Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh para demoratëve të degës 4 në Tiranë se, Edi Rama me anë të Don Agaçios donte të kapte opozitën, por demokratët nuk deshën atë opozitë dhe u ngritën e shpëtuan Partinë Demokratike duke shpëtuar edhe opozitarizmin në Shqipëri.
Në fund, Berisha bëri thirrje që në datën 24 janar, të gjithë të dalin në shesh për betejën vendimtare kundër narkoshtetit.
Berisha: Ne u ngritëm dhe kësaj here s’është asnjë forcë tjetër politike ndofta kurrë, në një moment kur donin të na vinin kapistër apo të na vinin nën kontroll. Tani do ju them unë ju një gjë këtu.
Para 5 vitesh, ky mafiozi që quhet Don Agaçio, i thotë një mikut të vet: ‘Tani thotë, opozitën e kemi siç e duam ne’. Se i kishin hapur dy dosje atij ish-kryetarit tonë. Njërën për Toyota Yaris dhe tjetrën për atë financimet ruse që i thonin.
Dhe ato tani, në mëngjes e thërrisnin në prokurori, në darkë i shkonte Agaçi. Dhe në këtë mënyrë kishin në kontroll opozitën. Dhe tani i tha ai, tani e kemi opozitën që duam ne. Mirëpo atë opozitë që deshën ata, ju nuk e deshët atë opozitë. Ju donit opozitë të vërtetë. Dhe ju me guximin tuaj, jashtë të gjitha parashikimeve, kundrejt presioneve më të jashtëzakonshme, shqiptare e ndërkombëtare, ju u ngritët dhe shpëtuat Partinë Demokratike.
Ju u ngritët, shpëtuat pluralizmin. Shpëtuat pluralizmin. Që të ishte i vërtetë dhe jo fals. Shpëtuat opozitën e vendit, që të ishte e vërtetë dhe jo false, jo kalbëse. Ndaj dhe kjo faktoi përsëri, faktoi përsëri se jeni të pamposhtur. E kam thënë dhe e them 100 herë, në qoftë se kjo parti do të kishte një emër të dytë e ‘E pamposhtur’, ky do ishte emri i saj.
Ndaj dhe, ose mund t’i themi që bën të pamundurën të mundur. Në të gjitha këto raste ne kemi bërë të pamundurën të mundur. Kujt ia priste mendja se ne do të ekzistonim si forcë reale politike në kohë kur na vërshonin nga të gjithë bota, në kohë kur na futën në izolimin më të thellë, dhjetë pash nën tokë, nga të gjitha anët.
Po ne u ngritëm se ishte e padrejtë. Si u ngritëm? Me dritën e të vërtetës. Ne mbrojtëm të vërtetën që besonim. Ne besonim se Shqipëria duhet të ketë opozitë. Pse po ndalëm këto? Jo për ndonjë arsye tjetër, po vetëm e vetëm për të vënë në dukje, për të theksuar misionin që kemi. Misioni ynë është ti shporrim nga pushteti këtë regjim kriminal, këtë organizatë kriminale.
Të mos pajtohemi në asnjë mënyrë me të. Të qëndrojmë të betuar, të vazhdojmë përpjekjen tonë gjer në largimin e tyre. Ju garantoj se ecim të sigurt drejt fitores. Nuk ka asgjë më të fortë se idealet e njeriut. Nuk ka asgjë më të fuqishme se guximi i njerëzve idealistë. Se vendimi i tyre për t’u qëndruar besnik idealeve të veta.
Kërkon sakrifica, kërkon lodhje, kërkon privacione, por fitorja është absolutisht e sigurt. Ndaj dhe ju ftoj, më 24, të bashkohemi të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë qytetarët shqiptarë. Protesta e kaluar është protesta që i ka patur jehonën më të madhe botërore. Ja u them unë këtu. Titujt kryesorë: ‘Shishet molotov në zyrën e Erionit’. Këto ishin. Sepse po mbron Lubi Ballukun. Faji shkonte te Erion Rama pra. Sepse po mbron Lubi Ballukun, po mbron korrupsionin. Miq, nuk rrëzohet një qeveri kur ajo vjen nga vota e lirë. Një qeveri që del nga vota e lirë rrëzohet me votën e lirë.
Po një qeveri që vjen nga zgjedhje farsë, nuk ka legjitimitet asnjë orë. Një qeveri që vjen nga vota e lirë, por që vjedh qytetarët dhe mbron korrupsionin, nuk ka asnjë orë legjitimitet. Duhet të zhduket nga zemërimi popullor. Edi Rama ka ardhur nga farsë elektorale. Edi Rama ka vjedhur qytetarët dhe po vjedh qytetarët. Duhet të jemi dy herë të motivuar për t’i dhënë fundin e merituar të çdo narkodiktatori.
Dhe e mbyll këtu duke i thënë edhe njëherë: Mos harro shkurtin! Mos harro Enver Hoxhën se si e pati fatin e tij rrugëve të Tiranës. Vërtet ishte bronz, po ishte dhjetë herë më i fuqishëm se ti në Shqipërinë e atëhershme. Kurse ty, shqiptarët do të japin atë që meriton. Më 24 të gjithë bashkë në betejën tonë.
Faleminderit!
Gazeta RD