Lideri historik demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjes së një gazetari në konferencën e përjavshme për mediat se, regjisori Edmond Budina kishte deklaruar se, “i vetmi që mund ta rindërtojë Teatrin Kombëtar është Sali Berisha”!
Berisha e vlerësoi Budinën për rezistencën e tij dhe theksoi se, Teatri Kombëtar do të ndërtohet aty ku ishte dhe siç ishte.
“Teatri Kombëtar do të ndërtohet një për një, siç ka qenë projekti, me të njëjtin material, me të njëjtën fortë, me të njëjtën arkitekturë, aty ku ka qenë. Ajo ishte një ndërtesë dinjitoze, një dëshmi e një akti hajdutërie të paimagjinueshëm.
Ky vend, ky shtet i kapur bëri ligjin Fusha, bëri gjithçka duke dëshmuar se sa të shpëlarë në rrafshin kulturor janë këta drejtues. I shkatërruan vendit dhe kombit një thesar. Por siç janë informuar, materialet e ndërtimit kanë qenë shumë të mira, prodhohen edhe sot. Projekti ekziston dhe teatri do ngrihet siç ka qenë”, tha Berisha.
Dy vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, regjisori Edmond Budina tha se, ata janë tradhtuar nga Lulzim Basha. Budina tha se, i vetmi që mund ta rindërtojë Teatrin Kombëtar është Sali Berisha.
“Alternativa e vetme për të rrëzuar këtë pushtet mafioz është Sali Berisha. I vetmi që mund të sjellë një ndryshim në Shqipëri dhe mund të ndërtojë Teatrin Kombëtar. Kërkesa jonë është të ndërtohet Teatri aty ku ishte, ashtu siç ishte. Duhet një dorë e fortë me protesta, me një opozitë aktive, Berisha po e bën mirë punën e tij”, tha Budina.