Nga Luçiano BOÇI
Rama, i lodhur nga realiteti plot përmbytje uji nga shiu e përmbytje korrupsioni nga vetja, ka dalë në roaming ndërkombëtar për të kërkuar fajtorë imagjinarë.
Sipas logjikës së tij, nëse bie shi në Bari apo në Athinë dhe nuk del opozita atje për të sharë qeverinë, atëherë problemi na qenka te opozita shqiptare.
Një arsyetim që do ta kish zili çdo nxënës që nuk ka mësuar mësimin dhe fajëson motin.
Ironia këtu nuk është shiu. Ironia është se Rama përpiqet të relativizojë përgjegjësinë duke e shndërruar përmbytjen në fenomen poetiko-global rajonal.
Kërkon të thotë, “mos më kërkoni llogari për Durrësin, se edhe në Itali ka përmbytje”.
Një standard qeverisës, ky sipas të cilit nëse dështojmë, të paktën nuk jemi vetëm dhe që vjen pas standartit “këto bëhen dhe filma në hollivud”.
Dallimi i vogël, që Rama e “harron”, është se në shumicën e këtyre vendeve përmbytjet nuk shoqërohen me korrupsione që i del boja, me miliona të vjedhura për metër linear kanal, me legalizime në shtrat lumi, me hidrovor “budalla”, me leje ndërtimi elektorale, me kanalizime të pambaruara dhe me bashki që zgjohen vetëm kur kamera ndizet.
Po, opozitat “andej” nuk fajësojnë qeveritë e tyre për çdo pikë uji, sepse atje infrastruktura nuk është ndërtuar për Instagram, por për funksion.
Sepse përgjegjësia merret përpara, jo pas përmbytjes.
Sepse nuk u thonë qytetarëve: “Duroni pak, se po bëjmë një postim”.
Problemi nuk është pse opozitat e huaja nuk fajësojnë qeveritë e tyre.
Problemi është pse Rama mendon se tallja zëvendëson përgjegjësinë.
Dhe pse, sa herë bie shi në Shqipëri, qeveria sillet sikur i ka rënë në qafë një komplot klimatik botëror, jo pasojat e keqqeverisjes së vet.
Postimi i Ramës nuk është humor. Është pranim i pavullnetshëm se ai e sheh qeverisjen si narrativë, jo si detyrim.

Gazeta RD