Pse në shpellën e mafies imuniteti Ballukut është shpallur monopol krimi

Nga Ndriçim KULLA

Kërkesa për dorëzimin e imunitetit të Belinda Balluku ka rënë mbi qeverisjen  shqiptare jo si një akt procedural i ftohtë, por si një trokitje nate në portat e një kështjelle ku errësira është bërë ligj, ku heshtja është disiplinë dhe ku frika ushqehet prej vitesh si virtyt shtetëror, sepse ajo që   trondit nuk ishte thjesht një emër apo një mandat, por vetë shpella e mafies së regjimit, ajo zgavër e lagësht ku pushteti ka mësuar të flasë me shenja, të mbyllë dyer me gjak dhe të thurë besnikëri me interesa, siç thuren komplotet në tragjeditë e vjetra, ku krimi nuk ndodh në shesh, por në korridor.

Në këtë teatër makbethian, ku pushteti nuk fle kurrë i qetë dhe ndërgjegjja endet si fantazmë mbi muret e pallatit, kërkesa për imunitetin u shfaq si një pasqyrë e thyer që u tregoi banorëve të errësirës fytyrat e tyre të vërteta, sepse kur drejtësia troket, nuk e bën këtë për të pyetur, por për të kujtuar se edhe kurora më e rëndë mbahet mbi një qafë njerëzore, dhe se çdo pushtet që ndërtohet mbi frikë e heshtje është i destinuar të tronditet nga një fjalë e vetme: llogari.

Në shpellën e mafies, e cila për më shumë se një dekadë u mbajt e mbyllur hermetikisht nga propaganda, frika dhe bashkëpunimi i heshtur ndërkombëtar, kanë filluar më në fund të depërtojnë rrezet e para të dritës, jo si ndriçim i plotë çlirues, por si çarje të dhimbshme në murin e errësirës që e ka mbajtur këtë vend peng, dhe pikërisht ky depërtim i dritës po e bën edhe më të shëmtuar pamjen e asaj që për vite me radhë u paraqit si madhështi, stabilitet dhe modernizim, ndërkohë që në thelb ishte vetëm një strukturë pushteti e ndërtuar mbi krimin, korrupsionin dhe përdorimin instrumental të shtetit për mbijetesë personale dhe politike. Ashtu si gjiganti i Viktor Hygoit, që nga larg dukej i përjetshëm dhe i pathyeshëm, por që nga afër rezultoi të ishte vetëm një formë bore e lyer me ngjyra mashtruese, edhe kjo krijesë politike, e ndërtuar me kujdes përmes imazhit, spektaklit dhe manipulimit mediatik, po shkrin dalëngadalë, duke zbuluar një fytyrë shumë më të errët, më cinike dhe më kriminale nga sa e kishin imagjinuar edhe ata që prej vitesh dyshonin se pas buzëqeshjes, ironisë dhe retorikës artistike fshihej një pushtet thellësisht antidemokratik.

Sot nuk kemi më të bëjmë me interpretime, por me fakte të përsëritura, me akte konkrete që e zhveshin përfundimisht regjimin nga çdo pretendim për shtet ligjor, sepse refuzimi i përsëritur i parlamentit për të lejuar edhe hetimin minimal të figurave kyçe të pushtetit, refuzimi për të hequr imunitetin kur ligji e kërkon qartë, nuk është më një devijim procedural, por një strategji e mirë organizuar për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur bashkëpunëtorët e krimit politik. Në këtë kuptim, parlamenti nuk funksionon më si institucion përfaqësues, por si mburojë e një organizate që e ka shndërruar shtetin në instrument mbrojtjeje personale, dhe çdo votë kundër transparencës është një dëshmi e frikës së tyre nga drita, sepse drita nuk fal, nuk negocion dhe nuk respekton imunitete të rreme.

Kjo është arsyeja pse sot nuk mund të flasim më për krizë demokracie, por për një realitet diktatorial të kamufluar me procedura formale, për një regjim që e përdor gjuhën e demokracisë vetëm si alibi, ndërkohë që në praktikë funksionon me logjikën e bandës, ku besnikëria shpërblehet dhe dyshimi ndëshkohet, ku drejtësia nuk është institucion i pavarur, por armë selektive kundër kundërshtarëve. Dhe pikërisht këtu lind pyetja morale dhe politike që nuk mund të shmanget më: çfarë panë dhe çfarë zgjodhën të mos shihnin përfaqësuesit ndërkombëtarë që për vite me radhë e legjitimuan këtë pushtet si reformator dhe progresist? Çfarë kuptuan, dhe çfarë zgjodhën të relativizojnë, figura si Marta Kos dhe Silvio Gonzato, kur përballë tyre nuk kishin një demokraci të brishtë, por një sistem të tërë të ndërtuar mbi kapjen e institucioneve?

Bashkëfajësia nuk lind vetëm nga veprimi, por edhe nga heshtja, nga pranimi i një realiteti të rremë për hir të stabilitetit artificial, dhe nga zgjedhja për ta quajtur diktaturën demokraci vetëm sepse ajo prodhon qetësi sipërfaqësore dhe statistika të bukura në raporte. Por ajo që po ndodh sot tregon se stabiliteti i ndërtuar mbi krim është gjithmonë i përkohshëm, sepse në momentin që sistemi fillon të mbrojë hapur veten nga drejtësia, ai e pranon publikisht natyrën e tij kriminale. Rezistenca për t’i hequr mandatin një bashkëpunëtoreje kyçe të pushtetit, sipas ligjit dhe Kushtetutës, nuk është thjesht një akt arrogance politike, por prova më e qartë se e ashtuquajtura reformë në drejtësi ka qenë për këtë pushtet vetëm një fasadë e dobishme për të goditur kundërshtarët dhe për të simuluar shtet ligjor para ndërkombëtarëve, ndërkohë që thelbi i saj mbeti gjithmonë kontrolli dhe paralizimi i drejtësisë reale.

Në këtë kuptim, përpjekjet e vazhdueshme të kreut të kësaj strukture për t’iu shmangur ndëshkimit nuk janë shenjë force, por shenjë frike ekzistenciale, sepse pushteti që ka ndërtuar nuk mund të mbijetojë pa imunitet, pa mbrojtje politike dhe pa deformim institucional. Çdo urdhër për të mbajtur të paprekur një mandat, çdo presion mbi institucionet, çdo votë e dirigjuar në parlament, është një dëshmi se krimi dhe korrupsioni nuk janë devijime të këtij sistemi, por vetë baza mbi të cilën ai qëndron, faktori i tij i vetëm i ekzistencës. Dhe pikërisht për këtë arsye, sa më shumë që drita e së vërtetës depërton në shpellën e krimit, aq më e dhunshme bëhet përpjekja për ta mbajtur errësirën, sepse ata e dinë se jashtë asaj shpelle nuk ka mbijetesë politike për ta.

Megjithatë, historia na mëson se asnjë shpellë nuk i reziston pafundësisht dritës, dhe asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikë nuk i shpëton dot momentit të llogaridhënies, sepse kur maska bie, nuk mjafton më propaganda për ta rikthyer. Sot jemi në fazën kur regjimi nuk përpiqet më të bindë, por vetëm të mbrohet, dhe kjo është shenja më e qartë e fillimit të fundit të tij, sepse drejtësia mund të vonojë, por kur drita ka hyrë një herë, ajo nuk mund të nxirret më jashtë.

About Redaksia

Check Also

Nuk janë rrugët ato që po shemben, por shteti!

Nga Klodian TOMORRI Sa herë që Shqipëria përballet me një krizë apo katastrofë ka gjithmonë …