Hetimet/ Veliaj, 2.4 milion euro nga Bashkia Tiranë vëllait të tij për koncerte e sponsorizime

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka avancuar me hetimet në lidhje me veprimtarinë dhe përfitimet e kompanisë “Gogel” sh.p.k., e cila rezulton në emër të Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka ndërmarrë edhe disa veprime hetimore në disa kompani të tjera të lidhura ngushtë me shoqërinë “Gogel”.

Sipas burimeve, mësohet se SPAK ka zbuluar marrëdhënie financiare ndërmjet Bashkisë së Tiranës, shoqërisë “One Albania” sh.a. dhe shoqërisë “Gogel” sh.p.k. Në kuadër të këtyre hetimeve janë evidentuar disa lidhje tregtare dhe financiare me disa shoqëri që kanë pasur marrëveshje financiare gjatë viteve 2020–2024. Këto shoqëri kanë përfituar fonde për aktivitete të ndryshme që Bashkia e Tiranës ka organizuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me shoqërinë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, aktualisht i pandehur me 13 akuza.

Nga këqyrja që i është bërë disa dokumentacioneve të sekuestruara nga SPAK, rezulton se për katër vite Bashkia ka dhënë 2.4 milionë euro për aktivitete artistike dhe kulturore, si edhe për sponsorizime.

Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit (Fiskalizimi), rezulton se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., me administrator Erald Simixhiu, i cili rezulton lidhje e afërt familjare e Ajola Xoxës, ka regjistruar një sërë faturash shitjeje gjatë vitit 2024, ndër të cilat përfshihet edhe ajo me një subjekt tregtar, me vlerë 698,285 lekë.

ARBËR VELIAJ NË AVION

Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këto operacione hetimore, “Ora News” ka siguruar pamje të Arbër Veliajt në avionin, sipas burimeve, të linjës Tiranë–Vjenë, ku mendohet se ndodhen edhe zyrat e bizneseve të tij.

Fotot janë të ditëve të fundit, por ajo që mbetet e paqartë nga të njëjtat burime është nëse bileta e prerë nga Arbër Veliaj është vetëm me “vajtje”, apo me “vajtje–ardhje”.

About Redaksia

Check Also

Imuniteti i Ballukut/ Berisha: Rama po bën çdo gjë për të mos e kaluar në parlament!

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi përpjekjet e Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun, …