Arkitektja: Shqipëria po vdes! Askush nuk do ta ndryshojë këtë realitet nëse ne nuk e bëjmë!

Në një fjalim të mbajtur para Foltores këtë të hënë para Kryeministrisë, arkitektja e sapodiplomuar akuzoi qeverinë, lidhur me krizën demografike e cila sipas saj, është një pasojë e drejtpërdrejtë e një plani politik që synon shpopullimin e vendit.

Duke u nisur nga shifrat alarmante të rënies së lindjeve, ajo argumentoi se kjo nuk është thjesht statistikë, por “fotografia e qartë e një krize” që po gërryen themelin e kombit. Sipas saj, rënia drastike e lindjeve, 8.1% më pak se një vit më parë dhe 75% më pak se në vitet ‘90, është simptomë e një vendi që “po humbet besimin tek vetja”.

Ajo denoncoi ekzistencën e një “ekonomie të kapur” dhe një “narkoshteti”, që favorizon vetëm klientët e tij, duke i detyruar të rinjtë të shtyjnë krijimin e familjes ose të largohen.

Për arkitekten, shpopullimi nuk është një fatkeqësi natyrore, por një “pasojë politike” e një pakice që sundon përmes korrupsionit, centralizimit ekstrem dhe kapjes së ekonomisë dhe territorit. Në mbyllje të fjalës së saj, ajo bëri një thirrje të fortë për veprim, duke u shprehur se ndryshimi nuk do të vijë nga Brukseli apo Uashingtoni.

Fjala e saj

21.000 ishin lindjet në vitin 2025. 8.1% më pak se një vit më parë dhe 75% më shumë se në vitet 90. Këto nuk janë thjesht statistika. Kjo është fotografia e qartë e një krize që po jeton Shqipëria. Një vend që lind gjithnjë e më pak, është një vend që po humbet besimin tek vetja. Tkurrja demokratike është përshpejtuar ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Nuk po braktisen vetëm zonat e thella nga emigracioni. Rënia e lindjeve ka prekur çdo qytet. Aty ku dikur kishte punë, kishte industri, shpresë, sot ka vetëm pasiguri, largim, shpopullim. Të rinjtë nuk po e shtyjnë lindjen nga dëshira. Po pse veprojnë ata në këtë lloj mënyre? Po sepse nuk shohin stabilitet, nuk kanë siguri në arsim, në shëndetësi, nuk kanë mundësi.

Përballë kemi një ekonomi të kapur, kemi një narkoshtet që favorizon klientët e tij, kryeministrin apo zëvendësen e saj. Unë sapo jam diplomuar në arkitekturë. Kam studiuar për të ndërtuar hapësira. Për të menduar qytetin si një vend jete, si një vend familje, si një vend komuniteti. Por sot në Shqipëri nuk ndërtohet për qytetarin, ndërtohet për klientin. Arkitektët nuk zgjidhen me meritë, por me lidhjet dhe njohjet që ato kanë. Projektet vendosen në një zyrë të vetme, të centralizuara, shpesh me emra të huaj që nuk kanë lidhje me vendin tonë apo me realitetin tonë. Si arkitekte, kam mësuar një parim shumë të thjeshtë. Asgjë nuk ndërtohet rastësisht. Çdo projekt ka një koncept, një strukturë dhe një sistem vendimmarrje. Qytetet janë betonizuar pa plan, pa vizion, pa identitet.

Urbanizimi është bërë mjet pushteti, jo zhvillimi. Me qëllim për të shtyrë njerëzit të ikin nga ky vend. Po si mund të ndërtojmë familje në një qytet që nuk projektohet për familje? Kur një çift i ri merr vendime të tilla, këta që kanë uzurpuar këtë godinë pas nesh, pinë vera 33.000 euro. Kur një familje mendon si do mbyll muajin, këta vjedhin miliarda nga paratë tona. 14 miliardë euro, në vetëm katër vite, tha ish-zëvendëskryeministri. Po shpopullimi nuk është fatkeqësi natyrore, është pasojë politike.

Është pasojë e një pakice që sundon, është rezultat i korrupsionit, i centralizimit ekstrem apo i kapjes së ekonomisë, territorit e çdo gjëje. Dhe çdo vit që kalon, kjo po bëhet akoma dhe më e madhe. Teksa qytetarët janë lënë mes zgjedhjes së vuajtjes në vendin e tyre apo braktisjes, kryeministri ndryshon ligjin sipas leverdisë së tij, për të mbrojtur veten dhe bashkëfajtorët e tij. Po ka një gjë që duhet ta themi qartë. Askush nuk do ta ndryshojë këtë realitet nëse ne nuk e bëjmë. Asnjë kancelar apo asnjë zyrë në Bruksel apo Washington. Shqipëria ndryshon vetëm kur shqiptarët vendosin ta ndryshojnë atë. Vetëm kur ne të mbushim pa kthim këto sheshe dhe çdo shesh të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …