Kryetari i Degës së PD në njësin nr.7, Avni Dobli gjatë fjalës së tij në takimin ku mori pjesë edhe kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 10 shkurtit, duke argumentuar me dy problematika të thella lokale: koston stratosferike të jetesës dhe varfërinë në rritje.
Ai theksoi se kjo situatë, e lidhur edhe me pastrimin e parave të zeza, e bën të pamundur përballimin e kostos së jetesës për qytetarët e zakonshëm. Për të ilustruar thellimin e krizës sociale, Dobli përmendi “parkun 1 km”, ku dy vite më parë shisnin disa persona në nevojë, ndërsa sot hapësira është e mbushur me njerëz që përpiqen të jetojnë duke shitur rroba të përdorura.
Fjala e tij
Mirëmbrëma të gjithëve. Nuk gjej fjalë për të falenderuar secilin prej jush, por edhe ata 10,174 votues të Partisë Demokratike, Dega Shtatë, që votuan dhe nuk u trembën, nuk u shantazhuan, nuk u blenë në zgjedhjet e fundit të datës 14 maj 2025.
Falenderimi i radhës nga unë, megjithëse jemi takuar me secilin, vjen edhe për trupën e komisionerëve, numëruesve dhe vëzhguesve, rreth 430 veta nga Dega Shtatë, të cilët administruan një proces me një rezultat që, duhet ta themi, nuk ishte i favorshëm për ne. Por ne bëmë të pamundurën që çdo votë e demokratëve, e atyre 10,174 vetave, të numërohej dhe çdo shkelje e atyre që ishin marrë me atë punë të dokumentohej, siç do ta thotë edhe kryetari, doktor Berisha.
Unë kam një thirrje për secilin nga ju, por edhe për ata që na ndjekin nga ekranet, për protestën e datës 10 shkurt që na pret. Do të theksoj dy arsye lokale pse një banor i Degës Shtatë duhet të dali në protestë, pasi arsyet madhore do t’i thotë doktor Berisha.
Para pak ditësh, me nënkryetarin e partisë, po sileshim vërdallë për të parë për një parking për makinën. Dikush nga ju mund të mos e besojë, por një parking për makinën në Degën Shtatë kushton nga 40 deri në 60,000 euro. Kjo falë oligarkëve dhe interesave të ndërtimit që kjo qeveri ka nxitur dhe, po themi, në Degën Shtatë, një familje normale nuk mund të blejë dot asnjë parking, e jo më të mendojë rinia, siç janë disa nga ju këtu, ose fëmijët tuaj, që të blejnë një shtëpi.
Pra, keqmenaxhimi ose keqorientimi i tregut dhe pastrimi i parave të zeza kanë çuar në çmime marramendëse në një pjesë të Degës tonë, që është një problem realisht shumë i madh për shumë banorë që duan të ndërtojnë një jetë në këtë qytet.
Para dy ditësh po lëviznim me këmbë tek një park, i ashtuquajturi Park 1 km, që në fakt nuk është park, por një hapësirë betoni. Po e bëja krahasimin me dy vjet më parë: dy vjet më parë aty shisnin një tufë njerëzish me halle, natyrisht, rroba të përdorura. Para dy ditësh, ata ishin shtuar aq shumë, sa e gjithë hapësira e fushës së aviacionit, që shumica nga ju e dinë, ishte zënë nga njerëz me shumë halle, që vërtetë ja dimë hallin, po që po shtohen përditë, duke shitur rroba të përdorura.
Pra, si në gjithë Shqipërinë, edhe këtu te Dega Shtatë kemi këto probleme sociale dhe shumë probleme të tjera të mprehta, që do t’i theksojë kryetari i partisë. Këto, mendova, mund të jenë dy nga arsyet kryesore pse çdo banor i Degës Shtatë, jo vetëm ata 10,000 që kanë votuar PD-në, ka një arsye për të dalë në protestën e datës 10 shkurt.
Gazeta RD