Rama po fundoset brënda makutërisë dhe sektit të tij!

Nga Bujar Leskaj

Sot problemi kryesor për vendin është korrupsioni i thellë dhe galopant, që Rama e ngriti në sistem. Eshtë një korrupsion endemik, që ka shkatërruar institucionet dhe Shtetin.

Problemi i tij sot është makuteria e brendshme, nga sekti që drejton dhe e ka ndërtuar vetë: një rreth i mbyllur pushteti, një sekt politik dhe ekonomik që ushqehet nga privilegjet, arroganca dhe pandëshkueshmëria.

Drejtuesit kryesorë të këtij sekti, sot ose janë prapa hekurave, ose në arrati, ose po i shohin hekurat e burgut shumë pranë vetes.

I. Nga parti politike në sekt pushteti

Partia Socialiste nuk ekziston më. Sot është një ngrehinë që i janë hequr të gjitha tullat dhe ka ngelur një skelet i errët. Ka ngelur Rilindja, e cila nuk funksionon si parti politike me debat, ide dhe korrigjim të gabimeve. PS është shndërruar në një sekt besnikërie personale ndaj Ramës, ku kriteri kryesor nuk është aftësia apo përgjegjësia publike, por bindja absolute ndaj liderit dhe aksesit në burime. Ky model prodhon vetëm një gjë: izolim nga realiteti dhe përshkallëzim të gabimeve.

Flasim për PS përpara Ramës, në kohën e pluralizmit. Se përpara viteve 90-të, nga 1944- 1990, nena e Partisë Socialiste, Partia e Punes, me diktatorët Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, i ka borxhe të pafundme Shqipërisë dhe popullit shqiptar, me krimet e kryera ndaj Shqipërisë (por kjo nuk është temë në këtë shkrim).

Me sektin Rama që e ka mbërthyer për gryke, Partia Socialiste ka kaluar në këto 13 vite një transformim të thellë, i cili nuk lidhet më me ideologjinë, programin apo debatet e brendshme politike, por me mënyrën se si e ushtron dhe e riprodhon pushtetin. Nga një parti politike klasike, me struktura, mendim kritik dhe identitet ideor, PS është shndërruar gradualisht në një sekt pushteti, të ndërtuar mbi besnikëri personale, kontroll vertikal dhe përfitim nga burimet shtetërore.

Ka kaluar nga pluralizëm i brendshëm partiak, në bindje absolute. Në të shkuarën, PS ka qenë një parti me rryma, me debate dhe me figura që artikulonin mendime të ndryshme. Sot, çdo formë mendimi kritik është përjashtuar ose neutralizuar. Vendimmarrja nuk kalon më përmes forumeve partiake, por përqendrohet në një rreth shumë të ngushtë drejtues. Kush nuk përshtatet me vijën zyrtare, etiketohet si problematik, tradhtar ose i panevojshëm.

Kjo është një shenjë klasike e shndërrimit nga parti në sekt. Në sekt, besnikëria vlen më shumë se ideja. Pushteti shihet v etëm si identitet politik.

PS nuk e përkufizon më veten përmes së majtës, drejtësisë sociale apo shtetit social. Identiteti i saj kryesor sot është pushteti vetë. Qëndrimi në pushtet është kthyer në qëllim absolut, ndërsa çdo mjet për ta ruajtur atë justifikohet politikisht, moralisht dhe propagandistikisht.

Kur një parti jeton vetëm për pushtetin, ajo humb lidhjen me shoqërinë dhe shndërrohet në mekanizëm administrimi interesash ekonomike.

II. Rama po fundoset nga sekti që krijoi vetë

Pushteti i gjatë 13 vjeçar ka krijuar një simbiozë të fortë mes partisë, shtetit dhe një rrethi të ngushtë interesash ekonomike, të përfaqësuar nga oligarkë të afërt me Ramën.

Koncesionet, PPP-të, tenderët dhe emërimet nuk funksionojnë më si politika publike, por si instrumente për të ushqyer besnikërinë dhe për të mbajtur të bashkuar “sektin” e pushtetit. Ky rreth nuk ka nevojë për konkurrencë reale, transparencë apo meritokraci. Ai funksionon mbi përjashtimin dhe privilegjin.

Në mungesë të debatit të brendshëm dhe ideve të reja, sekti Rama ka zëvendësuar politikën me propagandën. Komunikimi publik është i centralizuar, i kontrolluar dhe shpesh cinik. Kritika nuk trajtohet si sinjal korrigjimi, por si sulm armiqësor ndaj sektit. Në këtë model, qytetari nuk shihet si votues i lirë, por si objekt manipulimi, përmes komunikimit.

Sektet e pushtetit kanë histori të ngjashme. Ato gjithmonë konsumohen nga brenda. Mungesa e kontrollit të brendshëm, e frikës nga humbja e pushtetit dhe e pandëshkueshmërisë, prodhon arrogancë, abuzim dhe shkëputje nga realiteti. Institucionet dobësohen, ligji relativizohet dhe shteti kthehet në vegël të interesave të sektit dhe, në rradhë të parë, Ramës.

Shndërrimi i PS në sekt pushteti nuk është vetëm problem i kësaj force politike. Është problem i demokracisë shqiptare dhe i vetë qytetarëve shqiptarë. Vendi po boshatiset frikshëm. Sekti në pushtet ka mbytur konkurrencën politike dhe ekonomike, ka demoralizuar shoqërinë dhe e ka bërë rotacionin politik gjithnjë e më të vështirë.

Historia politike tregon se partitë që shndërrohen në sekte pushteti nuk reformohen dot. Ato nuk ndryshojnë nga brenda, por konsumohen gradualisht nga lakmia, frika dhe izolimi. Kjo gjë po i ndodh Ramës dhe sektit të tij sot. Në politikë, pushteti pa ide dhe pa korrigjim nuk forcon partinë, por e shkatërron atë nga brenda.

III. Makuteria si mënyrë qeverisjeje

Pushteti i gjatë ka krijuar një kulturë grabitjeje të sofistikuar: koncesione, PPP, klientelizëm, shpërndarje privilegjesh për një grusht njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me Ramën dhe sektin e tij.

Ky sistem nuk ka më nevojë për zhvillim ekonomik real apo mirëqenie qytetare; ai jeton nga rishpërndarja e parasë publike brenda rrethit të ngushtë të pushtetit.

Por makuteria ka një ligj të hekurt: ha veten nga brenda. Sa më shumë pushtet dhe para përqendrohen në pak duar, aq më shumë shtohet konflikti, frika dhe lufta e brendshme për mbijetesë politike dhe ekonomike.

Edi Rama sot duket gjithnjë e më i shkëputur nga realiteti social. Flet me ironi, me sarkazëm, me cinizëm, sepse nuk ka më përgjigje politike. Kur pushteti nuk ka më ide, përdor talljen; kur nuk ka më argumente, përdor propagandën; kur nuk ka më besim, përdor frikën.

Por propaganda nuk mbulon dot rritjen e kostos së jetesës, lodhjen qytetare, ikjen masive të të rinjve dhe ndjesinë e thellë të padrejtësisë në vend.

IV. Sektet bien së pari nga brenda

Që të rrëzohen këto lloj sekte nga pushteti, duhet që Opozita të vazhdojë fort denoncimin , paraqitjen e alternativës së saj dhe t’i prijë, nga organizimi e deri në fund protestës, revoltës popullore.

Partia Demokratike, Kryetari Berisha, grupi parlamentar dhe forumet e PD-së po përpiqen maksimalisht ta realizojnë këtë detyrë, që është edhe mision historik për vendin: rrëzimi i kastës, sektit në fuqi. Ky aksion duhet të vazhdojë pa ndërprerje, pa pushim, deri në largimin e sektit grabitës Rama nga pushteti. Sado i kalbur që është, ky sekt nuk rrëzohet vetë. Kjo kërkon protesta të fuqishme dhe revoltë kombëtare, të drejtuar nga opozita.

Kjo është faza ku ndodhet sot pushteti i Ramës: i fortë në dukje, por i brishtë nga brenda; arrogant në retorikë, por i pasigurt në substancë.

Fundi i Ramës po vjen me konsumim. Makuteria nuk prodhon stabilitet afatgjatë. Ajo prodhon vetëm konsumim moral, politik dhe institucional. Dhe kur ky konsumim arrin kulmin, pushteti nuk bie me spektakël, por me rrëshqitje të ngadaltë, me humbje legjitimiteti dhe me largim të heshtur të mbështetjes shoqërore. Edi Ramën sot nuk po e zë brenda makuteria që krijoi vetë dhe sekti i pushtetit që ushqeu për 13 vite me radhë.

xxx

Protesta e sotme kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike është sinjali më i qartë i fundit të afërt të pushtetit të Ramës. Sot nuk do të jetë thjesht protestë. Sot do të jetë revoltë popullore. Ky pushtet sekti sot praktikisht ka rënë, i fundosur dhe i konsumuar tërësisht në këto 13 vite nga makutëria, korrupsioni, abuzimet, vjedhjet dhe shpërdorimet pa fre me taksat dhe pasurinë e shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Hajduti që ankohet pse nuk po e lenë të vjedhë!

Nga Ilir LEVONJA Kur u thua shiptarëve që Edi Rama, gruaja e tij, baxhanaku, po …