CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82

Presion i fortë nga Brukseli, Rama zbythet nga neni që ndalon pezullimin e zyrtarëve

Vrulli i madh i maxhorancës për të bllokuar pezullimin e zyrtarëve të lartë nga gjykatat duket se po zbehet në mënyrë të heshtur. Fiks një javë më parë, në 16 shkurt, maxhoranca depozitoi me urgjencë një projektligj për të ndaluar SPAK dhe Gjykatën e Posaçme që të pezullonin nga detyra anëtarët e qeverisë dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit.

Drafti i propozuar nga vet kryeministri Edi Rama, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla si dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ndryshonte nenin 242 të Kodit të Proçedurës Penale duke u dhënë imunitet nga masa e pezullimit, anëtarëve të qeverisë, Kryeministrit, Presidentit, Avokatit të Popullit, kryetarin të KLSH-së dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Por pas depozitimit me urgjencë duket se maxhoranca ka ngritur frenat e dorës. Një burim nga brenda maxhorancës i tha Kapitalit se direktiva e ardhur nga lart është ajo që projektlgji të mbahet njëherë në sirtar dhe të mos avancohet me miratimin e tij, fillimisht në Komisionet Parlamentare dhe më pas në seancë.

Por cila është arsyeja e shfryrjes kaq të shpejtë të vrullit të maxhorancës për t’i vënë kufirin tek thana SPAK-ut dhe gjykatave? Arsyeja është një tjetër kufi, që këtë herë i është vënë vetë maxhorancës.

Menjëherë sapo Partia Socialiste depozitoi zyrtarisht projektligjin në Kuvend, në Tiranë mbërriten mesazhe të qarta nga Brukseli. Bashkimi Europian nuk mund t’u njoh qeveritarëve të Shqipërisë privilegje që nuk ua njeh zyrtarëve të tij.

Në Bruksel, drejtësia është e lirë të hetojë, kontrolloje e madje edhe të arrestojë eurodeputetë dhe zyrtarë të lartë të Parlamentit apo Komisionit Europian. Të gjithë këta nuk gëzojnë asnjë imunitet përballë drejtësisë, ndaj Brukseli nuk mund t’ia njohë këtë privilegj zyrtarëve të një vendi që aspiron për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Mesazhi për Edi Ramën dhe maxhorancën ka qenë i qartë; Kufizimet ligjore, që bllokojnë institucionet e drejtësisë janë një vijë e kuqe, e cila kthen pas procesin e anëtarësimit në BE.

Madje jo vetëm kaq. Paralelisht maxhoranca është paralajmëruar se mesazhet e Brukselit për këto cështje nuk do të jenë më konfidenciale, por do të shpallen publikisht.

Ky presion i drejtëpërdrejtë duket se ka qenë arsyeja se pse Edi Rama po tërhiqet në heshtje nga firma e tij. /Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e SPAK/ Kush janë të fortët që kërcënuan dëshmitaret për Ballukun

SPAK i ka përgjuar dhe i ka me emra të fortët e Ballukut që kanë …