Manifest i të Djathtës Shqiptare, prona: një pakt i madh social dhe një zgjidhje përfundimtare

Nga Nikola KEDHI

– Cikli II (vazhdim) IIA –

E djathta nuk e sheh pronën si mall që shpërndahet nga pushteti. E sheh si një nga format më konkrete të lirisë njerëzore. Prona private nuk është thjesht pasuri; është përgjegjësi, kufi ndaj arbitraritetit, dhe arsyeja pse një njeri e lidh jetën e vet me një vend. Sa më e qartë dhe e mbrojtur është prona, aq më e fortë bëhet edhe e mira e përbashkët, sepse shoqëria nuk mbahet vetëm me moral, mbahet me rregulla të parashikueshme dhe me të drejta që nuk negociohen çdo katër vjet.

Në Shqipëri, kjo e drejtë është trajtuar si çështje dytësore për dekada, dhe padrejtësia e komunizmit mbi pronën është kthyer në faj të akumuluar në disa breza. Kur prona është e paqartë, çdo marrëdhënie bëhet e paqartë: investimi, kredia, trashëgimia, zhvillimi urban, bujqësia. Dhe kur gjithçka është e paqartë, fiton ai që ka akses, jo ai që ka të drejtë.

Kjo qeveri e ka përdorur pikërisht këtë mjegull si metodë qeverisjeje. Ne nuk kemi “mungesë pronash”; kemi një mekanizëm të gjatë ku prona zhvendoset gradualisht drejt oligarkisë dhe klientëve qeveritarë, jo përmes tregut, por përmes shtetit: me VKM, me status “strategjik”, me legalizime selektive, me kontrata që tjetërsojnë toka publike e pastaj i kthejnë në “zhvillim” privat. Kjo është arsyeja pse çështja e pronës nuk është vetëm plagë historike, por edhe një nga burimet kryesore të modelit oligarkik që e ka kapur ekonominë shqiptare.

Nëse duam ta mbyllim këtë kapitull, duhet të nisim nga ajo që nuk është bërë në këto dekada: të ndalojmë prodhimin e padrejtësive të reja ndërkohë që nuk janë korrigjuar të vjetrat. Duhet të kuptojme rëndësinë e shenjtërinë e pronës, të besojmë vërtet në të dhe të shkojmë drejt një pakti shoqëror që do të zgjidhë problemin e do te evitojë shkeljes e pronës në të ardhmen. Ndoshta idetë specifike në këtë pjesë te Manifestit nuk do ndahen nga të gjithë, mbase nuk janë zgjidhja e plotë. Por shpresoj të hapë një debat të shëndetshëm për zgjidhjet e djathta.

  1. Prandaj, hapi i parë është një moratorium i qartë mbi pronat dhe për çdo akt që vazhdon të krijojë pronarë të rinj mbi prona të pasqaruara.
  2. Pastaj vjen inventarizimi, si një proces shtetëror i madh, me përgjegjësi politike, ku toka e Shqipërisë shihet si hartë juridike dhe historike: çfarë ishte në 1945, çfarë është sot, kush e ka, si e ka, ku janë mbivendosjet, ku janë falsifikimet, ku janë “boshllëqet” që sot shfrytëzohen si mundësi për grabitje. Pa këtë rrjedhë të plotë të çdo parcele, shteti mbetet i verbër, ndërsa të fortët shohin qartë. Kjo kërkon vullnet politik. Nga këtu nis zgjidhja e vërtetë.
  3. Parimi i parë duhet të jetë kthimi fizik i pronës sa herë është e mundur, ose kompensimi në natyrë. Kthimi fizik mbyll konfliktin, ul faturën financiare dhe kthen rendin në një mënyrë që kompensimi financiar shpesh nuk e bën dot. Për këtë, fondi i pronave shtetërore duhet të vihet realisht në dispozicion të procesit, me identifikim të pronave të disponueshme, vlerësim të drejtë dhe oferta që janë të pranueshme për pronarët legjitim sipas natyrës së pronës.
  4. Kur kthimi fizik nuk është i mundur, kompensimi duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në vlerën e tregut, jo në harta vlerash që prodhohen për të ulur detyrimin e shtetit. Dhe për të mos e kthyer këtë në barrë të pamundur për buxhetin, duhet të përdoren edhe skema alternative kompensimi: instrumente financiare, obligacione, pjesëmarrje në fonde investimi, apo forma të tjera që e bëjnë kompensimin të realizueshëm pa e shndërruar në premtim të përjetshëm.
  5. Por ka edhe një dimension që zakonisht shmanget: prona nuk zgjidhet vetëm me kthim e kompensim, zgjidhet edhe duke i dhënë një mekanizëm shoqërisë për të përballuar faturën e padrejtësisë historike pa e transferuar atë gjithmonë te taksapaguesi i zakonshëm. Këtu hyn koncepti i reparacionit dhe i fondit të garancisë: aty ku zhvillimi urban rrit vlerën e tokës, shteti duhet të krijojë mekanizma që një pjesë e këtij përfitimi të shkojë për mbylljen e detyrimeve ndaj pronarëve legjitim. Kjo mund të bëhet edhe me instrumente të lidhura me lejet e ndërtimit, me përfshirje të pronarëve në përfitim, ose me sipërfaqe ndërtimore të administruara si garanci deri në shlyerjen e detyrimit. E rëndësishme është parimi: detyrimi nuk zhduket, por as nuk lihet të tretet në retorikë; lidhet me fatin ekonomik të tokës dhe me përfitimet që krijon zhvillimi.
  6. Për këtë arsye, kuadri ligjor aktual duhet rishikuar në themel. Ka ligje dhe akte që sot prodhojnë pasiguri dhe mbivendosje: legalizime të reja, VKM që krijojnë pronarë të rinj, ligje “strategjike” që e shndërrojnë interesin privat në pretekst publik, dhe një ligj trajtimi pronash që ka provuar se nuk e mbyll dot procesin. Nevojitet kodifikim i qartë, standarde të qarta dhe afate reale, sepse prona nuk mund të mbetet projekt i përhershëm administrativ.
  7. Duhen parë tokat që kanë subjekt i ligjit 7501. Nëse nuk janë përdorur për qëllimin e caktuar për të cilin janë marrë, atëherë ka rënë pronësia. Nëse tokat janë braktisur nga pronarët e rinj, atëherë do duhet t’u kthehen pronarëve legjitimë. Mund të ketë dhe zgjidhje të tjera të propozuara si ndarja e pronësisë së tokës dhe asaj të ndërtesës për ato që janë të zëna. E rëndësishme është që si shoqëri të biem dakord për parimet që do çojnë në propozimet konkrete.
  8. Edhe institucionet duhet të kthehen në normalitet. Kadastra nuk është vend ku qytetari shkon për të “zgjidhur punë”, por regjistër publik ku e drejta pasqyrohet e plotë dhe e verifikueshme. Duhet regjistër elektronik publik, hartë digjitale e titujve dhe një shërbim që e mbyll procesin pa parapagime absurde dhe pa riaplikime që lodhin qytetarin deri në dorëzim.

Dhe së fundmi: ligji 7501 nuk zhbëhet, por ai nuk mund të shërbejë si alibi për mashtrime. Inventarizimi dhe historiku i parcelës duhet të nxjerrë edhe abuzimet e qëllimshme, falsifikimet, AMTP-të e përfituara padrejtësisht ose të papërdorura sipas qëllimit të ligjit. Në këto raste, titulli nuk mund të mbrohet vetëm sepse ka kaluar kohë. Siguria juridike nuk ndërtohet mbi padrejtësinë e konsoliduar; ndërtohet mbi kthimin e rregullit.

Ky është një proces i dhimbshëm, ku do të ketë pakënaqësi dhe kundërshti. Por, ne si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm që ka ardhur koha për ta zgjidhur këtë padrejtësi 80-vjeçare me një pakt të madh shoqëror që çon në një paqe të madhe shoqërore.

Prona është nyja ku takohen liria, ekonomia dhe qëndrimi. Një shoqëri që nuk e zgjidh pronën, normalizon arbitraritetin; dhe një shoqëri që normalizon arbitraritetin, e ka të vështirë t’i kërkojë fëmijëve të vet të qëndrojnë.

Prandaj, për ne, çështja e pronës nuk është “një angari e vjetër”. Është prova më e qartë nëse Shqipëria do të jetë shtet me ligj, apo territor ku ligji përdoret për të justifikuar të fortin.

About Redaksia

Check Also

Ministres së Jashtme të Ramës ju refuzua vizita në Departamentin e Shtetit

Ndërsa nisej në Uashington në Mëngjesin e Lutjeve, njoftimet zyrtare të propagandës së regjimit theksonin …