Nga Bujar Leskaj
Sikurse e kam denoncuar edhe javën e kaluar, gjatë monitorimit në terren të situatës në zonën e Novoselës, ne konstatuam një të vërtetë e hidhur po përsëritet vit pas viti. Sa herë ka reshje, Vlora dhe njësitë e saj administrative, nga Novosela, Mifoli, Akernia, Bishani, Poro e deri tek Fitorja dhe Dëllenja zhyten mes fatkeqësisë natyrore dhe korrupsionit institucional.
I.Vlora e pëmbytur- papërgjegjshmëri e rëndë si në gjithë Shqipërinë e përmbytur
Vlora është pasqyra e çfarë ndodhi me të gjitha qytetet e Shqipërisë. Situata e përmbytjeve dëshmoi se rrjeti i kanalizimeve është i vjetëruar, jo i mirëmbajtur dhe në shumë zona i bllokuar prej vitesh. Investimet me miliona euro, në fakt janë abuzime me miliona euro, janë kryer pa studime të mirëfillta, pa standarde dhe pa kontroll teknik.
Shembulli më flagrant është Hidrovori i Vlorës, i cili ka gjithsej 4 pompa, 2 të vogla dhe 2 të mëdha. Dy të mëdhatë janë jashtë funksionit, të djegura dhe qëndrojnë ashtu prej gati 1 viti, ndërsa dy pompat e vogla bllokohen çdo 5 minuta nga mbeturinat, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe mos pastrimit të kanaleve. Si rezultat, lagje të tëra , nga Uji i Ftohtë tek njësitë administrative, Skela, Narta dhe deri në zonat periferike përmbyten në çdo reshje.
Pra, qyteti i Vlorës, që varet nga hidrovori, po “mbrohet” nga dy pompat e vogla të Hidrovorit.
Dhe ndërsa qytetarët shohin shtëpitë e tyre nën ujë, Bashkia, Prefektura,Emergjencat Civile vazhdojnë të pretendojnë se “kanë marrë masat”. Por dokumentet zyrtare flasin ndryshe:
vetëm më 25 gusht u dhanë 38 milionë lekë për mirëmbajtjen e Hidrovorit, pa llogaritur qindra milionat e mëparshme. Në të njëjtën kohë, vetë ministria deklaron se janë planifikuar 3 miliardë lekë investime për sistemin kullues.
I.1 Tenderime të vit pas vitshme, pa eficense, efikasitet dhe ekonomicitet:
Dy tenderime të reja, me një vlerë totale prej afro 4 milionë eurosh, janë shpallur “për marrje masash ndaj përmbytjeve”:
2.33 milionë euro për kanalizimet,
1.54 milionë euro për Hidrovorin.
Por këto tenderime nuk shoqërohen me asnjë analizë të mirëfilltë teknike, asnjë plan funksional dhe asnjë studim që të tregojë se si do të zgjidhen problemet që prej vitesh po fundosin qytetin. Përkundrazi, ato futen në të njëjtën spirale të njohur: harxhim parash pa kriter, pa eficencë, pa efikasitet dhe pa asnjë lloj ekonomiciteti.
Janë harxhime korruptive!
Pra, çdo vit qytetarët shohin të njëjtën histori: qindra milionë lekë të hedhura në emër të përmirësimit të rrjetit të kanalizimeve, por kanalet vazhdojnë të jenë të bllokuara; miliona euro të hedhura për hidrovorin, por pompat qëndrojnë të djegura; tendera të bujshëm në letra, por zero ndryshim në terren.
Përmbytjet e këtij nëntori, si të gjitha përmbytjet e tjera këto 13 vjet, kujtoj dhe ato të tetorit 2024, ishin pasojë e drejtpërdrejtë e papërgjegjshmërisë dhe e neglizhencës së pushtetit vendor dhe qendror, sado të flisni ju këtu me fjalë të bukura.
Me qindra familje humbën sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, me dhjetra e dhjetra biznese pësuan dëme të konsiderueshme, ndërsa trafiku në akset kryesore të qytetit u paralizua ditët e shirave për orë të tëra. Për një qytet bregdetar dhe turistik, kjo është goditje e rëndë ekonomike, që prish ritmin e jetës, cenon imazhin e një qyteti të sigurtë dhe largon investitorët e mundshëm.
As qeveria qendrore dhe as Bashkia e qytetit Vlorë nuk japin llogari për përmbytjet. Nuk ka një raport teknik, një plan emergjence, një analizë të defekteve të infrastrukturës dhe një përllogaritje reale të dëmeve që shkaktuan përmbytjet, dhe cfarë duhet bërë dhe si duhet zgjidhur në të ardhmen.
Ndërkohë që Bashkia Vlorë përpiqet të mbulojë dështimet e saj me deklarata e shifra në letër, realiteti në terren është brutal: qytetarët e përmbytur nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim real.
Kujtojmë përmbytjet e vitit të kaluar ( 4 tetor 2024) ku Bashkia Vlorë alokoi një fond prej 613 milionë lekësh, të miratuar nga Këshilli i Bashkisë, në janar 2025, dhe i dekretuar nga Prefektura, për t’u shpërndarë “354 familjeve të prekura”.
Por në praktikë: fondet ishin të pamjaftueshme, qesharake përballë dëmeve reale; procesi i dëmshpërblimit është i ndarë me pikatore; dhe qytetarët u lanë në mëshirë të fatit, të përmbytur, të varfëruar, të harruar.
Qindra qytetarë të Vlorës që humbën mobilje, pajisje shtëpiake, prodhim bujqësor, makineri pune dhe që panë shtëpitë e tyre nën ujë për orë të tëra, nuk kanë marrë asnjë qindarkë.
Arsyeja?
Sorollatja e qëllimshme e Bashkisë, burokracia, komisione fiktive, vlerësime të manipuluara dhe mungesë totale transparence.
Në asnjë moment Bashkia Vlorë nuk ka kryer:
një ekspertizë të thelluar teknike,
një inventarizim real të dëmeve,
një përllogaritje të drejtë dhe të plotë
për të përcaktuar humbjet që qytetarët pësuan pas përmbytjeve të 4 tetorit 2024 apo pas çdo përmbytjeje tjetër të viteve të fundit.
Mbi të gjitha, nuk ka përgjegjësi, nuk ka përgjegjshmëri. Juve ju duken si fjalë të huaja përgjegjësia dhe përgjegjshmëria, duket sikur ju provokon. Kjo mungesë përgjegjësie e ka futur jo vetëm qytetin e Vlorës, por të gjithë Shqipërinë në ciklin e mbyllur të përmbytjeve të përvitshme: të njëjtat probleme, të njëjtat justifikime dhe të njëjtat dështime.
Dhe problemi më i madh, mbas cdo përmbytje, është mungesa e dëmshperblimeve ndaj blegtorëve dhe bujqëve, të cilët mbas cdo përmbytje janë më të dëmtuarit.
Mungesë totale parandalimi, reagimi dhe kujdesi për të përmbyturit
Mungesa e investimeve në argjinatura dhe në sisteme kullimi në zonat rurale dhe abuzimet e korrupsioni në ato pak investime të kryera, kanë shtuar masën e rrezikut për përmbytje edhe më masive në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.
Kaloi një javë pas përmbytjeve dhe ende nuk ka nisur procesi i dëmshpërblimeve të domosdoshme në këto raste dhe i rehabilitimit të pasurisë bujqësore dhe blegtorale të dëmtuar rëndë të qindra dhe mijëra familjeve në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.
Ndërsa ende edhe sot ka dëmshpërblime të parealizuara, të konfirmuara nga vete drejtuesi i Emergjencave Civile zoti Haki Çako në Kuvend, sekti në pushtet shpenzon fonde për ndërtime ekstravagante si Parku i Edenit në kryeministri, apo pista 11 milionë euro e garave të shpejta me makina në Elbasan!
I gjithë ky absurditet, përmes filozofisë dhe politikës së fasadës në qendër të Tiranës dhe në çdo qendër të qyteteve tona, duke injoruar dhe snobuar me pashpirtësi investimet e domosdoshme strukturore për të mbrojtur qytetarin, qytetet dhe zonat tona rurale nga tërbimi i motit.
Nuk mjaftoi vërshimi i ujrave nga lumenjtë e dalë nga shtrati në qindra shtëpi, por indiferenca qeverisëse dhe mosmarrja e masave në kohë sollën me mijëra hektarë tokë bujqësore të përmbytura, veçanërisht në Shkodër, Nën-Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Fier, Fushë-Krujë, Sarandë, Novoselë e Gjirokastër, duke shkatërruar prodhime vjeshte dhe duke dëmtuar rëndë ciklin e mbjelljeve të dhjetorit.
Mijëra gjedhë u mbytën dhe qindra e qindra hektarë tokë bujqësore e mbjellë, në sera dhe fusha u përmbytën, duke i lënë në mëshirë të fatit dhjetra mijëra fermerë të Beratit, Korcës, Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës, Lezhës etj., që kursimet e një vitit të tërë pune i kishin investuar në sera dhe në fushat e mbjella. Në të gjithë Shqipërinë, me dhjetra mijëra fermerë u gjendën dhe gjenden edhe sot në mëshirë të fatit!
Emergjencat lokale u lanë vetëm për orë të tëra, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kishin mjete, karburant apo pajisje lundruese. Strukturat e qeverisë qendrore nuk ndërhynë, deri sa situata degradoi. Komunikimet publike ishin të vakëta, kontradiktore dhe shpesh të pasakta. Ndërkohë që qytetarët luftonin me ujin në shtëpi, në bagëti e në parcela, sekti Rama merrej me deklarata politike dhe me shfajesime.
Bashkitë kërkuan ndihmë, por nuk morën përgjigje në kohë. Prefekturat nuk funksionuan si qendra të ndërlidhjes, duke humbur orë të çmuara në mbledhje formale. Agjencia e Mbrojtjes Civile nuk pati kapacitet të mjaftueshëm njerëzor dhe logjistik dhe veproi e fragmentuar, ndërsa forcat e armatosura dhe policia u angazhuan me vonesë, pa koordinim në terren dhe pa strategji të unifikuar ndërhyrjeje.
Kjo mungesë e plotë korrdinimi solli ndërhyrje të ngadalta, të shpërndara, të pakoordinuara dhe të pasuksesshme në zonat më kritike.
Qeveria e sotme tregoi me përmbytjet e nëntorit, si dhe në shumë raste të mëparshme këto 13 vjet, mungesë totale të transparencës për dëmet dhe përgjegjësitë. Asnjë inventar i qartë nuk u publikua në kohë reale. Asnjë institucion nuk kërkoi ndjesë. Asnjë zyrtar nuk u shkarkua.
Tek sekti në qeverisje sundoi e njëjta (anti)logjikë e pandryshuar: përmbytjet si fenomen natyror, për t’u përdorur më shumë për propagandë, sesa për reforma thelbësore.
Nën Ramën, Shqipëria do të vazhdojë të përmbytet çdo vit, ndërsa qeveria do të vazhdojë të justifikohet, duke shpëlarë përgjegjësinë në emër të motit!
I kërkoj Ministrit të Bujqësisë dhe pushtetarëve vendorë të përllogarisin sa më parë dëmin e shkaktuar çdo fermeri dhe çdo biznesi në çdo qark të përmbytur të Shqipërisë, si dhe i kërkoj Ministrit të Financave të alokojë fondin për dëmshpërblimin 100% të çdo dëmi të krijuar nga përmbytjet, pasi është kryesisht papërgjegjshmëria qeveritare dhe jo moti, që e solli këtë situatë.
Gazeta RD