“Nëse unë kam një kompani dhe vitin e kaluar kam deklaruar 100 mijë euro fitim, por kam fshehur edhe 100 mijë euro të tjera dhe nuk i kam deklaruar dhe nëse këtë vit i deklaroj, a mund ta bëj? Dhe a është penaliteti vetëm 5%?”
Ministri i Financave, Petrit Malaj, zgjodhi të shmangte përgjigjen, duke i shtuar dyshimet se “Paqja Fiskale” do të përdoret realisht për legalizimin e parave të pista, siç është shprehur edhe Fondi Ndërkombëtar Monetar.
LEXO EDHE: FMN kundër Paqes Fiskale nga qeveria Rama
“Paqja fiskale nuk diskriminon askënd. Ajo është një marrëveshje vullnetare për të gjithë tatimpaguesit, të cilët mund të hyjnë në marrëveshje me tatimet, qoftë për të korrigjuar pasqyrat financiare apo për të deklaruar dhe rideklaruar deklaratat e paraqitura në 3 vitet e fundit. Nuk ofron asnjë siguri juridike apo amnisti për personat nën hetim, me vendim gjykate të formës së prerë apo në hetim tatimor. Këto kategori janë të përjashtuara dhe nuk përfitojnë nga paqja fiskale” – deklaroi Ministri.
Shehaj u përpoq të ndërhynte duke thënë se “nuk e keni kuptuar pyetjen”, por ministri Malaj u përgjigj shkurt “ekam kuptuar pyetjen shumë mirë.” (Shih videon më poshtë)
Por skenari i zbuluar nga Shehaj mbeti pa përgjigje, duke lënë pezull pikërisht shqetësimin kryesor, a lejon “Paqja Fiskale” që paratë e padeklaruara, potencialisht të krimit apo korrupsionit, të futen në ekonomi me një penalitet minimal?
Sipas këtij skenari, çdo individ që ka para të fituara nga korrupsioni apo aktiviteti kriminal, edhe ata që mund të jenë të dënuar apo në hëtim financiar, mund të përdorë kompani të rregullta, që nuk i kanë në emrin e tyre, për të legalizuar paratë.
Për shembull, një individ i tillë mund të gjejë një biznesmen të zakonshëm me kompani aktive, që ka qarkullim real, bilanc dhe llogari bankare, për të future shuma të mëdha parash si të ardhura. Biznesmeni do të duhet të paguajë vetëm 5% dhe këto para përfundojnë si të pastra në llogarinë e tij bankare dhe më pas ai mund t’i qarkullojë në forma të ndryshme për të përfunduar sërish tek individi që i kishte ato.
SKEMA
- Paratë e pista (100 mijë euro) futen në kompani
- Shpallen si fitim i korrigjuar
- Shteti merr vetëm 5 mijë euro
- 95 mijë euro bëhen të ligjshme
Në këtë skenar nuk ka më as hetim nga prokuroria apo tatimet, nuk ka provë të origjinës, nuk ka audit financiar dhe as kontroll nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ky skenar është tërësisht i mundur për shkak se paqja fiskale nuk kërkon prova për origjinën e fitimit, si u gjeneruan këto para realisht dhe as se përse nuk u deklaruan më parë.
Ky proces shihet si një mundësi e artë nga krimi për të pastruar paratë, sepse penaliteti 5 % është shumë i vogël. Askund në Europë nuk ka kosto kaq të ulët për të “pastruar” paratë. Dhe kjo është skema më klasike për të pastruar paratë e pista.
Në gjuhën e anti-laundering (kundër pastrimit të parave), shpjegohet kështu:
- Placement — futja e parave të pista në një biznes
- Layering — deklarimi i tyre si fitime të padeklaruara më parë
- Integration — depozitimi në bankë si para 100% të ligjshme
Paqja fiskale e bën pikërisht këtë dhe kjo ishte edhe arsyeja përse FMN u deklarua hapur kundër kësaj.
“Kemi frikë që disa prej elementëve të projekt propozimit mund të minojnë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për përmbushjen dhe për drejtësinë”, tha Anke Ëeber shefja e misionit të FMN në Tiranë.
Për më tepër, “Paqja Fiskale” është edhe diskriminuese ndaj biznesit të rregull. Të gjitha ata biznese që i kanë deklaruar të ardhurat kanë paguar 23 % tatime, 15 % tatimin mbi fitimin dhe 10 % dividentin.
Pra, nëse je një biznes i rregullt në Shqipëri do të paguash 23 % taksa, ndërsa nëse bën evasion fiskal apo pastrim parash paguan vetëm 5 %. /Zoom.al
Gazeta RD