Pedagogia Marinela Sota u shpreh gjatë fjalës së saj se ligji për arsimin e lartë ka shkaktuar një dëmtim të madh në universitetet publike dhe në kërkimin shkencor në Shqipëri.
Sipas saj, ky ligj ka dështuar të realizojë objektivat e premtuara, duke çuar studentët më të mirë drejt universiteteve private dhe duke krijuar një kolaps të funksionimit të universiteteve shtetërore.
Ajo denoncoi rritjen e administratës dhe krijimin e agjencive të panevojshme, ndërkohë që rankimi i universiteteve duhet t’i lihet tregut dhe shoqërisë.
Fjala e saj
Unë thjesht dua të them vetëm tre gjëra dhe dua të rri shumë shkurt. Shumicën e problemit e kam me ligjin për arsimin e lartë. Kam qenë një nga anëtarët e grupit që ka zhvilluar dy takime me dy ministra socialistë për ta kundërshtuar këtë ligj, si përfaqësuese e studentëve. Nuk u morën parasysh asnjë nga rekomandimet që ne dhamë.
Studentët u gënjyen me kartën e studentit dhe me paktin për universitetin, gjë që nuk solli asnjë rezultat. Projektligji ka shkaktuar dëme të mëdha universiteteve publike; ato tashmë nuk arrijnë të tërheqin studentët më të mirë, të cilët po drejtohen drejt universiteteve private, të investuara më mirë.
Qëllimi i ligjit për arsimin e lartë autonomia, modernizimi i programeve dhe lidhja me ekonominë dhe shoqërinë – nuk u realizua. Përkundrazi, ai vetëm rriti administratën dhe krijoi disproporcion mes pedagogëve dhe stafit administrativ, gjë që nuk shërben studentëve.
Gjithashtu, u krijuan agjenci të shumta për akreditimin dhe rankimin e universiteteve. Akreditimi, që më parë kryhej nga një drejtori në Ministrinë e Arsimit, u bë formal dhe burokratik, duke krijuar një mbingarkesë të panevojshme administrative. Rankimi gjithashtu mund të përcaktohet nga tregu dhe shoqëria, duke u krahasuar me punësimin e studentëve pas përfundimit të studimeve, ashtu si ndodh në të gjitha vendet e Europës.
Kur flitet për kërkimin shkencor, duket sikur është zero. Në fakt, ka doktoratura dhe produkte shumë të mira nga studentët e doktoraturës, por ato nuk shërbejnë për publikun. Universiteti i Tiranës i ka tërhequr të gjitha doktoraturat nga publiku për shkak të frikës nga plagjiatura, ndërkohë që disa studiues kanë prodhuar kërkim shkencor të vlefshëm. Rregullorja e re e plagjiaturës ka kufizuar edhe më tej mundësinë e ankimit nga publiku, duke e bërë procesin të mbyllur.
Për doktoraturat dhe programet post-doktorale, financimi është minimal; studentët paguajnë vetë për doktoraturën e tyre, ndërsa shteti nuk kontribuon. Programet post-doktorale, që mund të sjellin njohuri të reja në shoqëri, mungojnë.
Edhe terminologjia e institucioneve është e gabuar; për shembull, Ministria e Mbrojtjes Sociale duhet të quhet Ministria e Mirëqenies Sociale, pasi nuk mund të kufizohet thjesht në “mbrojtje”. Universitetet dhe institucionet kërkimore duhet të vlerësojnë realisht shërbimet sociale dhe të japin të dhëna të qarta mbi performancën e tyre.
Ka shumë gjëra që duhen rregulluar dhe diskutuar, por këto janë pikat kryesore që tregojnë problematikën reale të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në vend.
Gazeta RD