Shqipëria nuk është e varfër, është e grabitur!

Asc.Prof. Dr. Ilir PECNIKAJ

Kur flitet për mënyrat më të mira të jetesës në Norvegji, ku një ndër elementët kryesorë është Fondi Sovran i Norvegjisë, shumica e shqiptarëve reagojnë me një ndjenjë fatalizmi: “ata janë Norvegji, ne jemi Shqipëri”. Ky krahasim, i përsëritur për më shumë se 35 vite, ka shërbyer më shumë si justifikim sesa si analizë. Sepse e vërteta është më e thjeshtë dhe më e pakëndshme:
Norvegjia nuk u bë e pasur nga rasti, por sepse ndërtoi institucione që nuk lejuan grabitjen e pasurisë publike.
Një lajm i publikuar së fundmi për Fondin Sovran të Norvegjisë do të duhej të kishte hapur debat serioz publik. Në një shoqëri funksionale, kjo do të kishte ndodhur. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk u diskutua gjerësisht, por kaloi pothuajse pa vëmendje. Ndërkohë, shifrat janë domethënëse: në vitin 1996, Norvegjia e nisi fondin me rreth 15 miliardë dollarë. Sot, pas rreth tre dekadash, ai ka kaluar vlerën e 2 trilionë dollarëve. Në terma konkretë, kjo do të thotë se çdo qytetar norvegjez ka sot një pasuri publike të akumuluar prej rreth 370 mijë dollarësh, e gjeneruar pothuajse tërësisht nga menaxhimi i naftës.
Në Shqipëri, përvoja ka qenë krejt tjetër. Nafta, në vend që të shërbente si instrument zhvillimi, u shndërrua në shembull të një modeli problematik qeverisjeje. Rasti i Bankers Petroleum nuk përfaqëson vetëm një konflikt ekonomik, por një dështim institucional të vazhdueshëm, ku për vite me radhë janë toleruar:
• deklarime jo transparente të fitimeve,
• shmangie fiskale të përsëritura,
• kontrata jo të qarta,
• dhe një rol pasiv i shtetit, më shumë si vëzhgues sesa si pronar i burimit.
Në këtë kontekst, shteti shqiptar ka përfituar minimalisht nga shfrytëzimi i naftës. Në terma praktikë, të ardhurat publike kanë qenë rreth 5 cent për litër në skenarin më optimist. Ky rezultat nuk mund të shpjegohet vetëm me paaftësi administrative; ai tregon për një model që ka favorizuar interesin privat në dëm të interesit publik.
Në Norvegji, për të njëjtin burim, shteti përfiton minimalisht rreth 27 cent për litër, përmes një kombinimi të tatimit të lartë mbi fitimin dhe bashkëpronësisë direkte. Ky rezultat arrihet pa konflikte të vazhdueshme ligjore dhe pa arbitrazhe ndërkombëtare. Shqipëria, përkundrazi, është përballur me një seri të pafundme procesesh arbitrazhi, çka tregon se kontratat janë ndërtuar me dobësi strukturore dhe pa mbrojtje reale të interesit publik.
Ky problem nuk është i izoluar. Ai shtrihet nga nafta te mineralet, nga hidrocentralet te koncesionet energjetike, nga deti te toka. Shqipëria ka burime, por nuk ka kontroll efektiv mbi to. Ka pasuri natyrore, por mungesë sovraniteti ekonomik.
Një tjetër kontrast domethënës është ai energjetik: Shqipëria ka rreth 3000 orë diell në vit, ndërsa Norvegjia rreth 1300. Megjithatë, rezultatet sociale janë të kundërta. Shqiptarët emigrojnë, ndërsa norvegjezët qëndrojnë. Diferenca nuk qëndron te klima, por te cilësia e shtetit dhe mënyra si ai administron pasurinë publike.
Askush nuk do të largohej nga një vend me këtë potencial natyror dhe energjetik, nëse pasuria e përbashkët dhe pronat private nuk do të ishin objekt i një zhvatjeje sistematike.
Shqiptarët nuk largohen sepse vendi është i varfër; largohen sepse sistemi është i padrejtë dhe sepse korrupsioni është bërë strukturor, duke u sofistikuar nga viti në vit.
Si pjesë e mendimit kritik dhe alternativ “Brain Gain” brenda PD-së, kjo duhet thënë qartë dhe pa ekuivok:
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e burimeve natyrore.
Qeverisja e ardhshme duhet të pranojë dështimin e modelit aktual dhe të ofrojë një kontratë të re me qytetarët, e cila përfshin:
• rishikimin thelbësor të kontratave të naftës, energjisë dhe mineraleve;
• transparencë të plotë për çdo litër naftë, çdo kilovat energji dhe çdo ton pasuri nëntokësore;
• përfshirjen reale të profesionistëve shqiptarë që janë elite jashtë vendit, në proceset vendimmarrëse;
• Pse jo, krijimin e një Fondi Sovran Shqiptar, të mbrojtur ligjërisht nga ndërhyrjet politike.
Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion formal pushteti, por për një ndryshim real të stilit të qeverisjes. Norvegjia tregon se pasuria nuk varet nga sasia e burimeve, por nga vullneti për t’i administruar ato në interes publik. Shqipëria ka potencialin për të qenë një vend ku njerëzit zgjedhin të jetojnë. Ajo që mungon është një shtet që vendos qytetarët përpara interesave klienteliste.
Ky është testi real për opozitën nesër në pushtet: të pranojë se modeli i deritanishëm ka dështuar dhe të ndërmarrë vendime të vështira përballë një trashëgimie ku korrupsioni ka depërtuar thellë në strukturat e shtetit. Nëse kjo gjendje trajtohet vetëm me masa sipërfaqësore, do të mbetet thjesht terapi reanimatore, e pamjaftueshme për ta shpëtuar trupin. Ndërhyrja është e domosdoshme, për ta shpëtuar shtetin dhe për ta drejtuar atë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më funksionale për qytetarët.

About Redaksia

Check Also

Te radha e qumështit

Nga Agim XHAFKA Këto partitë e reja, që sa herë u kërkohet të bëhen bashkë …