Pse Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore si ajo e modelit kroat

Nga Fransua MATO

Shqipëria po kalon një periudhë historike ku heshtja e qytetarëve ka filluar të bëhet më e rëndë se zhurma e politikës së ditës, sepse është shprehje e qartë e mungesës së shpresës dhe alternativës. Vazhdon të shënjohet si një periudhë ku mijëra shqiptarë vazhdojnë të nisen çdo ditë drejt pikave doganore e aeroporteve me një çantë shpine në kurriz, me shpresën për një jetë të re, për një mundësi më tepër, për një alternative që nuk ua siguron vendi i tyre. Janë pamje që përsëriten prej vitesh, njerëz që ikin pa kthyer kokën pas, të lodhur nga një elite drejtuese që nuk i dëgjon, nga një sistem që nuk i përfaqëson, nga një qeveri që nuk i llogarit, përveçëse për votime. Në aeroport, në autobusët që udhëtojnë çdo ditë drejt Europës, në rradhët e gjata të emigracionit, shumë prej tyre përsërisin të njëjtën fjali: “Çfarë po ndodh me ne?”.

E gjithë kjo ikje masive mendoj se nuk është thjesht vetëm nga shkaku i krizës ekonomike; para së gjithash mendoj se është një krizë e thellë besimi. Besimi tek drejtësia, tek institucionet, tek shteti, tek përfaqësimi. Siç thoshte Friedrich Nietzsche se ajo që e sfilit më shumë njeriun nuk është dhimbja, por moskuptimi i saj, kur tjetri nuk ka ndjeshmëri për dhimbjen tënde. Kur një popull humbet besimin tek përfaqësimi politik, nuk është më thjesht lodhje me moralin politik; është paralizë shoqërore. Demokracia nuk funksionon nëse proçesi i votimit kthehet vetëm në një ritual dhe jo në rezultatin e pritshëm nga vota. Dhe shqiptarët e dinë si është demokracia, e dinë ç’do të thotë demokraci, pavarësisht se nuk e kanë ende në dorë pushtetin e votës. E kuptojnë sa herë që shohin se listat “gjysmë të hapura” janë në të vërtetë të mbyllura hermetikisht; sa herë që shohin se deputetët nuk ndryshojnë asnjë rresht të renditjes së tyre pavarësisht votës së qytetarëve; sa herë që shohin se diaspora, një e treta e kombit, mbetet e padukshme politikisht, një trupë e madhe qytetarësh që votojnë pa u përfaqësuar dhe që përmenden vetëm në fjalimet e fushatave.

Një nga problemet e këtij sistemi është dhe mospërfaqësimi i diasporës. Diaspora është një aset i jashtëzakonshëm për vendin tonë, është aset edhe për vendet ku janë integruar shqiptarët e mërguar, ndaj duhet patjetër të ketë zërin e vet në legjislativin shqiptar. Diaspora janë djemtë e vajzat e Shqipërisë që mërguan nga toka e nga deti përmes rreziqeve të panumërta për ta ndihmuar financiarisht familjen shqiptare, e kështu dhe rimëkëmbjen e Shqipërisë. Ky është dëm i dyfishtë: moral (ka dëmtuar besimin) dhe demokratik (ka dëmtuar sistemin). Më në detaje: moral, sepse përjashton nga jeta politike një pjesë të mirë dhe shumë aktive të popullit – shqiptarët që punojnë, studiojnë dhe jetojnë jashtë. Demokratik, sepse krijon një parlament të cunguar, me një përfaqësim të deformuar ku mungon një pjesë e konsiderueshme e vullnetit të popullit.

Në zgjedhjet e fundit me diasporën u luajt një farsë e shëmtuar, e cila nuk duhet të përsëritet më në zgjedhjet e ardhshme. Një praktikë tjetër zgjedhore aspak serioze ëshë se në Shqipëri votohet sipas qarqeve pa një logjikë demografike, ku vota e një qytetari në Tiranë nuk ka të njëjtën peshë me votën e një qytetari në Kukës apo Gjirokastër (ka peshë shumë më shumë). Ndërkohë, listat e partive, edhe pse quhen “të hapura”, hapen aq pak sa i gjithë sistemi duket sikur është vendosur para se të shkojë tek zgjedhësi. Ndërkohë, në të njëjtin Ballkan ku ne jetojmë, dhe ku kemi një histori tranzicioni pak a shumë të njëjtë në start, Kroacia ka arritur të ndërtojë një sistem proporcional të drejtë e funksional. Jo sepse është vend më i pasur apo më i begatë politikisht, por sepse ka marrë vendime të guximshme.

Kroacia ka dhjetë njësi zgjedhore të barabarta, ku secila zgjedh të njëjtin numër deputetësh, duke siguruar peshë të barabartë të votës kudo në territor. Këtë parim, që Aristoteli e quante “barazia e peshës së qytetarisë”, Shqipëria nuk e ka arritur ende. Edhe më e rëndësishme është se Kroacia ka një njësi të veçantë zgjedhore për diasporën -Njësinë XI, e cila zgjedh gjithashtu deputetët e vet dhe iu jep politikanëve kroatë përgjegjësi direkte për qytetarët jashtë vendit, dhe përgjegjësi për bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në shtetin amë. Kjo është pjesa që Shqipëria e ka refuzuar për tridhjetë vite, duke e trajtuar diasporën jo si pjesë institucionale të organit ligjvënës shqiptar, por vetëm si dekor për fushata elektorale.

Një njollë tjetër është dhe vota vota preferenciale e ligjëruar në Kodin elektoral shqiptar. Në Kroaci, nëse një kandidat merr 10% të votave të partisë së tij, ai ngrihet automatikisht në listë, duke respektuar kështu vullnetin e zgjedhësve. Kjo e detyron çdo kandidat të shkojë te njerëzit, të punojë me ta, t’i dëgjojë, t’u japë llogari. E detyron të jetë lider i komunitetit, jo i korridoreve të partisë. Ndërsa në Shqipëri, vota preferenciale është simbolike, një numërim që nuk ndryshon asgjë. Deputeti e di se mandati i tij nuk varet nga qytetarët – prandaj nuk kthehet kurrë më pas tek zgjedhësit e tij. Dhe qytetarët e dinë se deputeti nuk varet prej tyre – prandaj nuk presin më asgjë prej tij, prandaj shumica dërrmuese rreshtohet në elektoratin gri. I braktis votimet.

Kështu vdes përfaqësimi. Kroacia, një vend me një strukturë legjislativi të menduar dhe të barabartë, ka krijuar jo vetëm një parlament më funksional, por edhe një lidhje më të shëndetshme mes qytetarëve dhe politikës. Ajo ka kuptuar diçka të thjeshtë që Tocqueville e shpreh qartë: “Demokracia qëndron ose bie nga përfaqësimi; kur përfaqësimi prishet, edhe demokracia prishet”. Kroacia ka mundur ta shmangë këtë rrezik; Shqipëria po e përjeton ende në mënyrën më të dhimbshme. Nëse Shqipëria do të përshtaste elementët më të dobishëm të modelit kroat; riorganizimin e njësive zgjedhore për një peshë të barabartë të votës, krijimin e një zone zgjedhore për diasporën, forcimin e votës preferenciale me efekt automatik mbi renditjen, sistemi politik shqiptar do të ndryshonte rrënjësisht, edhe besimi tek institucionet dhe politika do të ndryshonte gjithashtu. Do të kishim një parlament më autonom, më pluralist, më të përgjegjshëm.

Deputetët do të detyroheshin t’iu drejtoheshin njerëzve dhe t’i përfaqësonin më me përgjegjësi ata, nuk do ngeleshin “kukulla” me kartona në duar duke ndjekur me bisht të syrit miratimin apo mosmiratimin e kryetarëve. Diaspora do të kishte zë politik dhe përgjegjësi politike. Pesha e votës do të ishte e njëjtë në gjithë vendin. Do të zhdukej ndjesia e padrejtësisë dhe e paracaktimit të kandidatëve që do futen në parlament që në listë, pa shkuar ende te votuesi. Në situatën e sotme politike shqiptare dhe me kulturën politike që u krijua tek ne pas rënies së regjimit komunist, e gjitha kjo duket asgjë më shumë se utopi. Por në fakt nuk është aspak utopi. Nuk është aspak e pamundur. Është thjesht ajo që kanë bërë më parë vende e popuj me strukturë modeste dhe mentalitet politik të ngjashëm me ne. Problemi nuk është mungesa e modeleve, është mungesa e vullnetit. Politikanët shpesh kanë frikë nga sistemet e drejta, sepse sistemet e drejta i bëjnë ata të përgjegjshëm. Por pa këtë ndryshim, Shqipëria rrezikon të qëndrojë në një gjendje që Jean Jacques Rousseau e përshkruante me një ironi therëse: “Populli anglez mendon se është i lirë, por është i lirë vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve”. Tek ne, rreziku është edhe më i madh: të mos jemi të lirë as në ditën e zgjedhjeve, sepse vota nuk prodhon përfaqësim. Në fund, çdo reformë zgjedhore është më shumë se teknikë; është akt moral. Është pyetja se kujt i shërben shteti: ligjvënësve me shpurat e tyre apo qytetarëve?

Nëse Shqipëria dëshiron të ndalë largimin masiv, të përfaqësojë diasporën e cila është një forcë demografike e qytetarëve shqiptarë me një rol të padiskutueshëm social-ekonomik në Shqipëri, – të ringjallë besimin demokratik, duhet të fillojë pikërisht këtu: tek vota, tek përfaqësimi, tek barazia politike. Sistemi elektoral duhet reformuar në disa drejtime; theksi im është tek marrja parasysh e sistemit kroat, për përfaqësimin e diasporës dhe për vlerën e barabartë të votës. Siç thoshte Vaclav Havel, “shpresa nuk është bindja se gjithçka do të shkojë mirë, por bindja se diçka ka kuptim, pavarësisht si shkon”. Shqipëria ka nevojë të rikthejë kuptimin e votës. Ka nevojë të rikthejë kuptimin e demokracisë. Ka nevojë të rikthejë kuptimin e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të vet, pavarësisht ku jetojnë, apo cilat ide politike përfaqësojnë, gjë e cila sjell shpresën për të gjithë. Sepse, në fund të fundit, vetëm kur qytetari do fillojë ta ndjejë se është i përfaqësuar, mund të flasim për kthimin e shpresës së Shqipëria do të bëhet.

About Redaksia

Check Also

Video seksuale në grup në telefonin e Berberit të rrugëve/ Media austriake per skandalin-Balluku

Richard Schmitt Akuza ndaj zëvendëskryeministres: Video seksuale, tensione politike dhe hetimet që tronditin Tiranën Në …