Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, tha nga Vlora se, Edi Rama përdori mandatin e parë për të krijuar narko-shtetin, kurse mandatin e dytë e përdori për të krijuar pseudo-opozitën.
“Ky udhëtim i juaji, udhëtimi i përbashkët i demokratëve në mbarë Shqipërinë, ishte më i pazakonti në historinë e Europës, por edhe i vështirë, me pengesa serioze të mëdha. Në këtë udhëtim ne u përballëm me një qeveri, e cila në rast se mandatin e parë e përdori për të zëvendësuar shtetin ligjor me narkoshtetin, të dytin e përdori për të shkatërruar opozitën, për të krijuar pseudo-opozitën, për të lënë vendin pa opozitë dhe pa pluralizëm politik”, tha Berisha.
“Pavarësisht nga këto presione, ju u ngritët, u ngritët sepse idealet tuaja ishin, kishin mbetur të paprekura. Ju edhe më 25 prill, votuat masivisht për PD-në, 620 mijë shqiptarë i votuan kësaj partie, duke e mbajtur në këmbë si forcën e dytë më të madhe politike. Në këtë rrugë, demokratët erdhën si misionarë, kaluan çdo vështirësi dhe i dhuruan vendit përsëri opozitën e vërtetë”, tha Berisha.
“Në Vlorë më shumë se kudo shqiptarët ndjejnë frymëzim. Frymëzimin e atdhetarisë e dashurisë për këtë vend. Më 28 nëntor 2012 ku Ismail Qemali ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë, vendi në të katër anët ishte i shkelur nga pushtues të huaj. Por të gjitha këto nuk e trembën Ismail bej Vlorë, nuk e dekurajuan që të shpallte pavarësinë, pas kësaj shqiptarët me beteja e përpjekje që u kushtuan jo më pak se 1/6 e popullatës, e bënë të pavarur Shqipërinë, i larguan pushtuesit. Në Vlorë gjëja e parë që të vjen në mendje është interesi kombëtar. Mbrojtja e të cilit është jetikë, vendimtare, përcaktuese për të ardhmen dinjitetin prosperitetin kombëtar”, tha Berisha.