Smart City dhe loja që vazhdon

Nga Luçiano BOÇI
Në “kulmin” e goditjes nga SPAK, Rama hapur fare, hodhi në treg një tjetër aferë korruptive me shumë pikëpyetje brenda, SMART CITY-n.

Pse e bën?

Nga bindja se nuk i hyn gjemb në këmbë?!

Nga arroganca e verbër?!

Për të dëshmuar forcë dhe bërë sfidë me SPAK?!

Kërkon të provokojë partnerët tanë?!

Apo për të treguar që kontrollon gjithçka?!

Të marra me rradhë ka pak nga të gjitha.

Kjo e kushtëzuar dhe nga profili psiko-korruptiv që e karakterizon.

Sikurse, sa ka bindjen që nuk i hyn gjemb në këmbë, sepse e ka të provuar me inceneratorët, laboratorët, rrugët, po aq është dhe arrogant.

SPAK-un ka dëshirë pas kontrollit në të cilin e mban, ta poshtërojë.

Ndërsa partnerët kërkon t’i lexojë se deri ku duan të shkojnë, ndërkohë që i thotë se linjën e përcakton vetë, nga frika (kërkon mbrojtje) jo se është trim.

Megjithatë të marra bashkë, këto përgjigje nuk e mbushin saktësinë dhe as e frenojnë Ramën dhe lojën e tij.

Loja për hir së vërtetës vazhdon!

Para syve të SPAK dhe ndërkombëtarëve “të egër”.

Vazhdon, sepse thelbi i lojës është SISTEMI KORRUPTIV, që përfshin dhe drejtësinë virtuale, që Rama ka ndërtuar, të cilin ne e thërrasim herë autokraci,  herë narko-shtet e herë-herë bandë e organizuar.

Sido ta ketë emrin ky SISTEM ka ngjashmëri me diktaturat.

Dhe sikurse diktaturat, ky SISTEM sot kërkon e ushqehet me viktima (të fajshme), të cilat i flijon për të mbijetuar, pa arritur kurrë tek njëshi, sepse është ai që komandon SISTEMIN.

Flijimet e rradhës nuk e dobësojnë sistemin. Ato e forcojnë atë.

Siç dhe shihet.

Nuk ka stepje, as ndalesa.

Ka vetëm viktima dhe flijime.

Koka, Beqaj, Dako, Bllako, Veliaj e më pas Balluku, Karcanaj, Krifca…. Lista është në vazhdim…

Ndryshojnë aktet e dramave vetëm, ku Balluku siç duket për hir të afërsisë me Ramën e ka me pesë akte, ndryshe nga Veliaj me tre, apo të tjerët me një akt, apo apo të tjerët që do vijnë, pa ndalur flijimin.

Rituali i flijimit është i domosdoshëm, sepse kështu SISTEMI çimentohet.

Dhe këtu në këtë ritual, SPAK-u shkëlqen me rolin e tij.

Ai bën sikur bën drejtësinë, duke goditur personazhe e duke marrë lavde dhe njëherazi realizon funksionin themelor, si cerberi kryesor i sistemit korruptiv të Ramës.

Nuk është iluzion:

mjafton të shohësh si u soll me inceneratorët.

Nuk u godit dhe nuk u çmontua fare skema që në themel kishte “negociim pa shpallje”.

Thjesht u penalizuan qesharakësisht disa zyrtarë të lartë.

Lekët derdhen sot e kësaj dite lumë në “përbindëshin e Tiranës” që nuk ekziston. Ku është efektiviteti?!

Kështu dhe me koncesionet në shëndetësi.

SISTEMI korruptiv nuk është prekur fare.

Madje “cuditërisht” vazhdon: check-up, laboratorët, hemodializa, sterilizimi….lekët vuuuu.

Shihni thjeshtë se çfarë bëhet me Ballukun.

Zero hetim për sistemin e korrupsionit në energji, në rrugë, në tendera, të instaluar nga vetë Rama.

Ndahet Berberi nga Beneti, Beneti nga Belinda, Berberi nga Rama dhe loja nuk mbaron me fraksione pa fund.

Jo vetëm kaq Rama brenda sistemit që ka ndërtuar, ia kërcet dhe një “negociim pa shpallje” 140 milion eurosh me Smart City-n, pa asnjë mëdyshje.

Madje duke e shtyrë hapur me zor me shpatën që i pret sa majtas djathtas.

Dhe nuk do jetë i fundit…KAYO nuk fshihet.

E gjitha ndodh sepse sigurinë ia siguron SISTEMI, mekanizmi i tij, brenda të cilit SPAK është një segment lidhës.

Formalisht, po, vërtet kemi drejtësi.

Institucione, prokurorë specialë, dosje, konferenca shtypi, terminologji latine për ta bërë gjithçka të duket serioze.

Thelbësisht, kemi diçka më të turbullt:

një drejtësi selektive, që funksionon mirë kur godet opozitën e ish-aleatë të braktisur dhe papritur bëhet filozofike kur i afrohet qendrës së pushtetit.

Rastet e përmendura flasin qartë:

Nuk po shohim zbardhje të një sistemi, por shkëputje hallkash.

Nuk po goditet arkitektura e korrupsionit. Po preken vetëm personazhe që nuk janë më të dobishëm.

Më të dobishmit mbrohen me rezistencë deri sa të tendosen drejt dorëzimit dhe ata.

Ngadalësia e dorëzimit forcon akoma më shumë sistemin dhe drejtësia fiton spektaklin.

Nëse do të goditej arkitektura do të ndiqej zinxhiri i vendimmarrjes, do hapeshin të gjitha kontratat e lidhura dhe në finale është gjithmonë ai, Rama.

Por kjo nuk ndodh. Ndodh e kundërta.

Merret një person. Nxirret një fragment. Krijohet ideja e ndëshkimit që vjen me zor dhe kur vjen është i konsumuar e liliput.

SISTEMI vazhdon punën. Rama po ashtu vazhdon.

Thelbësisht nuk po shkatërrohet mekanizmi, por thjesht po prodhohen vetëm shembuj të tanishëm e të pritshëm që po paralajmërohen.

Kurbanët do vazhdojnë të shkojnë një nga një, me logjikën: “dikush duhet të paguajë që loja të vazhdojë”.

Nëse do kishim drejtësi të plotë:

Dosjet do hapeshin sipas fakteve, jo sipas kohës politike.

Emrat përfshirë Ramën do dilnin në zinxhir sipas aferës, jo me radhë selektive.

Sistemi do tronditej, jo të stabilizohej pas çdo arrestimi siç po ndodh.

E kur një sistem “mbijeton” pas çdo goditjeje, por nuk ndryshon, ky nuk është pastrim. Është ritual flijimi.

Me rituale loja nuk mbyllet, ajo vazhdon e luhet.

Po drejtësia ku na mbeti?!

E kemi dhe atë “në këmbë”. Është drejtësi në formë, por kurbane në funksion.

E pamëshirshme me opozitën dhe protokollare me Edin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo po përdoret sot për menaxhim politik të korrupsionit, jo për shkatërrimin e tij.

Dhe kjo është më e rrezikshme se mungesa e drejtësisë, sepse krijon iluzionin se problemi po zgjidhet, ndërkohë që thjesht po menaxhohet që loja të mos mbyllet e Rama të mos mbytet.

About Redaksia

Check Also

Kur SHBA të heq vizën!

Grigels MUÇOLLARI Kufizimi i vizave amerikane për shtetasit shqiptarë nuk është një veprim i rastësishëm …