Sistemet zgjedhore: Shqipëria dhe Austria

Nga Klea DUÇKA

Në çdo demokraci, mënyra se si votohet dhe si përkthehen votat në mandate parlamentare përcakton jo vetëm se kush qeveris, por edhe sa e drejtë, e qëndrueshme dhe e përfaqësueshme është politika. Gjatë 35 viteve pas rënies së komunizmit, thembra e Akilit e demokracisë shqiptare janë zgjedhjet elektorale. Në Shqipëri janë provuar të tre llojet e ndryshme të sistemeve elektorale: ai mazhoritar i pastër, mazhoritar me korrigjim proporcional dhe proporcional rajonal. Përveç ndryshimeve thelbësore të sistemit, ka patur dhe mbi 20 ndërhyrje me ligj nga parlamenti në kodin zgjedhor, pra praktikisht një herë në dy vjet janë futur duart në sistemin elektoral. Një ndryshim kaq i shpeshtë i rregullave të lojës në sistemin zgjedhor dhe fakti, që sidomos në kodin aktual që kemi janë bërë rreth 10 – 15 ndryshime që nga viti 2008, tregon që ky është një nga kodet më problematike që Shqipëria ka patur ndonjëherë.

Sistemi proporcional me lista të mbyllura, ndonëse është efikas dhe funksional në përfaqësim në shumë vende të Evropës, në bazë edhe të menyrës se si është hartuar, metodave matematike të llogaritjes së mandateve dhe numrit të votave në faza të ndryshme të procesit zgjedhor, mund të mos jetë plotësisht i përshatshëm për Shqipërinë, për shkak të numrit total të mandateve parlamentare, unikameralizmit të kuvendit, demografisë, si dhe ndarjes administrative dhe shtrirjes së vogël gjeografike.

Austria, një demokraci e konsoliduar e me ekonomi të fortë, ka zhvilluar një sistem zgjedhor, shumë të sofistikuar, ndër më të ndërlikuarit në botë, i cili synon përpikmëri maksimale në përfaqësim. Bëhet fjalë për një sistem proporcional me tre nivele: rajonal,federal dhe kombëtar, me lista gjysmë të hapura (votë preferenciale), ku votuesi mund të zgjedhë kandidatin e preferuar brenda partisë. Austria ndahet në 9 zona federale (Bundeslande), me gjithsej 39 zona rajonale brenda tyre (Wahlkreise). Parlamenti i Austrisë është bikameral, i përbërë nga Nationalrat (Këshilli Kombëtar, organi ekzekutiv) dhe Bundesrat (Këshilli federal, qeverisja vendore). Në zgjedhjet për Nationalrat, partitë duhet të sigurojnë ose 4% të votave në rang

kombëtar, ose të fitojnë një mandat bazë, i cili kërkon rreth 20-25% të votave në zonat rajonale. Këto kuota përcaktojnë pragun hyrës në parlament, apo organet e qeverisjes federale.
Alokimi i mandateve kalon nëpër faza të shumta llogaritjeje. Në fazën e parë, për zonat rajonale përdoret kuota Hare, e cila llogaritet nga totali i votave të vlefshme për zonën dhe numrin e mandateve në atë zonë. Partitë marrin mandate direkte nëse votat e tyre e arrijnë, ose tejkalojnë këtë kuotë. Votat e mbetura, të cilat nuk arrijnë të plotësojnë kuotën, nuk humbasin, por transferohen në nivelin tjetër (federal). Nga kjo fazë ndahen rreth 80-90 mandate për subjektet politike, duke siguruar në mënyrë efikase një përfaqësim lokal dhe lidhje të të zgjedhurve me votuesit e tyre në zonat e vogla.

Në fazën e dytë, për 9 shtetet federale futen votat e mbetura jashtë dhe që nuk arritën plotësimin e kuotës në fazën e parë. Këtu aplikohet sërisht kuota Hare në nivel shteti: numri i votave totale në rang federal pjesëtuar për numrin e mandateve të parashikuara për shtetin përkatës. Në këtë fazë, partitë marrin mandate shtesë nga lista federale, duke zbritur ato që kanë arritur të marrin në fazën e parë. Nëse një subjekt politik nuk ka arritur të marrë asnjë mandat direkt në fazën e parë, në asnjë nga 39 zonat rajonale, zakonisht nuk arrin dot të marrë mandate në fazat e mëtejshme, perveçse në rastin, kur ka kaluar pragun hyrës prej 4% në nivel kombëtar.

Në fazën e tretë, në nivelin kombëtar, të gjitha votat e mbetura nga dy fazat e para, përdoren për të shpërndarë mandatet e mbetura. Këtu aplikohet metoda D’Hondt: numri total i votave që kanë siguruar partitë në çdo shtet, i pjesëtuar me numrin e mandateve të marra deri në momentin e llogaritjes. Nga rezultatet që dalin, merren mesataret më të larta, derisa të plotësohen 183 mandate në total. Mandatet e marra në fazën e parë dhe të dytë zbriten nga totali i partisë, ndërsa mandatet shtesë vijnë nga lista federale. Kjo fazë mundëson korrigjimin e cdo disproporcionaliteti, por logjikisht favorizon pak edhe partitë më të mëdha. Megjithatë sistemi mbetet shumë proporcional, duke penguar fragmentimin e tepërt, për shkak të pragut hyrës prej 4% dhe duke lejuar njëkohësisht edhe partitë e vogla të hyjnë në parlament, nëse arrijnë të kenë përfaqësim lokal.

Në Shqipëri, tentativat kanë qenë për të dizenjuar një sistem të ngjashëm me atë të Austrisë, ndonëse jo aq kompleks, e as efiçent në përfaqësim. Sistemi aktual proporcional me lista të mbyllura ka provuar të jetë një dështim total, si dhe në një farë mënyre, vetëvrasje politike për opozitën dhe në përgjithësi për garantimin e rotacionit dhe zgjedhjeve të lira. Duke qenë se nuk ka prag kombëtar zyrtar, por ka një kuotë të lartë hyrëse në qarqet e vogla (zakonisht mbi 10%), ndërkohë që në qarqet e mëdha arrin edhe 2-4%, aplikimi i metodës D’Hondt favorizon së tepërmi dy partitë e mëdha, PD dhe PS, por pengon hyrjen e partive të vogla, për shkak të fragmentimit dhe zonave të ngushta administrative, rrit rrezikun e manipulimit të votës dhe shtrembëron përfaqësimin proporcional kombëtar. Kjo u pa edhe në shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet e 11 majit 2025, ku PS, pas 12 vitesh në pushtet, arriti të marrë 83 mandate, ndërkohë që PD siguroi vetëm 50 të tilla, 13 mandate më pak se në zgjedhjet e vitit 2021.

Argumenti kryesor që u dha për ndryshimin e kodit në vitin 2008, ishte shmangia e fenomenit të Dushkut. Me këtë justifikim, kodi u ndryshua rrënjësisht dhe sic e ka treguar qartë dhe koha, ai ndryshim ka qënë katastrofal për fatet e demokracisë në Shqipëri, Sistemi aktual, ku e rëndësishme është partia dhe jo individi e ka ulur cilësinë e deputetëve në Kuvend, ka lënë pa përfaqësim direkt elektoratin i cili tashmë nuk e di cili është deputeti i tij, ka rritur kontrollin e kryetarit të partisë me përfshirjen ose jo të emrit në lista. Duke qenë rajonal, ai shkakton devijime të mëdha të vullnetit politik të votuesit e për më tepër rrit jashtëzakonisht shumë kostot elektorale, ku një kandidati i duhet të bredhë gjithë qarkun për një votë e në këtë mënyrë favorizon kandidatët apo partinë me pushtet më të madh financiar, duke cuar shpesh ne financime të paligjshme të fushatave.

Në këtë kontekst, duket qartë që me një sistem të tillë, ardhja e opozitës në pushtet është absolutisht e pamundur, sidomos në kushtet kur tashmë PS është kthyer në një makineri të stërmadhe financiare dhe pushteti. Pushtet që bazohet tek përqëndrimi i tij dhe për ta ndryshuar këtë, duhet rikthyer copëzimi i pushtetit. Hapi i parë për këtë gjë është rikthimi i sistemit mazhoritar me korigjim proporcional, por me disa ndryshime për të adresuar problemet e vjetra.

Ne duhet të rikthejmë një sistem zgjedhor që kombinon përgjegjësinë direkte lokale të deputetit (përmes mazhoritarit me dy raunde, nëse nevojitet) me proporcionalitetin e përgjithshëm të votës popullore (korrigjim kombëtar), duke thyer centralizimin e pushtetit te kryetarët e partive e rritur konkurrencën reale, duke forcuar lidhjen deputet – zonë dhe duke shmangur manipulimet e mandateve proporcionale siç ndodhën në “Fenomenin Dushku” (2001) dhe “MegaDushkun” (2005). Për të adresuar problemet e vjetra duhen bërë këto ndryshime themelore:

Numri i deputetëve që dalin nga mazhoritari të jetë i barabartë me numrin e deputetëve që dalin nga korrigjimi proporcional. Në këtë mënyrë evitohet fenomeni salamandër në caktimin e zonave zgjedhore mazhoritare. P.sh., nëse duam të ruajmë numrin aktual të deputetëve mund të jenë 70 deputetë që dalin nga mazhoritari dhe 70 nga korigjimi proporcional, në total 140.

Deputeti duhet të fitojë shumicën absolute të votave. Nëse nuk arrihet në raundin e parë, në raundin e dytë shkojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë.

Vota duhet të jetë unike vetëm për kandidatin, pa fletë votimi për partitë. Zgjedhësi voton vetëm kandidatin individual në zonën e tij. Nëse kandidati është partiak, kjo votë numërohet automatikisht edhe për partinë e tij në nivel kombëtar për shpërndarjen e mandateve proporcionale. Kjo shmang plotësisht skemat taktike ku një zonë (ose vend) prodhon mandate artificiale për parti të vogla pa fituar zona reale, si në Dushk 2001 (ku disa deputetë dolën nga një fshat i vetëm) apo MegaDushku 2005 (ku Partia Republikane mori 11 mandate proporcionale pa fituar asnjë zonë mazhoritare, falë marrëveshjeve dhe transferimeve të votave).

Trajtimi i të pavarurve si grup i veçantë. Votat për kandidatët e pavarur mblidhen në një “Poll” kombëtar të pavarur. Nëse totali i këtij grupi arrin pragun për mandate proporcionale (sipas formulës së korrigjimit), mandatet shpërndahen sipas renditjes së votave individuale të të pavarurve (kush ka më shumë vota merr mandatin e parë, pastaj i dyti, etj.). Kjo i mundëson pjesëmarrje të pavarurve ,pa i detyruar të bashkohen me parti, duke rritur pluralizmin dhe shanset për figura jo-partiake.

Disa nga avantazhet kryesore të këtij sistemi janë:
Thyerja e monopolit të kryetarëve të partive: Populli zgjedh drejtpërdrejt deputetin pa varësi nga listat e kontrolluara nga lart; kandidatët duhet të fitojnë meritë lokale, jo vetëm besnikëri partiake.

Deputeti i zonës është i qartë dhe i llogaridhënshëm: Zgjedhësit dinë saktësisht kujt t’i kërkojnë llogari për problemet lokale.

Deputeti lidhet më fort me interesat e zonës: Ai varet nga vota lokale për të mbajtur mandatin, jo nga vendimet e kryetarit të partisë.

Rritje e konkurrencës brenda dhe jashtë partive: Kandidatët luftojnë fort në zonë; të pavarurit kanë shans real për t’u zgjedhur.

Mbrojtje nga kriminalizimi i pretenduar: Sistemi mazhoritar me zona të vogla detyron transparencë lokale dhe garë të fortë; frika se “kriminelët fitojnë zona” nuk qëndron në shifra historike (kandidatët e kompromentuar hyjnë kryesisht nëpërmjet partive të mëdha, jo si të pavarur që dominojnë një zonë). E për më tepër, përjashtimi nga e drejta politike duhet të vijë vetëm nga dënimi penal i formës së prerë , jo nga sistemi elektoral, por nga drejtësia.

Kostot elektorale janë të ulëta për kandidatin i cili duhet të luftojë vetëm brenda zonës elektorale, ku jeton.

Sistemi austriak, edhe pse i admirueshëm për saktësinë e tij proporcionale, është shumë i ndërlikuar për Shqipërinë e sotme: do të kërkonte administratë zgjedhore shumë më profesionale, transparencë totale, besim institucional dhe një shoqëri me polarizim të ulët, kushte që ende nuk i plotësojmë. Në këto rrethana, rikthimi i nje sistemi mazhoritar me korrigjim proporcional, si ai i propozuar me sipër është zgjidhja më e mirë për t’i dhënë fund kaosit elektoral dhe shtrembërimeve të vullnetit popullor që kanë prodhuar ndërhyrjet në kodin zgjedhor deri më sot, si dhe për të garantuar një nga shtyllat mbajtëse të rendit demokratik, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

About Redaksia

Check Also

Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas/ PD Elbasan: Korrupsioni po na izolon! Më 28 shkurt të gjithë në Tiranë!

Partia Demokratike, dega Elbasan, ka reaguar ndaj situatës së rënduar të infrastrukturës rrugore në qark, …