Sali BERISHA
Siç jeni njoftuar kjo mbledhje thirret për të diskutuar lidhur me zhvillimet në vend, aksionin opozitar dhe betejën tonë për përmbushjen e misionit të PD-së, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Ne mblidhemi sot në kushtet e një emergjence të vërtetë politike, emergjence të vërtetë natyrore, të gjithanshme.
Siç del, Edi Rama ka hequr çdo maskë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ai de facto ka kryer një grusht shteti, duke marrë pushtetin e parlamentit, bllokuar funksionimin e parlamentit, detyrimin kushtetues të këtij institucioni për të shqyrtuar kërkesat e organeve të drejtësisë për heqjen e imunitetit dhe masa të tjera ndaj personave me imunitet.
Edi Rama ka dëshmuar tashmë para të gjithë shqiptarëve se Belinda Balluku është ai, dhe se Belinda apo Lubia është thjesht një shërbëtore e verbër e tij.
Shqiptarët tashmë e kanë shumë të qartë nga dokumente të pakundërshtueshme që ai përpiqet t’i injorojë se autori i vërtetë i tunelit të Llogarasë, me një kosto de facto 93 milionë euro se sa ç’ishte ofruar, apo me dokumente 50 milionë euro më të madhe se sa ishte oferta e dytë e kompanisë që ndërtoi tunelin.
Shqiptarët e mësuan dhe e morën vesh se ndarja e 13 kilometrave në 14 lote të Unazës së Madhe të Tiranës, në të cilën ka lot në rikonstruktim që ka shkuar deri në 32 milionë euro, është totalisht urdhër dhe diktim i Edi Ramës.
U duk që në fillim, nuk kishte më asnjë diskutim, se Rama do përdorte në mënyrë antikushtetuese të gjitha mjetet për të mbrojtur veten e tij.
Por, siç i thonë asaj fjale që jo çdo e keqe vjen vetëm për të keqe, ky rast shërbeu për të marrë fajësinë publikisht ai me vendimet e tij para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Vetëm një autokrat, një diktator autokrat mund të imagjinojë, mund t’i lejojë vetes veprimet që i lejoi Edi Rama në rastin Balluku, që është faktikisht rasti Rama.
Në historinë e këtij shteti, 35 vitet e fundit, nuk ekziston asnjë rast i vetëm që të jenë refuzuar kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit.
Janë arrestuar kryeministra, janë arrestuar zëvendëskryeministra, janë vënë në ndjekje penale ministra dhe zëvendësministra, por nuk është menduar ndonjëherë që ekzekutivi duhet të bllokojë sistemin e drejtësisë.
Me veprimet e tij, faktikisht ai po asgjëson totalisht këtë sistem në raport me shtetin dhe administratën.
Gjykatën Kushtetuese, siç e patë, e kapi në mënyrë barbare.
I imponoi gjykatës të marrë kompetencat kushtetuese të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
Në asnjë germë, në asnjë nen të legjislacionit shqiptar nuk po parashikohet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë masa sigurie para shqyrtimit të tyre nga sistemi i drejtësisë në tre shkallë. Në asnjë nen.
Ky i imponoi gjykatës të marrë pushtetin e gjykatave të tjera në mënyrën më antikushtetuese.
Gjykata Kushtetuese firmosi licencën për vjedhje, manipulime, falsifikime të tjera të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, ndërkohë që po shqyrton çështjen.
Çfarë çështje do shqyrtojë? Do shqyrtojë çështjen që pezulloi.
Ata e pezulluan masën e sigurimit.
Çfarë fytyre kanë ata të marrin vendim tjetër përveç atij që kanë marrë?
Pra, de facto, duke bllokuar parlamentin dhe duke u imponuar gjykatës një vendim që do nxijë në analet e drejtësisë shqiptare në të gjithë kohërat, Edi Rama ka marrë çdo pushtet dhe nuk pranon zbatimin e drejtësisë.
Tregon se për atë nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka organe drejtësie.
Ai është i të gjitha pushteteve, për më tepër kur e dërgon atë Lubi të diskredituar në shkallë ekstreme për vjedhjet dhe të gjitha sjelljet e saj.
Se nuk është pak, shqiptarët panë se çfarë llumi kanë në qeveri, cila është gjuha e njerëzve që i qeverisin ata.
E cila është shumë më keq se gjuhë rruge. Kryeministri me zëvendësin, me drejtorë e të tjerë me radhë.
Dhe këtë e merr dhe e çon tek Ura e Mifolit.
Është njëlloj si të çosh litarin në shtëpinë e të varurit.
Pasi i ka vjedhur dhe stërvjedhur ata njerëz dhe u përmbytën në të katër anët, duken qartë shkaqet, sigurisht mot kishte, por të gjitha investimet, e gjitha infrastruktura që duhej të mbronte këta qytetarë, u provua se ishte jashtë funksioni. Investimet ishin vjedhur dhe ky e dërgon për rehabilitim në fatkeqësi.
Bazuar në disa parime se në mortje pritet edhe armiku.
Ai që vjedh nuk pritet kurrë, as në fatkeqësi dhe në asgjë.
Dhe nuk ka asnjë normë morale për ta pritur atë.
Prandaj dhe unë edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve që kudo që t’i shohin, t’i gjuajnë me vezë dhe domate, se shkaku i thellë i përmbytjeve të tyre janë këta
A nuk dihet rreziku i Vjosës? Asnjë masë nuk kanë marrë.
Të gjitha sistemet e kanalizimeve jashtë funksioni. Dhe dilte e thoshte se 520 kanale janë pastruar. Që të gjitha të mbushura me mbeturina, me beton, të ndërtuara mbi to, të mbushura nga shumë ndërhyrje të tjera.
Dramë e tmerrshme e Durrësit.
Durrësit sikur i erdhi një cunam nga deti.
Sigurisht moti ishte, nuk them, por të tjera të bëra nga njeriu, të bëra nga pushteti.
Nuk e spostuan qytetarët e Durrësit hidrovorin që ndodhen pikën më të ulët. E spostoi qeveria, e cila e vendosi në një kuotë pothuaj dy metra më të lartë.
Nuk i vodhën qytetarët e Durrësit pompat e hidrovorit të Hamallajt. Tre pompa shumë të fuqishme ishin zhdukur. Kishin shkuar dhe kishin vendosur dy pompa nafte nga mijëra metër kub që ka një pompë në sekondë në 30 metër kub në sekondë.
Me mijëra rroga paguhen për hidrovoret, por jo vetëm që nuk janë ruajtur, por janë vjedhur.
Dhe ky, nuk bëhet me protesta, dhe në vend të një ndjese të madhe publike dhe një dorëheqje, u dërgon Lubinë për t’u thënë që u kemi vjedhur dhe do t’u vjedhim.
Për t’u thënë këtë gjë.
Po si mund të dërgohet ajo që vetëm me tre dosje shkon në 1.2 miliardë grabitja, plaçkitja e parave të qytetarëve shqiptarë.
Natyrisht është Rama mbrapa.
I përgëzoj deputetët për punën që kanë bërë, të cilat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme pranë banorëve në zona të ndryshme, kanë bërë detyrën e tyre, dhe drejtuesit e PD.
Natyrisht ata që u fshehën në këtë fatkeqësi të madhe ishin ata që kontribuan më shumë në të, qeveritarët, qoftë lokalë, qoftë qendrore.
Dhe e mbuluan me mashtrime.
6 mijë forca, thoshte Edi Rama, janë në terren.
Paturpësi e madhe.
6 mijë forca nuk ka në bordero ushtria.
Nga i gjeti mbrojtja civile? Nga mashtrimet e Edi Ramës.
Dhe cinizmi ekstrem, mbledh komitetin e emergjencës dhe nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan.
Po si të përçan? Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve.
Ndaj u them qytetarëve se çdo gjë që ka thënë dje ka qenë një tallje cinike.
Po si mund të mos e shpallësh gjendjen e emergjencës kur edhe sot në Durrës janë 4 mijë banesa me ujë brenda.
Dhe sa janë në Lezhë, në Mamurras, në Gjirokastër, në Fier, në Novoselë, etj.
Dhe u mblodh, dëgjuan dokrrat, mashtrimet e njëri pas tjetrit të atyre dhe nuk përcaktoi… shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është kushti i parë që qeveria të marrë hapat e tjerë për të adresuar problematikat e krijuara nga fatkeqësia natyrore.
Dhe ky jo, ky i ka nga xhepi ato.
Është kriminale kjo.
Po të gjitha këto tregojnë edhe njëherë karakterin e këtij regjimi.
Të gjitha këto dëshmojnë se çdo ditë në pushtet, ata janë një barrë e rëndë, e tmerrshme për shqiptarët kudo që janë.
Ndaj dhe është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj.
Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin për gjithë këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës.
Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, humbasin bukën e gojës.
Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin.
Dhe pse kjo? Se do ndërtohen kulla aty.
Se mafia e betonit, mafia e kokainës, mafia e drogës i djeg ato për të ndërtuar kulla në atë shesh.
Ndërkohë, duhet të shtoj se intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës me dosje, me dokumente dhe fakte.
A mund të imagjinoni ju, Durana zona teknologjike e Durrësit, de facto territor komplet i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti nga dosjet më sekrete të prokurorive, gjykata, shërbimit të fshehtë tek çdo lloj e dhënë tjetër.
Durana e Edi Ramës me Troplinët.
Ato dosje janë një aktakuzë më e rënda edhe për sistemin e kapur të drejtësisë.
Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës?
Me dhjetëra, në mos qindra herë. Me dokumente, me çdo gjë.
Asgjë nuk ndodh.
Pse? Se është direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar në të. E njohur kjo.
15 mijë euro kamera e policit, u garantoj që kush në botë në asnjë vend nuk e vendosin policët 15 mijë euro kamera.
Po ka kjo? Është njëlloj si historia e kapeles së policit. Polici suedez, kapelja e tij 15 euro. Kapelja e policit shqiptar 320 euro me Plarentin që kalon nga një studio në tjetër, një hajdut i shpifur që ka ndarë paratë me Ramën.
Të gjitha këto kanë vetëm një konkluzion.
Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti.
Dje, po në këtë kuadër, thirrëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me shoqërinë civile dhe forcat politike.
Në emër tuaj, unë u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, të cilat pavarësisht nga pavarësia e tyre në kuptimin politik, pa asnjë afilacion partiak, por erdhën aty se të gjithë ata janë kundër të keqes që po përjeton vendin.
Aty u bashkuam kundër një të keqe të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi.
Ishte një akt i guximshëm qytetar i tyre, i përgjegjshëm i tyre.
Dhe unë i siguroj se ne do bëjmë gjithçka për të vazhduar me ta dialogun, për të dëgjuar zërin e tyre, këshillat e tyre dhe për të vepruar bashkërisht kundër kësaj të keqe.
Ftoj individë, organizata, forca politike të tjera që nuk ishin dje aty të bashkohen me këtë front si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.
Nuk ka synim ky front dominimin e një partie apo një tjetër, ka synim krijimin e një forumi, një fronti të përbashkët, një fryme të gjerë për të larguar nga pushteti një minutë e më parë këtë regjim që e meriton vetëm një cilësim: kakistokraci. Grekët e lashtë quanin të tillë më të keqin e regjimeve.
Dhe ky kështu është.
Diskutime të shumta u zhvilluan, mendime të çmuara u shprehën.
Ne do vazhdojmë përpjekjen për institucionalizimin e këtij forumi, kësaj aleance, ta quajmë si të biem dakord.
Urojmë dhe shpresojmë që kjo të shtrihet edhe në rrethe, në qarqe, në mënyrë që një përpjekje e madhe mbarëshqiptare të bëhet kundër këtij regjimi.
Është diskutuar dhe menduam që të jetë kryesia sepse domosdoshmëria e protestave, pra koha për protestë ka kaluar në fakt, duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar edhe njëherë, rruga e vetme… se duhet të jemi shumë të ndershëm dhe të kthjellët…. rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme.
Në vlerësimin tim, variantet e tjera janë iluzive.
Nëse besojmë se Edi Ramën do ta marrin me vete dosjet dhe krimet e tij, ne gabohemi, dhe nuk duhet të gabohemi.
Edi Rama do keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur.
Në qoftë se ne ai presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia, të themi e SHBA, që ka motiv të plotë, qoftë me dosjen e Bilalit, qoftë me dosjen e McGonigalit, përsëri ne nuk jemi realistë, pasi ky proces dhe ky problem është i komplikuar, nuk është një problem i thjeshtë.
Por ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë.
Unë mendoj se zhvillimet janë pozitivë në krahun e opozitës.
Janë shtatë rezoluta që damkosin Edi Ramën njëlloj sa Maduron.
Juve u kujtohet, në San Paolo, pika e parë e rendit të ditës ishte Venezuela, pika e dytë ishte Shqipëria, për ngjashmëritë që ka Maduro me Ramaduron.
Kam bindjen se partnerët tanë, kudo, nga këto zhvillime, do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet.
Ngjarjet e AKSHI-t nuk janë të regjistruara në historinë e Europës.
Ndërmarrje shtetërore që merr peng për tendera, kjo tejkalon çdo lloj… merr peng se tenderat duhet t’i fitojë baxhanaku.
Ndërmarrje shtetërore ku tenderat i dikton Linda e Surrelit me Lindën e AKSHI-t.
Ndërmarrje ku qindra milionë vidhen me zero investim. Me zero blerje. Me zero shitje. Zero import dhe transferim i të gjitha shumave në llogarinë…
Ndërmarrje shtetërore që të gjitha të dhënat i eksporton në akt kriminal tek armiqtë e Shqipërisë, armiqtë e NATO-s.
Duke vendosur në pozitat më kyçe njerëz të tyre.
Këtu nuk ekziston asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare. Por kjo e AKSHI-t ngjitet në nivelin e tradhtisë së lartë kombëtare.
Personi i caktuar në sigurinë kibernetike të ministrisë është person me lidhje jashtëzakonisht të dyshimta. Dhe i emëruar nga Ergys Agasin, njeriu që shoqëronte Ramën në Davos.
Njeriu që festonte dhe stërfestonte me Ramën sa në vilën e Gjushit, aq edhe në vilën e tij.
Dhe këto tani janë publike.
Fatmirësisht këto janë të njohura, sepse dëshmitarët e marrë peng i kanë dëshmuar këto.
Pra, gjithçka është në favor të opozitës.
Gjithçka është premtuese për opozitën.
Opozita duhet të ngrihet e betuar që do ta largojë nga pushteti.
Dhe unë kam besim se këtë mision do ta përmbushim me sukses.
Gazeta RD