Kryetari i PD, Sali Berisha, duke folur në protestën kombëtare, akuzoi Edi Ramën për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë elektorale, kapjen e institucioneve dhe instalimin e asaj që ai e cilësoi si ‘narkodiktaturë’.
Berisha deklaroi se, pavarësisht represionit politik, censurës mediatike dhe presionit ndaj opozitës, Partia Demokratike dhe qytetarët opozitarë janë ‘më të vendosur se kurrë’ për të përmbysur regjimin aktual dhe për të rikthyer pluralizmin politik në Shqipëri.
Berisha: Të dashur miq, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës.
Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë.
Miq, rrallë ndonjëherë ka vendosur, vetëm në disa vende të Afrikës, që qeveritarët të bëhen multi-miliarderë dhe miliarderë dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre.
Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët.
Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës.
Të gjitha duke besuar se Shqipëria pa opozitë është projekt që do e realizojë së shpejti.
Po ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbytëm etërit e tij 35 vjet më parë.
Gazeta RD