Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në Kuvend se, kjo qeveri po diskriminon të varfrit, por jo vetëm.
“Por ky është regjimi i diskriminimit universal. Si askund në Europë. Si në asnjë vend të lirë, këtu me ligj dhe vendime qeverie diskriminohen të varfrit. Privohen nga arsimi.
A mund të imagjinoni që të ngrihet mesatarja për universitetet, ndërkohë që e gjithë Shqipëria rurale është një pikë e gjysmë nën Tiranën. Kështu ju i diskriminoni ata vetëm pse janë të varfër. Jeni kthyer në praktikat e etërve tuaj.
Të diskriminuar janë demokratët. Me një të rëndë të lapsit, u hoqën 20 mijë familje të Kukësit nga ndihma ekonomike, vetëm pse nuk votojnë për qeverinë.
Meqë jemi te Kukësi, është qarku që prodhon për frymë më shumë të ardhura se çdo qark tjetër, miliarda kaskada, qindra milionë Rruga e Kombit, qindra milionë minierat. A e dini se është qarku më i varfër në Shqipëri dhe Evropë?
Të ardhurat për frymë janë 47 përqind më pak se Tirana. Nuk ka pasur toka diskriminues të tillë.
Edhe Enver Hoxha përpiqej që të bënte një lloj shpërndarje, por ju, duke praktikuar vjedhjen, ju diskriminoni Shqipërinë rurale të tërë.
Para pak kohësh kalova në Pogradec. Diskriminim total. Marrëzia juaj nuk kishte kufi që edhe Tushemishtin nuk e kishit përfshirë në 100 fshatrat e destinacioneve turistike.
Ju diskriminoni dhunshëm komunitetet fetare, diskriminoni pronarët, diskriminoni të përndjekurit politikë.
Jo vetëm që nuk u ktheni pronat pronarëve, por ua grabisni tokat. Tokat e komuniteteve fetare grabiten dhe plaçkiten nga lukunia juaj në pushtet, që nuk njeh kufi dhe vjedhje.
Diskriminim klasor ju u bëni të përndjekurve politikë. Në një akt të shëmtuar, sot refuzuat Simon Mirakën. Njëri nga ikonat e vuajtjes dhe persekutimit, pasardhës të një familje të shkëlqyer. Me një kopili, individë që i lidh krimin, i fshijnë emrin si komisioner për Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufishëm. A e dini ju sot se 95 përqind të proceseve gjyqësore fitohen nga narko-qeveria? Qytetarët nuk fitojnë më procese gjyqësore. Jashtë çdo imagjinate. Dhe tani vendosën që rekursin ta shndërroni në një mekanizëm plaçkitje të vërtetë me vendim. Të përzgjidhni ata, të cilët nuk do të shkojnë në Gjykatë të Lartë me shuma të majme.
Me qeveritarë që vjedhin, ditën dhe natën, që vjedhin kafshatën tuaj, ilaçet tuaja, që vjedhin ushqimet tuaja, që vjedhin në çdo gjë, nuk mund të ketë kurrë barazi. Barazia ligjore është thjesht një iluzion. Rruga e vetme është që të mendojmë secili prej nesh për këtë vend. Ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të lirë dhe të barabartë para ligjit”, tha Berisha.
Berisha foli në Kuvend edhe në lidhje me çështjen e diskriminimit. Ai e nisi fjalën duke u ndalur te diskriminimi i minoriteteve në Shqipëri.
“Kur debaton për këtë temë, mendja të shkon te minoritetet, që jetojnë në shekuj në Shqipëri. E vërteta është se ata kanë qenë në këto 8 vite, qytetarët shqiptarë të diskriminuar të Europës dhe jo me ligje, por me praktika diskriminuese.
Shkoni pak në zonat minoritare, kontrolloni pak se cilat janë investimet e dërguara nga qeveria qendrore në këto zona. Zero! Është ndjekur politika e shpërfilljes totale dhe diskriminimit të plotë të tyre. Shkoni në Korçë. Edhe tregun ua morën.
Faktikisht sot, minorancat janë fiktive, për të mos thënë të paqena, edhe pse për statistika, gjysma juaj është gati të regjistrohet si pakicë. Kjo është situata me minoritetet”, tha Berisha.