Në foltoren e radhës të PD, qytetarja Daniela Shyti u shpreh se vendi përballet me probleme të rënda, ndërsa indiferenca qytetare po e shndërron Shqipërinë në një “azil pleqsh”. Ajo theksoi se largimi masiv i shqiptarëve është plaga më e madhe dhe paralajmëroi se, nëse ritmet e emigracionit vazhdojnë, shumë shpejt vendi do të duhet të hapë më shumë azile pleqsh sesa çerdhe, kopshte apo shkolla të reja.
Shyti iu drejtua drejtpërdrejt atyre që i quajti “indiferentë”, duke pyetur nëse nuk i shqetëson fakti që vendi “vidhet, grabitet, digjet në verë dhe përmbyset në dimër”. Në këtë kontekst, ajo bëri thirrje për një reagim masiv në protestën e 10 shkurtit, me moton “Boll është boll!”.
Fjala e qytetares Daniela Shyti
Janë dhe ata që kanë vendosur të mos jenë këtu, por që sytë, veshët dhe kokën e kanë këtu te ne. E thënë shkurt, me përjashtim të indiferentëve, jemi të gjithë këtu. Nëse nuk ju bën përshtypje fakti që ky vend vidhet, grabitet, tjetërsohet çdo ditë.
Nëse nuk ju bën përshtypje fakti që ky vend digjet në verë dhe përmbyset, shkërmoqet në dimër. Nëse nuk keni asnjë fije ndjeshmërie për ata njerëz që në mëngjes gdhihen në shtëpitë apo bizneset e tyre dhe në darkë janë në qiell të hapur, a nuk duhet t’ju mërzisë, t’ju rebelojë, t’ju bëjë të protestoni tragjedia e madhe që i ndodh këtij vendi? Ikja nga Shqipëria e shqiptarëve. E kam thënë edhe njëherë tjetër: nëse ne do të vazhdojmë me këto ritme të ikjeje, shumë shpejt ky vend do të duhet të hapë më shumë azile pleqsh sesa çerdhe, kopshte apo shkolla të reja.
Dhe nëse, mos o Zot, diçka e tillë ndodh, do ta vuajmë njëlloj: ne që nuk reshtëm kurrë së reaguari, por edhe ju që nuk e prishët asnjëherë rehatinë e qoshkut tuaj. Prandaj, mendohuni, por jo shumë gjatë. Shqipëria ka nevojë për ne. Ne i duhemi Shqipërisë. Është e jona, duhet të kapemi fort pas saj. Në 10 shkurt, ne duhet të jemi të gjithë bashkë për t’i thënë: boll është boll!
Doktor, ju kërkoj ndjesë, por më duhet t’ju përmend pak. U bë kohë që dikush sajon një fjali, një fjali e cila më pas, nga njerëz të ndryshëm, u kthye në refren. Njerëz që, për mendimin tim, fshihen pas gishtit, i kanë të thyera pasqyrat në shtëpitë e tyre dhe për gjithçka që ndodh në këtë vend përdorin refrenin: fajin e ka Saliu. Ishit në pozitë, doktor, fajin e kishte Saliu. 13 vite të gjata opozitë, doktor, sërish fajin e ka Saliu. Edhe për tubin e Vlorës, doktor, sërish Saliu e kishte fajin. Kishte qenë 2009-ën, i ziu tub që rrinte atje, priti ta ndërronin derisa plasi vetë.
Por ju lutem, ma hiqni një kuriozitet: me sa pashë nga fotot, ai tub i ri që sollën ato turq çeliku ishte blu. Mos o Zot, doktor, thua të ketë gisht Saliu edhe në përzgjedhjen e ngjyrës së atij tubi? Sepse jo për gjë, po kur t’u duhet të mbulojnë bëmat e gjëmat e radhës, do përdorin atë ngjyrë dhe sërish fajin Saliu do ta ketë.
E vërteta e madhe është që këtë vend e kanë kthyer në një tragjikomedi, ku mbetëm duke e qeshur me njërin sy dhe duke qarë me syun tjetër. Dua t’i drejtohem me një falënderim të madh të gjithë atyre burrave, djemve, që u mbajtën padrejtësisht për plot tre ditë. U them atyre që emrat tuaj qëndrojnë hijshëm, krenarë, përkrah emrave të qindra, mijëra demokratëve të këtij vendi, në atë që unë e konsideroj malin madhështor. Sepse për mua, demokracia e këtij vendi është një mal madhështor, është një mal sakrificash, qëndresash, kontributesh, por mbi të gjitha është një mal me shpirtra të lirë që nuk u tjetërsuan asnjëherë dhe nuk reshtën kurrë së shpresuari.
Sa mirë që ekzistoni, faleminderit të gjithëve, krenare për ju. Do të doja ta mbyllja me: “Se Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të…”.
Gazeta RD