Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur familjarët e tij nga ndjekja penale.
Berisha deklaroi se, Edi Rama është i frikësuar nga dosjet hetimore dhe se emri i kryeministrit shfaqet pas aferave të mëdha si aeroporti i Vlorës, tuneli i Llogarasë dhe tendera të tjerë publikë.
“E vërteta është që Edi Rama është i tmerruar nga dosja e tij.
Në çdo rresht të dosjes Balluku, Edi Rama lexon emrin e tij.
Në çdo rresht të aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogarasë, unazës së Madhe dhe tenderave të tjera, de facto prapa Lubisë është Edi Rama.
Ndaj dhe ai po bën gjithçka që të bllokojë drejtësinë dhe kërkesën e saj.
Ai përdori Gjykatën Kushtetuese në funksion të narko-shtetit, interesave të tij mafioze.
Në një akt të pashembullt, kjo gjykatë mori pushtetet e gjykatave të tjera për masat e sigurisë dhe i hoqi Lubi Ballukut masën e sigurisë duke i krijuar asaj të gjitha mundësitë për falsifikimin, shkatërrimin e dokumenteve që e inkriminojnë atë në çdo orë të aktivitetit të saj.
Po kështu Edi Rama po bën presionin më të madh ndaj prokurorisë për AKSHI-n, për Lindën e AKSHI-t, pas të cilës dihet se qëndron Linda e Surrelit.
Po bën çdo lloj presioni në mënyrë që baxhanaku i tij, Armando Frangu, kunati i floririt i Lindës së Surrelit, të mos shpallet në kërkim si person i akuzuar për krime të rënda.
Të gjitha ndodhitë e AKSHI-t, për të cilin ky tha se kishte respektin maksimal për Lindën e AKSHI-t, Linda e AKSHit ishte për të njeriu i respektit maksimal, pacaka se para syve të saj janë marrë pengje, janë zhdukur qindra e qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptare, që të gjitha në funksion të familjes Rama të Surrelit, që të gjitha pa përjashtim në funksion të Armando Frangut.
Pra, Rama tani nuk ka asnjë interes për asnjë qytetar tjetër në Shqipëri përveç Lindës së tij, Armando Frangut dhe familjes së tij.
Dënoj këto qëndrime me forcën më të madhe u bëj thirrje qytetarëve të angazhohemi për të nxjerrë sa më shpejt Shqipërinë nga kthetrat e këtij klani mafioz të rrezikshëm, aktualisht më i rrezikshmi në Europë dhe ndër më të rrezikshmit në botë”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD