Si u ndërtua Televizioni i Carlo Bollinos me fondet e AKSHI-t

Rezulton e provuar tashmë se Carlo Bollino, ish-ministrja e Financave Anila Denaj, drejtues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe vetë Kryeministri Edi Rama, kanë vepruar në paligjshmëri, duke grabitur një pronë shtetërore. Një pronë e grabitur, dokumente të falsifikuara dhe para të munguar në arkën e shtetit.

Por paligjshmëria nuk u mjaftua me kaq. E gjithë godina e Carlo Bollinos, ndonëse është deklaruar se u ndërtua me hua bankare, dyshohet se në fakt u ndërtua me para publike. Por jo vetëm pasuri publike dhe para nga Belinda Balluku, Plug ka denoncuar më herët se Carlo Bollino ka marrë para edhe nga “kopshti privat i Edi Ramës”, duke përdorur një tjetër personazh, kompanitë e shtetasit Igli Gjelishti.

Rezulton gjithashtu se Bollino ka përfituar nga koncesione si Bunkart 1 dhe Bunkart 2, si dhe, e provuar me fatura dhe dokumente, ka përfituar miliona lekë nga skandali korruptiv i Inceneratorëve.

MTSC, kompania që zotëron Report TV dhe Shqiptarja.com, është pronare edhe e një kompanie tjetër, C-7 Integrated System. Kjo kompani u krijua në vitin 2018, një vit pasi Carlo Bollino mori në zotërim MTSC shpk.

Sipas Open Data Albania, kompania C-7 Integrated System, me pronar përfitues Carlo Bollinon, vetëm një vit pas themelimit ka pasur një fitim para tatimit prej rreth 78 milionë lekësh, apo rreth 770 mijë euro. Fitimi u realizua pikërisht në vitin 2019, një vit pasi kompania u themelua nga MTSC shpk. Në vitin 2020, kompania e Carlo Bollinos, C-7 Integrated System, ka pasur një fitim para tatimit prej rreth 14 milionë lekësh, apo rreth 140 mijë euro.

Rama i bleu 2.9 mln euro tokën Naureda Llagamit, që t’ia falte Carlo Bollinos C-7 Integrated System rezulton gjithashtu se ka si adresë godinën e Report Televizion, pra ish-repartin e orëve në ish-uzinën mekanike në Tiranë. Por le të ndalemi pak te aktiviteti i kësaj kompanie. Emisioni “Plug” u mundua të analizojë bilancet kontabël të C-7 Integrated System për vitin 2021 dhe 2022, por ishte e pamundur, pasi kompania nuk i ka dorëzuar balancet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ashtu siç kërkon ligji.

Megjithatë, Plug analizoi bilancet e MTSC shpk, e cila gjatë viteve 2020, 2021 dhe 2022 ka marrë të ardhura në formë dividenti nga C-7 Integrated System. Konkretisht:

Viti 2020: 10,000,000 Lekë

Viti 2021: 73,861,676 Lekë

Viti 2022: 61,674,854 Lekë

TOTALI: 145,536,530 Lekë (~1.4 milionë euro)

Këto të ardhura C-7 Integrated System i ka siguruar nëpërmjet kompanisë IMAGE Communications DEVELOPMENT, pronë e Igli Gjelishtit. Ky i fundit ka marrë nga qeveria mbi 1.2 miliardë lekë tendera gjatë periudhës 2019–2023, nga institucione si AKSHI, Drejtoria e Tatimeve, Bashkia Tiranë etj. Një pjesë e këtyre parave ka shkuar për kompaninë e Carlo Bollinos.

Në vitin e parë të operimit, C-7 ka pasur fitim 770 milionë dollarë, ndërkohë që kompania e Igli Gjelishtit deklaronte si pagesë nënkontraktori 1.39 milion dollarë. Pikëpyetjet mbi lidhjet financiare mbeten të forta.

Nga analiza e bilanceve të publikuara në QKB kuptohet qartësisht se investimi prej 265 milionë lekësh për ndërtimin e Report TV është kryer më shumë se 50% me para publike. Kjo fakton se Qeveria Shqiptare, e drejtuar nga Edi Rama, jo vetëm ka kryer shkelje të rënda ligjore për t’ia kaluar në favor Carlo Bollinos pronën publike, por gjithashtu ka dhënë para për ndërtimin e këtij televizioni, fakt i pranuar edhe nga Igli Gjelishti në një dalje publike:

Igli Gjelishti

“Endri, sic ta thashë pardje, s’do gjesh asnjëherë prapa meje njerëz me konflikt interesi, me të shkuar kriminale apo që kanë vrarë për t’u pasuruar. Se me kë bashkëpunoj unë, për sa kohë nuk shkel asnjë ligj, është në të drejtën time. Nëse provon ndonjë nga të mësipërmet, ose që paratë e mia në fund shkojnë në xhepin e ndonjë pushtetari, shkojmë bashkë në Prokurori. Deri atëherë, mirë do ishte të kishe thënë ndonjë fjale për ato 6 gënjeshtrat që të faktova pardje (përpara se avokatët e mi të përfundojnë së përpiluar padinë). Për dy pyetjet mos u mundo se do përpiqem t’i gjej vetë përgjigjet.”

Përgjigjej Igli Gjelishti për ish deputetin Endri Hasa në vitin 2020.

Para këto të përfituara nga një kompani satelit në pronësi të Carlo Bollino e cila me nje staf të limituar ka mundur të jap “shërbim” për të përfituar miliona euro.

Këto detaje tashmë janë në SPAK dhe janë denoncuar nga kreu i grupit të ekspertëve në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi, dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, gjatë publikimit të kallëzimit të parë penal për Carlo Bollinon.

Mirëpo, nëse i referohemi bilanceve kontabël, që kompania MTSC ka regjistruar në QKB, del qartë se investimi për ndërtimin e godinës, është futur te aktivet e bilancit kontabël. Siç shihet nga pasqyra financiare të vitit 2020, ku raporton 45 milion lekë dhe në vitin 2022 raporton në aktivet afatgjata vlerën e 265 milion lekëve, apo rreth 2.5 milionë eurove, janë futur në aktiv për ndërtimin e zyrave të reja. Ku rreth 145 milionë lekë apo 1.4 milionë euro janë përfituar nga paratë publike nëpërmjet kompanisë C-7 Integrated System, që ka marrë para nga fonde publike nëpërmjet kompanisë së Igli Gjelishtit. Por çfarë thotë Standardi Kombëtar i Kontabilitetit, i cili tregon se çfarë regjistrohet në aktiv?! Sipas këtij standardi, në aktiv njësia ekonomik njeh koston e një zëri të aktivit, të AAM-ve, si një aktiv nëse dhe vetëm nëse: aktivi kontrollohet nga njësia ekonomike, është e mundur që nga përdorimi i aktivit do të hyjën në njësinë ekonomike përfitime të ardhshme ekonomike etj.

Pra, Carlo Bollino ka përdorur paratë publike për ndërtimin e një televizioni që veç propagandës qeveritare, shërben edhe si strehë për të gjitha bizneset e tij dhe bashkëshortes. Kompanitë MTSC, C-7, FPM etj. janë të regjistruara me adresë në Report TV, duke përdorur ambientet për qira dhe përdorim nga kompanitë e tjera.

Mirëpo, a është e lejuar një gjë e tillë? Ja çfarë parashikon kontrata e qerasë mes shtetit dhe Carlo Bollinos për këtë pronë. Në pikën 5.16 të kontratës, shkruhet qartë se “Qiramarrësit” nuk i lejohet që në pronën e dhënë me qira ta jap me nën qira ose t’ja kalojë kontratën një tjetri. Pra, i mbetet

SPAK të interpretojë juridikisht, se çfarë dokumentesh kanë përdorur kompanitë e tjera të Carlo Bollinos dhe bashkëshortes së tij, për të regjistruar në godinën e Report Tv, kompanitë e tyre.

Ku ka skandale korruptive, del i përfshirë edhe emri i Carlo Bollinos. Kohë më parë, u faktua me prova se biznesmeni italian, nëpërmjet kompanisë së tij mediatike, merrte fonde nga kompania e Inceneratorit të Tiranës, e cilësuar si “afera e shekullit”. Në atë kohë u publikuan edhe faturat që vërtetonin se Carlo Bollino merrte para nga kjo kompani.

Javët e fundit të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, publikoi disa dokumente që vërtetonin pagesat nga Klodian Zoto për Bollinon, ndërsa ky i fundit në mediat e tij kishte nisur një fushatë sulmesh ndaj Këllicit, i cili garonte përballë Veliajt.

Në denoncimin e tij, Këlliçi tregoi me fatura se Carlo Bollino kishte marrë 10,600 euro nga Inceneratori i Tiranës. Bashkë me këto fatura ishin edhe komunikimet ku Bollino kërkonte buxhet shtesë për fushatën elektorale në pranverën e vitit 2021 dhe për këtë pagesë merrte konfirmimin e Klodian Zotos. Kjo faturë rezulton se është lëshuar më 14 prill 2021 dhe përfshin buxhetin shtesë që Bollino, si pronar medie, kishte kërkuar nga Inceneratori i Tiranës.

Fakti i dytë është se në e-mail thuhet se, për shkak të zgjedhjeve, fatura është “fryrë”. Pra, përveç argumentit që Carlo Bollino është paguar nga Inceneratorët, këto pagesa përdoren edhe si propagandë politike. U konfirmua se Klodian Zoto jepte “Okej” për të kryer pagesa për mediat në lidhje me faturat e lëshuara nga Inceneratori i Tiranës.

Së pari, e-maili niset nga “julia.muca@consultindse.al”, punonjëse e Stela Gugalles (e përfshirë drejtpërdrejt tek Inceneratorët). Së dyti, e-maili i është dërguar për dijeni, ose thënë ndryshe, është vënë në CC “denisa.tollkuci@zotoconsulting.com”, administratore e kompanisë së Klodian Zotos, dhe më pas edhe pronare 30%.

Pra, me faturat dhe komunikimet mes tyre tregohet qartë se si, nga milionat e korrupsionit tek Inceneratorët, janë blerë shërbime nga Carlo Bollino dhe të tjera media që bëjnë propagandën proqeveritare dhe mbulojnë aferat e qeverisë, duke inskenuar sulme ndaj opozitës.

Por jo vetëm kaq. Carlo Bollino rezulton të jetë përfitues i fondeve miliona lekë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku gjithashtu është faktuar se skandalet korruptive të koncesioneve vodhën paratë e të sëmurëve. Ndërsa të sëmurët me kancer vuanin në dyert e Onkologjikut, Carlo Bollino, nëpërmjet fushatave të tij promovuese, kujdesej t’u ofronte shqiptarëve një tjetër realitet, e madje nuk nguronte të shfaqej krah kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit Ilir Beqja.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës dhe miqësia familjare me Erion Veliajn e shndërruan Carlon në një prej përfituesve më të mëdhenj të fondeve nga kjo bashki. Ai rezulton një prej përfituesve të parë të politikave të Edi Ramës me koncesionet.

Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 janë koncesione me të cilat Carlo Bollino arrin të thithë çdo vit fonde milionëshe nga Buxheti i Shtetit dhe institucione të tjera, pa përllogaritur këtu fitimet nga pagesa e biletave të vizitorëve. Në faqen zyrtare të Bunk’Art jepen detaje për këtë projekt: ideator dhe kurator i përgjithshëm i projektit është gazetari italian Carlo Bollino, ndërsa stafi i kërkimeve historike udhëhiqet nga gazetarja Admirina Peçi. Projekti Bunk’Art është mbështetur nga OJF-ja shqiptare “Qendra Ura”.

Opozita ka denoncuar publikisht dhe ka ngritur akuzat se fondet për administrimin e ish-bunkereve të diktaturës iu dhanë kompanisë private të kontrolluar nga Carlo Bollino, pa garë dhe në mënyrë të padrejtë. Fatkeqësisht, nuk duket të jetë kryer asnjë hetim serioz deri më tani për të përcaktuar si janë akorduar këto pasuri publike një shtetasi që pretendon se merret me media dhe gazetari.

Për të kryer këto përfitime, Carlo Bollino ka përdorur një rrjet OJF-shë dhe prestanome, që në final çdo qindarkë e kalonin në llogarinë e tij. Projekti i Bunk’Art u përfitua nga “Qendra për Studime Sociale dhe Ligjore”, drejtuar nga shtetasi Ergys Gezka. Kjo OJF, edhe pse pa asnjë lidhje me kulturën, përfitoi këtë projekt, i cili në çdo detaj do të kurohej nga Carlo Bollino.

Në vitin 2014, kjo OJF ka përfituar afro 12 milionë lekë të reja. Pa tender dhe pa garë, kjo kontratë iu dha për më tepër një OJF-je që, nga verifikimet e mëpasshme, rezultoi fantazmë, pasi nuk ishte regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku regjistrohen shoqatat jofitimprurëse.

Për thithjen e fondeve të tjera dhe për justifikimin e shpenzimeve, Carlo Bollino ka përdorur edhe kompani të tjera, ku një prej tyre është Spazio Eventi Albania, e regjistruar në emër të personave që punësohen nga Bollino në kompaninë e tij mediatike. Spazio Eventi Albania, bashkë me Bunk’Art-in e Bollinos, rezultojnë përfitues të miliona lekëve të akorduara nga fondi 940 mijë eurove, që qeveria akordoi me VKM në vitin 2014 për përgatitjet e festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit. Në të njëjtin vit, Spazio Eventi Albania deklaron të ardhura në vlerën 17,808,920 lekë.

Në auditimin e kryer nga KLSH në Ministrinë e Kulturës, i gjithë projekti i Bunk’Art rezulton me shkelje të rënda që nga lidhja e kontratës dhe pagesat milionëshe që vijuan më pas, dhe për këtë KLSH ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm nga Shërbimi Civil të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës, znj. Elira Kokona.

Në vitin 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar fondet e dhëna nga Ministria e Kulturës dhe, konkretisht për Bunk’Art, rezultojnë shkelje të rënda të kontratës fillestare me OJF-në “Qendra për Studime Sociale dhe Ligjore”. KLSH ka konstatuar shkelje të rënda të procedurës për dhënien e fondeve, për një OJF që nuk rezulton e regjistruar dhe që sot, nga sa shihet nga transaksionet e thesarit, pagesat për Bunk’Art i kalojnë një tjetër OJF-je, po në administrim të Ergys Gezkas.

Organizata jofitimprurëse “Qendra Ura”, që gjithashtu administrohet nëpërmjet prestanomeve nga Carlo Bollino, ka përfituar fonde abuzive: për vitet 2015–2018, 39 pagesa nga thesari në vlerën 21,878,720 lekë, nga të cilat rreth 15,000,000 lekë nga Bashkia e Tiranës për projekte dhe pjesa tjetër nga biletat për vizita në Bunk’Art nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata e Lartë, Ministria e Mbrojtjes etj.

Për vitet 2019–2025, nga thesari në vlerën 15 milionë lekë të reja, pagesat më të mëdha i ka marrë sërish nga Bashkia e Tiranës, AMSHC dhe pagesa për biletari në Bunk’Art.

Për thithjen e fondeve për aktivitete të ndryshme kulturore, bashkëpunëtori i Carlo Bollinos, Ergys Gezka, rezulton administrator i disa kompanive dhe shoqatave të ndryshme, si “Liburnetik”, që përfitonte fonde nga Bashkia e Tiranës për evente të ndryshme, Qendra “U R A”, që merr projektet e Bunk’Art, si dhe disa OJF dhe kompani të lidhura me ta, që për objekt kryesor kanë thithjen e fondeve shtetërore.

Pra, siç u pa, Carlo Bollino, një shtetas italian, vjen në Shqipëri si gazetar dhe shndërrohet në biznesmenin më të suksesshëm përfitues të fondeve shtetërore. Ndodh skandali i vjedhjes së fondeve, del në skenë Carlo Bollino. Ndodh skandali korruptiv i AKSH-it, del në skenë Carlo Bollino. Ndodh skandali korruptiv i Inceneratorit, del sërish emri i Carlo Bollinos.

Ndërsa shqiptarët duhet të punojnë me vite për të blerë një banesë, Carlo Bollino merr nga Rama bunkerët e ish-diktaturës, merr fonde dhe i kthen në biznes. Merr tokë shtetërore, merr pagesa nga taksapaguesit shqiptar dhe ndërton televizion për të bërë propagandë për Edi Ramën. Themelon OJF dhe merr fonde për të mbuluar zhvatjen e koncesioneve në QSUT. Themelon kompani nga hici, lidh kontrata dhe përfiton lekë nga AKSHI apo nga Inceneratorët.

Në fund, me këto para ngre një media që tregon shqiptarëve se të këqijtë në këtë histori janë të tjerët dhe opozita që i denoncon, e jo ai dhe Edi Rama, që çdo ditë të pushtetit gllabërojnë pronat dhe paratë e taksapaguesve. Ky emision duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi jo vetëm për çdo shqiptar, por edhe për SPAK, që t’i thonë “STOP” vjedhjes, qoftë edhe në emër të medias.

/Emisioni PLUG

About Redaksia

Check Also

“Al Jazeera” jehonë revoltës/ Kërkohet largimi i Ramës pas akuzave për korrupsion

Media e fuqishme ndërkombëtare më e madhja në Azi, “Al Jazeera” i ka kushtuar vëmendje …