këto mungojnë atëherë asnjë buxhet asnjë rritje dhe asnjë reklame, nuk mund të fshehë gjendjen reale.
Kur të votoni këtë buxhet mos shikoni grafikun që ju tregojnë ministrat, shikoni realitetin jashtë kësaj salle, shikoni dyqanet dhe bizneset që mbyllen, familjet që ikin, pensionistët që numërojnë lekët, shikoni nënën që nuk përballon fatura. Shikoni studentin që nuk ka shpresë, sepse një buxhet që rrit propagandën dhe ul cilësinë e jetës së qytetarit nuk është buxheti i zhvillimit kurrë, është buxheti i pushtetit.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë pushtet, por më shumë shtet. Euro posht, dollari poshtë, prodhimi poshtë eksportet poshtë, kullat lartë, taksat lartë.
Ky kryeministër ka 13 vite që prodhon vetëm largim të shqiptarëve kryesisht nga korrupsioni dhe nga padrejtësia. Ky sot kërkon të bëjë buxhetin e vitit të ardhshëm, por buxheti është pasqyrë e qartë e absurditetit të këtyre 13 viteve të qeverisës së tij.
Ky njëri kërkon të prodhojë armë, ndërkohe që në veri por edhe në jug fiken zjarret me lopata. E gjithë bota përdor avionë helikopter, teknologji, ne përdorim lopatat sepse qeveria ka 13 vite që nuk ble një mjet serioz për emergjencën.
Ky vendos satelitë, kërkon të kontrollojë hapësirën por nuk është në gjendje të kontrollojë asnjë tub uji, jo më atë që ndodhi në Rinas, në zonën ku supozohej të ishte me e sigurta”, u shpreh Topalli.
Gazeta RD