Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me gjendjen skandaloze ekonomike që po përballen shqiptarët, ku sipas raportit të fundit, shqiptarët ruajnë vendin kampion për pagën minimale dhe fuqinë blerëse më të ultën në Europë.
Këlliçi shkruan se, kjo është pasojë direkte e keq-qeverisjes 13 vjeçare të Edi Ramës, plaçkitjes sistematike dhe të pamëshirshme të buxhetit të shtetit i cili sa vjen e rritet.
Këlliçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të protestojnë bashkë me opozitën në protestën e 10 shkurtit në orën 17:00 përpara kryeministrisë.
Reagimi
Paga minimale më e ulët në Europë, fuqia blerëse më e ulët në Europë.
Ndërsa propaganda qeveritare flet për integrimin europian, realiteti ekonomik i qytetarëve duket i zymtë.
Paga minimale vijon të mos konkurrojë dot rajonin, e lëre më Europën.
E ndërsa pagat vendosen në raport me çmimet, del në pah ulja e mëtejshme e fuqisë blerëse.
Një realitet i denoncuar në vazhdimësi nga Partia Demokratike, një rritje e kostos së jetesës që prek shtresat më të pambrojtura: pensionistët, personat me aftësi ndryshe dhe familjet me ndihmë ekonomike.
Kjo nuk është një rrjedhojë e natyrshme e ekonomisë apo një fatalitet historik.
Kjo është pasojë direkte e keq-qeverisjes 13 vjeçare të Edi Ramës, plaçkitjes sistematike dhe të pamëshirshme të buxhetit të shtetit i cili sa vjen e rritet.
Kjo është pasojë e riorientimit të ekonomisë drejt një grushti klientësh qeveritarë dhe braktisjeje për shumicën dërrmuese të qytetarëve, të cilëve ju tregohet dera e emigrimit si e vetmja valvul shfrimi e depresionit social.
Kjo katastrofë nuk ka pse të vazhdojë!
Partia Demokratike e ka treguar në vazhdimësi se ka qëllimin dhe instrumentet e duhur politikë për të rritur nivelin e pagave dhe pensioneve, për të ndaluar gjakderdhjen masive korruptive.
Kjo është arsyeja pse sot çdo shqiptar i madh e i vogël, i punësuar apo i papunë, pronar i ndershëm biznesi apo punëtor i keqpaguar, duhet të dalë në protestë.
Koha është tani.
Shihemi më 10 shkurt, ora 17:00, sërish në shesh
Gazeta RD