Kërkesa e vetme e Berishës për Shtetet e Bashkuara/ Deklarata…

Berisha ka deklaruar sot nga New Jersey se ai do ti kërkojë Shteteve të Bashkuara që të mbështesin dhe të ndihmojnë opozitën në betejën ndaj narko-shtetit.

Pjese nga fjala e Berishes

Nëse duam të ripërtërijmë Shqipërinë, kjo arrihet vetëm duke larguar nga pushteti Edi Ramën. Ndaj dhe unë sot kam një kërkesë për ju, këtë ditë kaq të veçantë, të na frymëzojë, ta përthithim si ditë të dinjitetit të një njeriu, si shembull për të çuar përpara betejën tonë, më të rëndësishme, shumë herë më të rëndësishme se sa këtë që festojmë sot.
Betejën për dinjitetin e Shqipërisë, betejën për shpëtimin e Shqipërisë, në kushtet që është sot Shqipëria.
Shumëkujt mund t’i duket e vështirë, shumëkujt mund t’i duket e frikshme, shumëkujt dhe e pamundshme. Por ashtu siç ishte e vështirë të arrinim këtë ditë, ashtu siç ishte e frikshme të arrinim këtë ditë, ashtu siç dukej e pamundur të arrinim këtë ditë, absolutisht ju jap fjalën se do të arrijmë ditën e shpëtimit të Shqipërisë.
Se do fitojmë betejën e dinjitetit kombëtar. Edi Ramën do ta largojmë nga qeveria dhe asgjë në botë nuk na ndal sot në këtë qëllim. Duke larguar Ramaduron, ne shpëtojmë Shqipërinë.
Duke larguar Edi Ramën ne çlirojmë edhe një copë të Evropës. Por duke larguar Edi Ramën ne u bëjmë një shërbim të gjitha kombeve mike.
Shqipëria sot është eksportues madhor droge.
Miq, në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, Sekretari Marco Rubio, për herë të parë në histori në mesazhin që dërgon, ju referohet karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre si një rrezik për këtë vend të madh, si një rrezik për Shtetet e Bashkuara.
Dhe vërtet çlirimi i Shqipërisë nga narkoshteti, është pra një mision, sa atdhetar, aq edhe për miqtë tanë kudo që janë.
Miqtë e mi, unë jam sot këtu për të kërkuar ndihmën, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë betejë.
Në mars të vitit ’91, unë erdha në këtë vend të bekuar për të kërkuar mbështetje për të përmbysur një diktaturë, diktaturën komuniste. Sot, kërkesa ime ndaj vendit që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndihmë të jashtëzakonshme, ndaj këtij vendi, presidenti i së cilës udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.
Kam besim të madh se shqiptarët do kenë ndihmën e tij, ndihmën e tyre, për të shpëtuar nga narkoshteti i ndërtuar në trojet e tyre. Shqipëria ka sot nevojë jetike për një ringritje, për një ripërtëritje.
Shqipëria pret nga ne të rikthejmë vlerat më të arrira të shpirtit tonë, të virtyteve tona. Sot, ju duhet ta dini, vendi juaj është kopshti eksperimental i ideve të përçudnuara të George Sorosit dhe ekstremit të majtë.
Ju duhet ta dini se në Tiranë kanë filluar t’u japin hormonet, në kundërshtim me çdo ligj dhe parim, fëmijëve 13-vjeçarë. Në tekstet, prindërit emërtohen me numra. Me një ligj të quajtur anti-diskriminim de facto i jepet goditja më fatale familjes.
Po. Një ligj që nuk e ka asnjë vend në botë, përveç Shqipërisë, kopshtit eksperimental të George Sorosit. Në rrezik të madh pra është familja shqiptare.
Në rrezik të madh është ajo e cila ka mbajtur kombin mbi supe në shekuj dhe mijëvjeçarë dhe së cilës ne i dedikojmë të gjithë qenien tonë.
Ndaj dhe, beteja jonë është një betejë për ekzistencë të familjes shqiptare.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha: Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata! Mirënjohje presidentit Trump dhe sekretarit Rubio

Kreu i Partisë Demokratike në fjalën e mbajtur me shqiptarët në Nju Xhersi u shpreh …