Nga Alba KEPI
Investigimi i gazetarit italian Luigi Pelazza në emisionin Le Iene riktheu sërish vëmendjen te një realitet që shumëkush në Shqipëri e di, por pak guxojnë ta thonë: rrjetet e mëdha të call center-ave mashtruese që operojnë në Tiranë.
Siç thuhet në tavolinat e Tiranës; një call center është baraz me një kontejner me kokainë.
Sipas dëshmive të mbledhura nga emisioni, disa prej këtyre call center-eve janë në pronësi të një ish-deputeti të Partisë Socialiste, një person me ndikim dhe me burime të mëdha financiare.
Dëshmitarët e emisionit tregojnë se, gjysma e call center-eve menaxhohet nga vëllai i një prej personave më të fuqishëm në Shqipëri, i cili ka lidhje vëllazërore me Italinë.
Sipas dëshmive të publikuara, këto struktura nuk janë vetëm një fenomen kriminal. Ato dyshohet se kanë lidhje me njerëz të fuqishëm të politikës dhe mbështetje nga struktura të shtetit, gjë që shpjegon pse për vite me radhë kanë funksionuar pa u prekur.
Kur një biznes mashtrimi që qarkullon dhjetëra apo qindra milionë euro arrin të veprojë hapur, pyetja nuk është vetëm kush janë mashtruesit.
Pyetja e vërtetë është: kush i mbron?
A është e mundur që një aktivitet i tillë të zhvillohet në qendër të Tiranës pa dijeninë e institucioneve?
A është e mundur që rrjete që mashtrojnë qytetarë europianë të funksionojnë për vite, ndërsa shteti reagon vetëm pasi skandali bëhet ndërkombëtar?
Investigimi është dorëzuar edhe tek prokurori antimafia Nicola Gratteri, gjë që tregon se problemi nuk është më vetëm shqiptar, por një çështje që prek besueshmërinë e Shqipërisë në Evropë.
Kjo është arsyeja pse kjo çështje nuk mund të trajtohet si një episod kriminal i izoluar.
Është një çështje politike dhe institucionale.
Sepse kur krimi arrin të ndërtojë një industri të tërë mashtrimi dhe të funksionojë për vite pa u ndalur, atëherë nuk kemi vetëm problem me krimin.
Kemi problem me shtetin dhe me politikën që duhet ta kontrollojë atë.
Shqipëria ka nevojë për transparencë, hetim të plotë dhe përgjegjësi politike, në mënyrë që askush sado i fuqishëm të mos jetë mbi ligjin.
Gazeta RD