Hasimja: Bashkohuni në shesh të ndërtojmë një Shqipëri të re!

Pedagogu Ermal Hasimja, në fjalën e tij në protestën kombëtare theksoi se, qytetarët nuk duhet të qëndrojnë të heshtur përballë qeverisjes që abuzon me pushtetin.

Ai bëri thirrje për bashkim qytetar, për të kërkuar drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të lira e të ndershme, duke nënvizuar se ndryshimi nuk vjen nga kafet apo divanet e rehatshme, por nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve në shesh.

Fjala e tij

Mirëmbrëma, Tiranë ime! Mirëmbrëma, Shqipëri! Rreth tre dekada, mbi tre dekada më parë, pikërisht te ky kalim këtu, kam qenë bashkë me tim atë. Unë ishkam qenë 15 vjeç, ai më tepër më tërhiqte nga mbrapa. Kemi qenë të gjithë duke parë përpara sampistët me qentë, me kallashnikovët, me autobotet, me bojën e kuqe. Kishim shumë frikë, por kishim shumë më tepër shpresë. Kur shikonim njerëzit rrotull, nuk njihnim asnjëri. Dhe nuk e dinim a ishim të majtë, a ishim të djathtë, a ishim nga fshati, a ishim nga qyteti, a ishim të krishterë, myslimanë, a ishim me fillore apo me universitet. Një gjë e dinim: donim të gjithë të njëjtën gjë. Dhe ajo që na mbante bashkë ishte shpresa. Ajo shpresë që gjatë gjithë këtyre viteve janë përpjekur të na e venisin. Atë bashkim të asaj dite nuk e ndal dot asgjë. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë pikërisht për atë frymë bashkimi. Sepse duam një drejtësi të pavarur, e cila të na mbrojë nga të pandershmit. Sepse duam zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku të vendosim vetë, në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, se kush do të na qeverisë.

Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, shpresa nuk vjen nga qielli, as përtej detit, as me helikopter. Ejani dhe krijojeni shpresën në këtë shesh. Ejani jo vetëm për të dënuar qeverinë që nuk e doni dhe jeni shumë. Ejani edhe për t’i treguar forcën tuaj çdo qeverie që do të vijë në të ardhmen, që të mos mund të abuzojë me vullnetin tuaj. Edhe në qoftë se ajo qeveri do të dali nga ky shesh. Njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm të këtij vendi, dhe sidomos ju intelektualë. Asnjë ndryshim nuk ka ardhur ndonjëherë nga kafet dhe divanet e rehatshme të shtëpive. Ejani këtu, merrni rolin tuaj dhe bashkohuni me ne.

Nëse mendoni se politika është e pistë, keni shumë të drejtë. E mendoj edhe unë. Ajo është e pistë sepse të ndershmit i largohen dhe u hapin rrugë të pandershmëve. Nëse mendoni se politika është e vështirë, keni prapë shumë të drejtë. Është shumë e vështirë. Sepse ndryshimi kërkon sakrifica. Por mos harroni diçka: vendi më i sigurtë për një anije është porti. Por anijet nuk janë bërë për të qëndruar në port. Kanë tjetër mision. Dhe nëse nuk ju pëlqejnë partitë që janë këtu përpara meje, hajdeni dhe bëni partinë tuaj. Bëjeni vetë. Vetëm mos harroni, edhe nëse bëni 100 parti, se partia e shqiptarëve është Shqiptaria.

Qytetarë të vendit tim, e di që jeni thellësisht të zhgënjyer nga politikanët dhe nuk i besoni pothuajse më askujt. Por përpara se të vendosni për kë do të votoni dhe kundër kujt do të votoni, bashkohuni me ne që të kërkojmë kushtin minimal të demokracisë: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkohuni me ne… Bashkohuni me ne për të mbrojtur ata gjykatës dhe prokurorë të ndershëm që i nxorrën bojën këtij sistemi të kalbur.

Ndërkohë që ne jemi këtu, të pandershmit shpresojnë që ne të shohim te njëri-tjetri të gjithë dallimet e mundshme, dhe jo atë që na bashkon. Ata shpresojnë që ne të mendojmë se ky vend nuk bëhet më. Ata shpresojnë që ne të bëjmë gati valixhet dhe të ikim. Ata shpresojnë që ne të mendojmë se jemi të gjithë të pandershëm njësoj si ata ne të sheshit dhe ata të tenderave. Ata shpresojnë të vrasin mbi të gjitha shpresën.

Por ka ende shpresë. Ka ende shpresë sepse prindërit shqiptarë vazhdojnë në shumicën e tyre t’u mësojnë fëmijëve se çfarë është e drejta dhe e padrejta. Vazhdojnë t’u mësojnë fëmijëve të tyre se të vjedhësh është turp, siç shqiptarët ju kam mësuar gjithmonë prindërve dhe siç disa nuk e dinë akoma në këtë vend. Ka shpresë sepse shumica e shqiptarëve e ndërtojnë dhe duan ta ndërtojnë jetën e tyre me djersën e ballit, dhe jo me taksat e të tjerëve. Ka shpresë, sepse ka mijëra sot socialistë të ndershëm që ndihen të zhgënjyer dhe të përdorur nga vetë partia e tyre. Ka shpresë, sepse edhe në këto çaste që flasim, shumica e dërrmuesve të këtyre policëve që janë këtu para nesh presin nga ne. Do të donin të ishin me ne. Edhe ata shpresojnë nga ne, sepse janë si ne. Njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm.

Ne kemi një vend të mrekullueshëm, me pasuri të jashtëzakonshme. Gjyshërit tanë na trashëguan vlera që na i ka zili gjithë Europa, dhe me të cilat mburremi kudo ku shkojmë. Të rinjtë tanë sot janë në të njëjtin hap, në të njëjtën frekuencë. Nuk ndryshojnë fare nga tridhjetë evropianë ose amerikanë. Shqiptarët kudo që janë, janë të suksesshëm kudo që u jepet mundësia të punojnë me djersën e tyre. Ne kemi sot në krah aleatët më të fuqishëm të planetit. Ky vend është bekuar nga Zoti. Të gjithë e dimë. Atëherë le të bëhemi bashkë, të gjithë pa asnjë dallim. Le t’i besojmë njëri-tjetrit, njësoj si mbi tre dekada më parë. Dhe të ndërtojmë një Shqipëri të re, një Shqipëri për njerëzit e ndershëm. Gjithçka nis në këtë shesh. E drejta është me ne!

About Redaksia

Check Also

Foto-Lajm/ Policia qëllon me bombul gazi në kokë protestuesin

Policia ka qëlluar drejtpërdrejtë protestuesit, në protestën e Partisë Demokratike këtë të premte. Sipas raportimeve, …