Kreu i Partisë Demokratike në fjalën e mbajtur me shqiptarët në Nju Xhersi u shpreh se ata që i përgatitën mashtrime ndaj tij dhe ndalimin për hyrjen në SHBA, sot janë pas hekurave.
Duke iu referuar ish-ambasadores në Tiranë, Yuri Kim, Berisha shton se ajo që dikur i tregonte shqiptarëve barin, sot është papunë. Berisha theksoi edhe një herë se pas goditjes me non-grata nga ekstremi i majtë në SHBA dhe Shqipëri ai vendosi të ringrihet, në të njëjtën kohë kur edhe Trump po bënte betejën e tij kundër Soros.
Berisha: Për ne sot kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. Një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë. Sepse le të jemi të sinqertë.
Shumë prej nesh të paktën një herë a më shumë kemi pyetur veten kush jemi ne, kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi.
Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite:
Kush jemi ne?
Si zëri i një të drejte të dëgjohet në një botë ku për fat të keq gjithmonë e më shumë po sundohet nga e padrejta?
Kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh? Këto janë pyetje që vërtet të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe.
Këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm përballë padrejtësive shumë të fuqishme.
Por kjo pyetje, “kush jemi ne”, ka një përgjigje e cila përjetësisht do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur. Ne jemi shqiptarë!
Sepse, sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë. Sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjet tona. Ne jemi shqiptarë, ndaj edhe luftojmë në kushtet më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë, ndaj edhe nuk dorëzohemi. Prandaj ditë si kjo, të pamundurat ne i bëjmë të mundura. Zoti u bekoftë!
Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forca e të keqes që të gjithë e njohim, në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë. Në një kohë kur unë isha tetë vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh..
Vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve. I qartë se kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga agjendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.
Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave më të ndritur dhe legjendarë të kombit të madh amerikan, Abraham Lincoln, i cili thotë se “rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh”. Dhe unë vendosa të ringrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamje të parë në pamundësi të plotë, një terr, pa asnjë natë, asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet, duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024. Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë dhe efektet erdhën deri në Shqipëri.
Ata që na treguan ne barin përfunduan të papunë, ata që firmosën ndalimin tim sot janë non-grata vetë në vendin e tyre, ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri sot janë prapa hekurave.
Ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë. Ndaj dhe unë sot kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të vështira.
Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij.
Gazeta RD