Andi Mustafaj: Një rrugëtim që provoi se politika mund të bëhet ndryshe!

Sot kam detyrën t’ju flas për bilancin e tre viteve të fundit të Departamentit. Sigurisht, në këto pak minuta, një bilanc shterues është i pamundur. Por ajo që është e mundur është të identifikoj disa elemente që, sipas meje, përfaqësojnë atë që kemi ndërtuar, me shpresën që të dëgjohen dhe të përqafohen nga sa më shumë demokratë në veprimtarinë e tyre politike.

“Një hapësirë për çdo demokrat” u gjend në zanafillë të filozofisë sonë, duke mundësuar, si asnjëherë më parë në politikën shqiptare, jo vetëm që gjithsecili të angazhohet në veprimtarinë e Partisë Demokratike nga vendi ku jeton, brenda një strukture të vetme, por edhe që secili të angazhohet sipas profilit të vet, duke thyer kështu dogmën e protestës si i vetmi mjet për të vepruar kundër regjimit.

Nëpërmjet organizimit në projekte mundësuam që koha që një anëtar jep të jetë sa më impaktuese. Projekti, për shkak se ka një fillim dhe një fund të qartë e të vlerësueshëm, mundëson që anëtarët të jenë aktivë në momente të ndryshme, duke plotësuar njëri-tjetrin dhe duke mbajtur një aktivitet intensiv në një kohë të gjatë.

“Asgjë nuk bëhet në Shqipëri. Asgjë nuk ndryshon.” Këtë shprehje e kemi dëgjuar sa e sa herë në përgjithësi, por ne, si departament, e kemi dëgjuar edhe më shpesh. Pakkush besonte se njerëz të shpërndarë në katër cepat e botës do të prodhonin diçka. “Shumë e ndërlikuar”, “shumë ego për t’u menaxhuar”, “askush nuk do t’ju japë hapësirë”. Na shihnin me një buzëqeshje tallëse; në fillim na trajtonin si fëmijë.

Këtë qasje defetiste ne nuk e pranuam në asnjë moment dhe, si të tillë, treguam shembullin që duhet ndjekur duke marrë fatin tonë në dorë. Çdo projekt u miratua nga Kryetari i Partisë. Ja që gjërat bëhen. Dhe u bënë.

“Forca e grupit” është një krenari e veçantë për mua. Ne u njohëm në hapësirën publike si “Brain Gain”, pra si grupim. Këtë e bëmë sepse askush nuk e vendosi strukturën në shërbim të vet personal, por në shërbim të ëndrrës sonë të përbashkët.

Përballë kaosit, ne treguam rrugën, për ata që duan të shohin. Ne kryem detyrën që na ishte caktuar. Provuam se, duke bashkëpunuar, prodhojmë më shumë për Partinë, për demokratët dhe për vendin.

“Mos humb kohë me gjërat që nuk i ndryshon dot vetë.” Sa kohë harxhohet në politikën shqiptare duke u treguar të tjerëve se ç’duhet të bëjnë? Departamenti Brain Gain vendosi si standard që të merrej vetëm me gjërat që mund të ndryshoheshin dhe vetëm atëherë kur mund t’i ndryshonim vetë. Nuk harxhuam kështu energji duke u marrë me çështje që nuk ishin në dorën tonë ose që ishin kompetencë e të tjerëve.

“Pasuroni ose shtoni, mos përsëritni apo zëvendësoni.” Ishte faqja tjetër e kësaj monedhe. Koha është gjëja më e vlefshme që ne i japim një partie, sepse është e vetmja gjë që nuk e marrim dot mbrapsht. Shëndeti edhe kthehet; leku po e po. Koha asnjëherë. Ndaj ajo duhet vlerësuar dhe përdorur për të sjellë vlerë të shtuar, jo përsëritje apo zëvendësime.

Sigurisht, dëshira ishte, është dhe do të jetë e madhe që të bëjmë më shumë, që të merremi me gjërat që të tjerë i bëjnë keq ose që nuk i bëjnë fare. Është prirje natyrore e njeriut, por është thelbësore që sot profesionalizimi, ndarja dhe respektimi i detyrave, besimi te tjetri, të rrënjosen në organizimin e Partisë Demokratike. Secili duhet të bëjë pak; secili duhet të bëjë detyrën e vet.

“Kush propozon, realizon” është parimi që mundëson rritjen e përgjegjësisë së anëtarëve, njohjen e punës së tyre dhe marrjen e meritës politike. Duke fuqizuar individin, fuqizohet grupimi dhe, në fund, fuqizohet vetë partia. Si strukturë, ne jemi ata që kanë më shumë figura të ndryshme.

“Mos u merrni me njerëz, por me parime.” Asgjë nuk është e mundur pa njerëzit, por asgjë nuk është e qëndrueshme pa institucionet, thoshte Jean Monnet. Këtë u përpoqëm të bënim: të ndërtonim gjëra që të na mbijetojnë.

“Mos iu përgjigjuni sulmeve.” Vetëm Zoti e di sa sulme të padrejta kemi marrë, në shumicë prej tyre nga brenda vetë Partisë Demokratike. Tundimi për t’u përgjigjur ka qenë i madh, por kemi rezistuar dhe kjo është në nderin e gjithë anëtarëve të Departamentit. Asnjë konflikt nuk është ushqyer prej nesh; asnjë demokrat nuk është sulmuar prej nesh, edhe kur ata e meritonin.

Është jetësore të dalim nga cikli i urrejtjes brenda të cilit i gjithë vendi ynë ka rënë. Kjo bëhet duke lëshuar rrugë, duke treguar rrugë, duke ecur vetë në ato rrugë. Kjo bëhet duke krijuar ritmin që duhet ndjekur.

“Politika është dinamikë dhe ritëm.” Nuk duhet të pësojmë ritmin e të tjerëve, sepse na bën ndjekës. Kjo do të thotë, në mënyrë paradoksale, se jo të gjitha betejat duhen bërë. Vetëm duke krijuar ritëm dhe dinamikë të vetën, kundërshtari del nga llogorja e vet dhe bëhet i cenueshëm. Këtë jemi munduar të bëjmë duke krijuar dinamika pozitive, optimiste, ndërtuese për Partinë Demokratike.

“Lidhja midis brezave” është fryma që na ka ndjekur në çdo hap. Kemi lartësuar rëndësinë e kujtesës në formësimin e identitetit politik që kemi, por edhe që çdo demokrat duhet të ketë. Luftuam kundër ndarjes artificiale që synon përballjen midis të rinjve dhe të vjetërve. Në kulturën tonë, në traditën tonë, të rinj dhe të vjetër ecin bashkë.

Ne nuk jemi pasardhës të atyre që fshijnë çdo herë të kaluarën duke mohuar paraardhësit e tyre. Provuam se jemi të fortë duke përqafuar historinë tonë, i vetmi ilaç ky kundër propagandës së pandalshme të regjimit.

“Nuk jeni vetëm sa të ketë qoftë edhe një demokrat.” Kur u ngujuam pas arrestimit të Kryetarit të Opozitës, askush nuk erdhi, por të nesërmen erdhën shumë dhe filloi protesta 333-ditore. Shumë nuk kanë qejf ta dëgjojnë këtë dhe ne, me një modesti të tepruar, nuk e kemi vendosur në plan të parë, por sot ndjej nevojën ta kujtoj.

Asgjë e keqe nuk i ka ardhur Partisë Demokratike nga Departamenti Brain Gain: asnjë i shitur, asnjë polemist, asnjë dëm, asnjë skandal, asnjë konflikt. Asnjë post përtej Departamentit nuk morrëm. Është diçka e rëndësishme kjo.

Pavarësisht kësaj, ja ku jemi sot: përsëri në krye të detyrës sonë, në krah të Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Sali Berisha. Sprova që kaluam na mundësoi të tregojmë forcën e idealit që na bashkon, forcën e dinjitetit që na karakterizon.

Libri i Punëve të Mira të PD, Në kërkim të simboleve, Vera e Ideve, Shekulli Shqiptar, Libri i Zi i Rilindjes, Selia e PD përtej politikës, Ne mundim, ata thyhen, Korridori i Kujtesës, turi kombëtar me ish-të përndjekurit, podkasti Zërat, Akademia Brain Gain, Laboratori i Ideve, Laboratori i Sukseseve në Mirditë, ngujimi te Selia, “Kërko ndihmë, prano ndihmë”, e sa e sa projekte, fjalime, artikuj, protesta të tjera, janë trashëgimia formale që departamenti ka.

Por ajo që ka më shumë vlerë, dhe shpresoj të shihet, janë parimet, modeli, simboli që jetësojmë. Të nderuar anëtarë të Departamentit, shpresoj që rrugëtimi ynë t’ju bëjë krenarë. Ishte një nder i madh të drejtoja punën tuaj. Tani ju bashkohem si anëtar i thjeshtë për të ndihmuar Tedin, të cilit i uroj shumë suksese, që ta çojë më lart departamentin.

I nderuar zoti Berisha, departamenti, i kufizuar brenda vetes, ka arritur kufijtë e asaj që mund të prodhojë. Ju takon juve tashmë të vendosni nëse modeli Brain Gain është një model që dëshironi ta shihni të përsëritur në qelizat e tjera të Partisë Demokratike.

About Redaksia

Check Also

Hetimet politike ndaj liderit të opozitës/ Malltezi boton librin: 35 falsifikime nga prokurorët me fakte dhe foto…

Drejtuesi i Departamentit të mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi ka publikuar së fundmi një …