Screenshot

Varrosja e kësaj diktature në dheun e skandaleve të saj është akt i drejtësisë historike

Nga Ndriçim KULLA

Historia politike është e qartë në një pikë themelore: pushteti që ndihet i sigurt nuk ka nevojë për dhunë, ndërsa pushteti që ndjen fundin e përdor dhunën si gjuhë të fundit. Përballja e sotme mes qytetarëve dhe regjimit të Edi Ramës nuk ishte thjesht një episod represiv, ajo ishte një shenjë klinike e një pushteti në fazë të avancuar të degradimit të tij.

Ngjarjet e sotme gjatë protestës përbëjnë një akt të rëndë të përdorimit politik të Policisë së Shtetit. Sjellja e saj sot nuk ishte në funksion të ruajtjes së rendit publik, por në shërbim të drejtpërdrejtë të regjimit në pushtet.

Dhuna e ushtruar ndaj gazetarëve, deputetëve dhe qytetarëve, me pasoja traumatike, ishte atipike, disproporcionale dhe plotësisht diktatoriale. Ajo tejkaloi çdo standard ligjor dhe demokratik të menaxhimit të një proteste paqësore dhe dëshmoi një mision të qartë politik: frikësim, intimidim dhe shtypje të zërit kundërshtar.

Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj lirisë së medias. Sulmi ndaj deputetëve është sulm ndaj përfaqësimit politik. Sulmi ndaj qytetarëve është sulm ndaj vetë sovranitetit popullor.

Kur policia godet jo për të mbrojtur ligjin, por për të mbrojtur pushtetin, ajo pushon së qeni institucion i shtetit dhe shndërrohet në instrument të regjimit. Kjo është një shenjë alarmi për demokracinë dhe dëshmi e rrëshqitjes autoritare të qeverisjes.

Përdorimi i gazit, ujit dhe forcës brutale kundër qytetarëve nuk dëshmon forcë, por frikë. Frikë nga humbja e kontrollit, frikë nga zbërthimi i dosjeve, frikë nga çmontimi i një sistemi që për më shumë se një dekadë është ndërtuar mbi korrupsionin e institucionalizuar dhe kapjen e shtetit. Regjimi nuk po përballet me një protestë; po përballet me pasojat e veta.

Në këtë kuptim, dhuna nuk është mjet politik, por refleks instinktiv i një pushteti që nuk ka më narrativë bindëse, as projekt publik, as legjitimitet moral.

Edi Rama nuk erdhi në pushtet me projekte publike në kuptimin klasik të fjalës. Ai erdhi me një projekt pushteti, ku shteti u trajtua si pronë private, institucionet si dekor, ndërsa ligji si instrument selektiv. Ky transformim nuk ndodhi brenda natës. Ai u ndërtua gradualisht për 13 vite me radhë përmes: kapjes së drejtësisë, përdorimit të propagandës, klientelizmit ekstrem përmes tenderave dhe PPP-ve dhe shndërrimit të korrupsionit në sistem funksional.

Në këtë sistem, skandalet nuk janë aksidente, por produkte të natyrshme. Afera Balluku është provë se muret e errësirës po çahen nga brenda. “Djajtë” kanë dalë tashmë nga këto mure dhe nuk janë individë të veçuar, por pjesë e një arkitekture ku kryeministri nuk është spektator, por skenarist.

Në fazën aktuale, korrupsioni nuk është vetëm mjet pasurimi, por edhe mjet mbijetese politike. Rrethi i ngushtë i pushtetit dhe i kastës është i lidhur nga frika e ndëshkimit dhe nga dosjet që secili mban mbi tjetrin. Ky është modeli klasik i regjimeve të mbyllura: solidaritet jo mbi vlera, por mbi faj.

Prandaj edhe gjuha e regjimit sot u shfaq më e ashpër, më cinike dhe më kërcënuese. Kur pushteti e di se çdo hap prapa mund të përkthehet në pranga, ai zgjedh të shtyjë përpara, edhe nëse kjo do të thotë të përplaset me qytetarët e vet. Kjo e shpjegon pse sot shohim një raport brutal mes shtetit dhe shoqërisë, një raport që diktaturat klasike do ta kishin zili, sidomos kur ndodh në një territor që pretendohet demokratik dhe evropian.

Asnjë pushtet nuk rrëzohet në momentin që përdor dhunën; por në atë moment ai humb arsyen morale për të ekzistuar. Legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota formale, por nga kontrata e pashkruar me qytetarët: mbrojtje, dinjitet, llogaridhënie.

Kur shteti përdor gaz dhe ujë brutalisht për të shuar zemërimin qytetar, ai pranon publikisht se nuk ka më mjete politike, por vetëm mjete policore. Ky është momenti kur pushteti pushon së qeni qeverisje dhe shndërrohet plotësisht në regjim.

Historia tregon se dhuna mund t’i gjunjëzojë kauzat përkohësisht. Frika funksionon, por vetëm për një kohë të shkurtër. Kauzat nuk vdesin; ato mbruhen në heshtje, derisa kthehen më të forta, më të artikuluara dhe më të pashmangshme. Problemi i regjimit është se koha, ndryshe nga propaganda, nuk manipulohet dot.

Thirrja “dhëmb për dhëmb” nuk duhet lexuar si thirrje për dhunë, por si refuzim për t’u tërhequr, për t’u normalizuar padrejtësia, për të pranuar represionin si fat.

Kjo nuk është një kauzë që njeh zbrapsje, sepse zbrapsja në këtë fazë do të thotë legjitimim i turpit. Varrosja e diktaturës në dheun e skandaleve të saj nuk është akt i dhunës, por akt i drejtësisë historike: ekspozim, çmontim, llogaridhënie.

Regjimet nuk rrëzohen vetëm nga rruga; rrëzohen nga kombinimi i presionit qytetar, zbardhjes së skandaleve, thyerjes së frikës dhe izolimit moral. Sot, regjimi i Edi Ramës i ka humbur pikërisht këto shtylla.

Fundi i regjimeve të tilla rrallë është spektakolar. Ai vjen si rrëshqitje e ngadaltë, ku çdo akt dhune e afron më shumë humnerën, ku çdo skandal e gërryen më tej themelet, ku çdo protestë – edhe e shtypur – e dobëson frikën.

Sot nuk jemi dëshmitarë të forcës së pushtetit, por të agonisë së tij. Dhe historia na mëson se agonia, sado e dhunshme, nuk është kurrë fitore.

About Redaksia

Check Also

A është zgjuar vërtetë BE-ja?!

Nga Iva GRILLO A po e merr Brukseli më në fund seriozisht rrezikun “Rama” apo …