46 anëtarë të Partisë Demokratike do të garojnë sot për t’u zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i PD-së anëtarë të Kryesisë së PD-së. Gjatë fjalës së tij kreu i PD Sali Berisha tha se Rithemelimi është një proces unik i PD, ndërsa ka kujtuar dhe humbjet e partisë kur ishte në drejtimin e Lulzim Bashës.
‘Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, për procesin historik të rithemelimit të kësaj partie. Ne mblidhemi sot në këtë mbledhje shumë të rëndësishme për të zgjedhur forumin drejtues të PD, për 4 vitet që vijnë, kryesinë e kësaj partie.
Ky shënon përfundimin me sukses të një procesi të vazhduar procedurash, aktesh, referendumesh, të papara ndonjëherë në këtë parti dhe unike për një forcë politike që në themel kishin lirinë e anëtarëve dhe anëtareve të kësaj force.
Ne ja dolëm, përkundrejt vështirësive të jashtëzakonshme, të jemi sot opozitë e vërtetë. Të jemi sot më të fuqishëm se kurrë në misionin tonë.
Merita absolute në këtë proces u takon anëtareve dhe anëtarëve të PD. Ata në 8 vite, tani po shkojnë 9, kishin ruajtur si gjënë më të çmuar misionin e tyre të lirisë. Ata u ngritën sapo u dha kushtrimi, u bë thirrja, u ngritën në këmbë për të shpëtuar forcën e tyre politike. Me idealet e tyre udhëheqëse, edhe në zgjedhjet e fundit, ata e mbajtën këtë parti si forcën më të madhe politike pas diktature, në Europën Juglindore’, tha Berisha.