Nga Alba KEPI
Në Shqipëri, fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat civile nuk mungojnë. Ditët e fundit janë dramatike.
Ajo që mungon është vendimmarrja politike për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre: gjendje e situatës së jashtëzakonshme.
Ligji ekziston. Strukturat ekzistojnë. Përgjegjësit paguhen.
Por akti kyç , shpallja formale, shpesh mungon
Ligji nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile” është i qartë: kur një emergjencë tejkalon kapacitetet normale dhe rrezikon seriozisht jetën, pronën dhe funksionimin e shoqërisë, Këshilli i Ministrave duhet të shpallë gjendjen e situatës së jashtëzakonshme.
Kjo shpallje nuk është simbolike. Ajo detyron;
• aktivizon detyrime financiare të shtetit
• krijon të drejtë ligjore për dëmshpërblim
• formalizon përgjegjësinë institucionale
Dhe pikërisht për këtë arsye, shpesh evitohet.
Pse shmanget shpallja?
Arsyeja reale nuk është mungesa e rrezikut, por kostoja politike dhe financiare.
Situata emergjencës së jashtëzakonshme;
• detyron shtetin të dëmshpërblejë qytetarët, sipërmarrësit dhe komunitetet
• kërkon fonde reale, jo deklarata solidariteti
• sjell llogari, auditim dhe përgjegjësi ligjore
Më e lehtë është të quhet një krizë “situatë e vështirë”, “emergjencë lokale” apo “fenomen i përkohshëm”, sesa të pranohet zyrtarisht se shteti ka detyrim financiar ndaj qytetarëve të tij.
Kur nuk shpallet, kush paguan?
Përgjigjja është e thjeshtë: qytetari.
Pa shpallje:
• dëmshpërblimi nuk është detyrim, por “favor”
• ndihma jepet selektivisht
• bizneset mbeten pa garanci ligjore
• komunitetet e prekura mbeten vetëm
Mosshpallja kthen një fatkeqësi publike në problem privat.
Ironia është se Shqipëria ka ndërtuar një zinxhir të plotë strukturash të paguara për emergjencat, të cilat aktivizohen, mblidhen, raportojnë, por shpesh veprojnë pa aktin ligjor që i jep kuptim punës së tyre.
LISTË UNIKE E PËRGJEGJËSVE NË KOHË EMERGJENCE
I paguajnë qytetarët, pensionistët, familjet…
Këto janë institucionet që ligji i ngarkon me përgjegjësi dhe që financohen nga buxheti publik:
1. Drejtuesi Qendror i Operacionit (EMEC)
2. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile
3. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile
4. Prefekti i Qarkut
5. Drejtuesi i Operacionit në nivel Qarku
6. Qendra Operacionale e Emergjencave Civile në Qark
7. Kryetari i Bashkisë
8. Drejtuesi i Operacionit në nivel Bashkie
9. Qendra Operacionale e Emergjencave Civile në Bashki
10. Komisionet e Mbrojtjes Civile (qendror, qark, bashki)
11. Shërbimi Zjarrfikës dhe Shpëtimi
12. Policia e Shtetit
13. Policia Bashkiake
14. Urgjenca Mjekësore Kombëtare
15. Spitalet publike
16. Forcat e Armatosura
17. Ministria e Brendshme
18. Ministria e Mbrojtjes
19. Ministria e Shëndetësisë
20. Strukturat e infrastrukturës kritike
21. Strukturat monitoruese dhe paralajmëruese
22. Administrata publike e aktivizuar me urdhër
23. Strukturat logjistike dhe rezervat shtetërore
Të gjithë këta ekzistojnë. Të gjithë paguhen.
Por pa shpallje, veprojnë në një zonë gri ku përgjegjësia shpërndahet, por nuk mbahet.
Mosshpallja e gjendjes së situatës së jashtëzakonshme nuk është thjesht vendim teknik.
Është zgjedhje politike për të shmangur:
• dëmshpërblimin
• përgjegjësinë
• llogaridhënien
Një shtet që nuk shpall emergjencën kur ajo ekziston realisht, nuk po mbron qytetarët –po mbron buxhetin dhe veten.
Dhe kjo është kriza më e madhe nga të gjitha.
Gazeta RD