Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në një konferencë për mediat komentoi qëndrimin e PS për të mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se kryeministri Edi Rama është kthyer në mbrojtës të korrupsionit dhe një i një të korruptuare si Balluku.
Ligjvënësi i opozitës thotë se vendimi për të mbrojtur Ballukun nuk është marrë dje, siç pretendon PS, por se është një vendim i paracaktuar që ditën kur Ballukut iu komunikua akuza për shkelje të pabarazisë në tende për rastin e Tunelit të Llogarasë.
Bardhi: Objektivi kryesor i Edi Ramës ishte viktimizimi i Belinda Ballukut, qeverisë së tij dhe atij vetë, duke u përpjekur të diskreditojë prokurorin e çështjes dhe SPAK-un, si dhe të minimizojë rëndësinë e provës së përgjimeve.
A nuk është qesharak dhe i pabesueshëm një kryeministër që flet për linçim politik të partisë në pushtet nga i njëjti sistem, me të cilin mburrej se e kishte ngritur vetë për të shkuar edhe deri në zyrën e tij? Por Edi Rama ndryshe flet dhe ndryshe vepron.
Ai flet për pavarësi të drejtësisë, por voton kundër kërkesës së SPAK-ut për të lejuar arrestimin e bashkëpunëtores më të afërt të tij.
Kam parë me qindra komente në rrjete sociale, dje dhe sot. E kuptoj që shumë njerëz janë të zhgënjyer nga vendimi i Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe aktet korruptive të qeverisë së tij.
Por për të gjithë të zhgënjyerit kam një mesazh: prej sot, shikojeni Edi Ramën ai që është në të vërtetë, një mbrojtës politik i korrupsionit, të cilit tani i ka rënë maska 10-vjeçare e arkitektit të reformës në drejtësi.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku.
Qytetarët meritojnë të dinë gjithashtu se, për herë të parë që nga krijimi i SPAK-ut, një kërkesë e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për hetimin e abuzimit me fondet publike në nivelet më të larta të pushtetit po refuzohet politikisht nga shumica parlamentare, jo mbi bazën e një analize juridike, por mbi bazën e një mbrojtjeje të hapur politike nga Kryeministri i vendit’.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka komentuar raportin e PS për kërkesën për autorizim të SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se Rama refuzon ‘t’ia dorëzojë drejtësisë’ Belinda Ballukut pasi po ruan veten e tij.
“Të gjithë e pamë se Edi Rama përgojoi këdo dhe bëri pis gjithçka që e çon drejtësinë nga Belinda tek ai vetë, por në 80 minuta fjalim ai nuk përmendi asnjëherë provat reale të Prokurorisë së Posaçme. Janë me mijëra mesazhe të Belinda Ballukut me vartësit e saj ku ajo ndërhyn në tendera në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani, ose për t’ia hequr të drejtën një kompanie tjetër. Në rastin e tunelit të Llogarasë, është krejt e qartë se tenderi u prish që ta fitonte më vonë kompania turke, ajo që Edi Rama dhe Belinda Balluku kishin takuar në Turqi. Është po aq e qartë porosia e dhënë prej Edi Ramës dhe e cituar prej Belinda Ballukut që një tender tjetër ta marrë një biznesmen i caktuar.
Janë këto mesazhe që e mbajnë peng Edi Ramën. Janë këto mesazhe që shpjegojnë edhe frikën e tij sot. Është sistemi korruptiv që ai ka krijuar, i cili e detyron të dalë hapur kundër SPAK-ut. Jo se iu hap barku për Belinda Ballukun. Jam i bindur se do të donte një mijë herë të shpëtonte prej saj.
Por Edi Rama po refuzon arrestimin e saj dhe po linçon prokurorin, në mënyrë që SPAK-ut të mos i shkojë ndër mend më të kërkojë arrestime të tjera apo, akoma më keq, të mos kërkojë arrestimin e vetë Edi Ramës. Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama.
Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij. Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit”, tha Bardhi.
Gazeta RD