Prokurorët e SPAK kanë arritur në konstatime të forta në dosjen hetimore ndaj Ballukut. Në këtë dosje ata shprehen se kërkohet arrestimi i Ballukut dhe një nga shkaqet është edhe fakti se “ajo mund të kryejë krime të rënda ose të njëjta me atë që ajo po procedohet”, thuhet në dosje.
Tre prokurorë të SPAK mbërritën mëngjesin e së premtes në Kuvendin e Shqipërisë për të kërkuar autorizimin për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa protestuesit e mbledhur jashtë godinës kërkonin me pankarta në duar heqjen e imunitetit të saj.
Mbledhja në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit po zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës po kërkojnë që mbledhja të jetë e hapur për median.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit për zv. kryeministren Belinda Balluku, Prokuroria e Posaçme arsyeton se ndryshimi i masës së sigurisë po bëhet për të mbrojtur provat dhe dëshmitarët. Prokuroria thotë se Balluku, ende e lirë dhe në detyrë, e ka përdorur funksionon për të kërcënuar një prej vartëseve të saj, njëkohësisht dëshmitare.
“Gjithashtu, në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K. (vartëse e saj)”, thuhet në relacion.
Kërkesa e firmosur nga prokurori Dritan Prençi vë në dukje se veprimet e Ballukut dhe pushteti i saj cënojnë hetimin, ndërsa në të argumentohet se lista e akuzave është shtuar edhe me koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar si dhe një kontratë për mirëmbajtjen e rrugëve në veri të vendit.
“Pasur parasysh se pas momentit të caktimit të masës kanë rezultuar fakte penale të tjera në ngarkim të personit nën hetim Belinda Balluku, si dhe pasur parasysh sjelljen e të pandehurës gjatë hetimit, ndaj subjekteve tjera të këtij procedimi penal, vlerësohet se jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për këtë shtetase,” thuhet në kërkesë.
Prokuroria e Posaçme iu drejtua më 16 dhjetor zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit të zv. kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Qëndrimi i prokurorisë ndaj Ballukut u përshkallëzua që prej momentit që kjo e fundit u njoh me akuzën në fund të tetorit. Fillimisht hetimi ndaj saj kishte si objekt vetëm ndërhyrjen në tenderin për tunelin e Llogarasë. Javë më vonë Gjykata e Posaçme miratoi një kërkesë të re të prokurorisë për pezullimin nga detyra të Ballukut pasi prokuroria shtoi si akuzë ndaj saj edhe manipulimin e një prej 7 tenderave të shtatorit 2021 për Unazën e Madhe të Tiranës.
Gazeta RD